Rruga e opozitës për në pushtet kalon nga mbështetja për SPAK

NGA ERVIS ILJAZAJ

Rruga e opozitës për në pushtet kalon nga mbështetja
SPAK në vitet e fundit ka ndërmarrë një sërë hapash të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit. Njerëz me pushtet të politikës si ministra, ish-ministra, kryebashkiakë apo të tjerë që kanë menaxhuar paratë e shqiptarëve janë arrestuar, hetuar apo akuzuar për korrupsion si asnjëherë më parë në këto nivele. E megjithatë, opozita shqiptare, më saktë një pjesë e saj siç është Rithemelimi, ende nuk ka arritur që ta mbështesë publikisht punën e SPAK. Përkundrazi, një pjesë e mirë e Rithemelimit e konsideron atë si organizatë kriminale. Një sjellje absurde e një opozite që kërkon të vijë në pushtet, kur dihet që kauza e luftës ndaj korrupsionit duhet të jetë kauza e saj kryesore kur përballë ka një qeveri të korruptuar.

Kjo sjellje e Rithemelimit nuk ndryshoi edhe pse SPAK në ditët e fundit, me firmën e drejtuesit të saj Altin Dumani, zhvilloi një nga operacionet më të rëndësishme në dekadën e fundit kundër krimit të organizuar. Disa nga grupet kryesore të krimit të organizuar në Shqipëri ranë në rrjetën e SPAK dhe të drejtësisë. Kjo nuk ishte vetëm një goditje për krimin e organizuar, por edhe një goditje për pushtetin, duke qenë se shumë prej tyre janë përdorur nga kjo qeveri si hambar votash, dhe janë të ditura lidhjet e këtyre bandave me pushtetin dhe qeverinë shqiptare.

E megjithatë, përfaqësues të Rithemelimit e konsideruan këtë operacion si fasadë. Askush prej tyre nuk pati kurajon të dalë publikisht dhe të përshëndes punën e SPAK në këtë drejtim.

Duke u sjellë në këtë mënyrë, duke mos mbështetur SPAK, opozita shqiptare po humbet një nga kauzat e saj kryesore, atë të luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sepse nëse ke vërtet për zemër luftën ndaj korrupsionit, nuk mund të mos e mbështesë atë organ që po e lufton. Në të kundërtën, nuk je aspak i besueshëm për qytetarët shqiptar, ashtu sikurse po duket.

Për hir të mbrojtjes të liderve të tyre, që ose janë nën arrest apo nën hetim nga SPAK , Rithemelimi i cili është një pjesë e rëndësishme e opozitës në Shqipëri, po sakrifikon pushtetin e opozitës. Konflikti i interesit që kanë me SPAK për shkak se ky i fundit është duke hetuar liderët e tyre, e bënë Rithemelimin që ta konsiderojë këtë organi si organizatë kriminale. Asnjëherë Rithemelimi nuk ka për ta legjitimuar SPAK , edhe sikur të arrestojë të gjithë qeverinë. Për një arsye shumë të thjeshtë. Nëse legjitimon punën e SPAK , i duhet të legjitimojë arrestimin e liderit të saj.

Në këtë mënyrë, opozita shqiptare po mbron drejtuesit e saj, por po sakrifikon ardhjen në pushtet dhe po lë në opozitë për të katërtën herë radhazi popullin e saj opozitar.

Sepse është e qartë, që rruga e opozitës për në pushtet, madje e vetmja rrugë, kalon nga mbështetja për SPAK. Rithemelimi mund të bëjë çdo gjë. Mundet të marrë edhe logon e PD-s, mundet edhe të krijojë program të mirë apo çdo lloj aksioni tjetër politik. Nëse nuk mbështet SPAK, pushteti për opozitën do të jetë shumë i largët. Dhe kjo për disa arsye kryesore.

E para, sepse SPAK është i vetmi institucion që realisht po bënë luftën e tij kundër korrupsionit. Sigurisht mund të ketë mangësitë e tij, por themelet në këtë rrugë janë hedhur, dhe duken të forta. Me një qeveri të korruptuar përballë, gjë e cila tashmë nuk është më opinion por fakt, opozita se ka luksin që të humbasë kauzën e saj kryesore opozitare, atë luftës ndaj korrupsionit.

E dyta, SPAK gëzon një mbështetje tek qytetarët shqiptarë shumë të madhe. Këtë e tregojnë të gjitha sondazhet. Duke kritikuar SPAK, apo edhe më keq akoma, duke e quajtur organizatë kriminale, nuk është as sjellje elektorale. Është një sjellje që shkon në kundër tendencë me shqiptarët.

E treta, SPAK është një projekt ndërkombëtar dhe mbështetet fort nga aleatët e Shqipërisë, sidomos nga ShBA. Në këtë mënyrë opozita shqiptare po humbet partnerët e saj ndërkombëtarë. Pa të cilët dihet që është e vështirë të vish në pushtet. Sigurisht ata nuk janë faktori përcaktues, por ama kanë rolin e tyre të rëndësishëm në rotacionin politik në Shqipëri. Ti kesh kundra, nuk është asnjëherë e lehtë të vish në pushtet, është pothuajse e pamundur. Dhe fakt është që kjo pjesë e opozitës aktualisht është në izolim të plotë.

Dhe e fundit, sepse koha politike në të cilën jetojmë kërkon hetimin e korrupsionit të akumuluar ndër vite të politikës shqiptare. Këtë e kërkojnë shqiptarët, këtë e kërkon e ardhmja e tyre. Sot dikotomia e re politike nuk është më e majtë e djathtë, por pro SPAK dhe kundër tij.

Për të gjitha këto arsye, nëse opozita shqiptare nuk është e gatshme të sakrifikojë njerëzit e saj në emër të një kohe të re politike që e kërkon e ardhmja e Shqipërisë, nuk ka për të ardhur kurrë në pushtet. Të mbrosh njerëzit e tu nga drejtësia mundet të jetë njerëzore, por nuk është aspak politike. Nëse vazhdon kështu, opozita shqiptare do të ketë rreth saj një numër të caktuar votash dhe militantësh, por asnjëherë shumicën e shqiptarëve për të rrëzuar Edi Ramën nga pushteti.

Fatkeqësisht edhe luftën kundër korrupsionit po e merr si kauzë Edi Rama, pikërisht sepse opozita nuk është në gjendje të bëjë sakrificat e saj. Njeriu që duhet ë japë llogari për korrupsioni e qeverisë së tij, paradoksalisht po e kthen atë në kalë beteje. Madje po kërkon dhe aleancë politike me Rithemelimin për këtë arsye. Kjo po, që është një fasadë politike, dhe jo aksioni i SPAK kundër krimit të organizuar.

Exit mobile version