“Geopoliticus”
Iniciativa kineze
Më 2013 administrata Xi Jinping nisi të diskutojë për një projekt, i menduar nga qeveria e Pekinit, për rritjen e lidhjeve dhe të bashkëpunimit në Eurazi. Gjatë një mbledhjeje të organizuar nga Universiteti Nazarbayev i Astanas më 7 shtator, duke ekzaltuar rolin kyç të Kazakistanit si urë midis Kinës, Rusisë dhe Europës, Xi pohoi se vendi ishte i gatshëm që të kthehej për të përfaqësuar një hapësirë strategjike të rëndësishme, ashtu siç kishte qenë në të kaluarën. Sipas Presidentit Xi, për të arritur një objektiv të tillë, intensifikimi i rrjeteve ekzistuese lidhës dhe të tregtisë midis Kinës dhe Kazakistanit do t’i ofronte mundësinë këtij të fundit që të zhvillohej në brendësi të tij, duke i dhënë një impuls të përgjithshëm tregut euraziatik. Me këtë rast, Xi propozoi idenë e ringjalljes së Rrugës së vjetër të Mëndafshit, me qëllim që të forcohen lidhjet tregtare dhe zhvillimi teknologjiko–industrial i rajonit euraziatik dhe të favorizohej një bashkëpunim më i ngushtë midis shteteve të zonës. Më pak se një muaj më vonë, më 3 tetor, në forumin rajonal ASEAN, gjatë diskutimit të mbajtur nga Xi Jinping përpara Parlamentit indonezian, propozimi për një Rrugë Mëndafshi modern u prezantua në mënyrë më eksplicite, duke manfiestuar të gjithë madhështinë e projektit që administrata kineze synonte të realizonte. Nuk bëhej fjalë vetëm për të rindërtuar një lidhje nëpër rrugë tokësore 2000 vjet të vjetër, por të krijohej edhe një kalim detar që të kalonte nga juglindja e Azisë në Afrikën Perëndimore dhe për të arritur deri në veriun e Detit Mesdhe.
Projekti One Belt One Road
Më 2015 projekti u konkretizua me emrin One Belt One Road (OBOR). Ideja është të promovohet një rrugëtim industrializimi euraziatik nëpërmjet rivlerësimit të rrugëve tokësore për të arritur Europën, Silk Road Economic Belt (SREB) dhe të rrugëve oqeanike, Maritime Silk Road (MSR). Plani është patjetër ambicioz. Objektivi kryesor do të jetë të plotësohet nevoja kineze për të riorganizuar zinxhirin shpërndarës, që lidh Kinën me pjesën tjetër të botës. Vlerësohet se do të përfshijë rreth 4.4 miliardë njerëz dhe më shumë se 60 vende për ta çuar ekonominë kineze dhe atë rajonale drejt një të ardhmjeje më të begatë, duke lehtësuar shkëmbimet transkufitare dhe financiare.
Do të ndërtohen infrastruktura, të tilla si gazsjellës, naftësjellës, rrugë hekurudhore, ura, autostrada, rrjete elektrike, që sot nuk janë të pranishme në zona të caktuara të Azisë Qendrore. Krijimi i lidhjeve internetore me fibër optike do të favorizojë shkëmbimin e informacioneve dhe komunikimet rajonale. E gjitha kjo do t’i japë impuls bashkëpunimit ndërrajonal, duke i pajisur vendet që ndodhen përgjatë Rrugës së Mëndafshit me mjetet për komercializimin e resurseve të tyre. Azia do të bëhet kështu qendra gravitacionale e rrugëve kryesore tregtare ndërkombëtare, duke gëzuar zhvillimin pasues të infrastrukturave dhe teknologjive që do ta bëjnë të mundur. Megjithatë, qysh tani është e mundshme të hipotezohet se ajo që do të nxjerrë përfitimet më të mëdha nga investimet e disponuara për ndërtimet e reja, atëherë kur plani të procedonte në drejtimin e shpresuar nga Pekini, do të jetë kryesisht Kina, duke qenë në këtë fazë të parë pothuajse totaliteti i projekteve të besuara kompanive shtetërore.
Plani për një Rrugë të Re Mëndafshi është konceptuar nga qeveria kineze me qëllim që t’u sigurojë shfryrje tejkapaciteteve prodhuese të kompanive siderugjike dhe në sektorin e industrisë së rëndë kombëtare, që më shumë se sektorë të tjerë të ekonomisë pëson ngadalësimin e zhvillimit ekonomik të vendit. Veç kësaj, me synimin që t’i pajisë kapitalet e veta me forcë politike dhe për t’i dhënë ekonomisë së tij një shtytje në aspektin cilësor, Pekini vepron që të pushojë së qeni “fabrika e botës”. Ndërtimi i infrastrukturave është një prej pikave me interes më të madh që ka të bëjë iniciativa OBOR, pasi do të jenë të nevojshme investime të mëdha. Siç është parashikuar tashmë, projekti do të financohet nga fonde dhe institute bankare të matricës euraziatike të ndërtuara kohët e fundit, si Banka aziatike e Investimit për Infrastrukturat (AIIB).
E lindur më 2014 me impulsin e drejtpërdrejtë kinez, AIIB-ja mund të bëhet nyja financiare e Rrugës së Mëndafshit të sotme, duke parë impenjimin për të siguruar shifrën e 100 miliardë dollarëve si kapital fillestar për ta alokuar për promovimin e projekteve infrastrukturore në Azi. Në strukturën e tij, instituti financiar përfaqëson thelbin e parimeve që do të udhëheqin planin kinez. Në ndryshim prej institutive financiare ndërkombëtare të markës perëndimore, AIIB-ja është fuqimisht e frymëzuar nga elementi i multipolarizmit që Kina dhe fuqitë e tjera emergjente e kanë rivendikuar shpesh ndaj komunitetit ndërkombëtar, për ndërtimin e një rendi më të barabartë. Kurse Kina ka pranuar që asnjë vend pjesëmarrës në AIIB, aq më pak vetë ajo që është investitori i parë, nuk do të ketë të drejtë vetoje: një lëvizje që mund të interpretohet si një sinjal kundër hegjemonisë amerikane. Në fakt, Shtetet e Bashkuara e disponojnë akoma një të drejtë ekskluzive të tillë në brendësi të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore.
Investime të tjera do të alokohen nga Banka e Re e Zhvillimit e BRICS-it dhe nga Fondi për Rrugën e Mëndafshit (Silk Road Fund) të themeluar kinse në shtatorin e 2014, në të cilin marrin pjesë State Administration of Foreign Exchange, China Investment Corporation, Export-Import Bank of China dhe China Development Bank. Investimi i përgjithshëm i parashikuar nga këto institute do të jetë i barabartë me 40 miliardë dollarë. Marka pastërisht kineze e këtyre investimeve do të mundësojë një përfaqësim më të fortë të interesave rajonale euraziatike në nivel ndërkombëtar siç dëshirohet nga administrata Xi. Një përdorim më i madh i renminbit do ta rrisë ndjeshëm qarkullimin e juanit, duke e lehtësuar kapacitetin e Kinës për të marrë pjesë në tregjet financiare globale, përveçse të forcojë dinamizmin robust të kapitalizmit shtetëror kinez. Hapen kështu dy mundësi të mëdha fitimi për industritë kineze, pjesa më e madhe e të cilave, në mos e gjitha, është nën kontroll shtetëror, si China Railway Group që do të merret me ndërtimin e hekurudhave të reja të parashikuara.
Çfarë parashikon konkretisht projekti
Rruga e Re e Mëndafshit do të ketë aftësinë që t’i japë impuls modernizimit të rajoneve të shumta, në radhë të parë Azisë Qendrore, që pavarësisht se bëhet fjalë për një zonë të prapambetur dhe nga ekonomi të minuar nga një menaxhim politik i keq, është një territor i pasur me minerale dhe vendburime gazifere. Rruga e Re e Mëndafshit, nëpërmjet ndërtimit të një serie gazsjellësish që do të kalojnë nëpërmjet Turkmenistanit, një prej prodhuesve më të rëndësishëm të gazit botëror, Yzbekistanit dhe Azerbajxhanit, do ta rrisë në mënyrë eksponenciale zhvillimin e tregtisë energjetike të këtyre vendeve drejtpërsëdrejti me Kinën.
Pak kohë më parë është mbajtur një takim midis Jin Liqun, presidentit të AIIB-së dhe Ashraf Ghani për të diskutuar mbi aderimin e Afganistanit në institucionin financiar të krijuar në tetor 2014. Nëse traktativat do të përfundonin mirë, qeveria e Pekinit është shprehur e gatshme ta integrojë Afganistanin në sistemet autorrugore dhe hekurudhore rajonale në projekt. Qëllimi është që të vihet në komunikim Herati me linjën e re hekurudhore me shpejtësi të lartë që lidh Kinën me Kirgizistanin, Taxhikistanin dhe Iranin. Hekurudha për transportin e mallrave është kolauduar këtë shkurt, duke përshkruar pjesën nga Yiwu, në provincën Zhejiang, në Teheran në 14 ditë, kundrejt 45 ditëve të nevojshme nëpërmjet detit.
Sapo të përfundohet, nga Teherani do të jetë e mundur në fund të arrihet Europa, për një total prej 13000 kilometrash linjë hekurudhore nga Yiwu në Madrid në vetëm 21 ditë. Sidomos Irani po demonstrohet i gatshëm që të marrë pjesë në iniciativën OBOR. Kjo do t’i ofronte vendit mundësi në termat e tregtisë me rrugë tokësore, falë ndërtimit të hekurudhave të reja që, duke parë relievin malor të territorit, do të kërkojnë një impenjim të konsiderueshëm teknologjish dhe kompetencash, të cilat Irani tani nuk i disponon. Nga ana e saj, Kina është e interesuar për Iranin prej mundësisë së daljes në Gjirin Persik dhe pasi përfaqëson një nyje të rëndësishme për lidhjet me Europën. Veç kësaj, nga Chabahar do të nisë një hekurudhë e re e shpejtësisë së lartë deri në Gwadar.
Kështu, Rruga e Re e Mëndafshit do të ketë një efekt të rëndësishëm mbi arkitekturën ekonomike rajonale për krijimin e një hapësire dinamike ekonomike në ekspansion të vazhdueshëm. Midis projekteve tashmë të nisura apo në pritje që të jenë figuron korridori ekonomik midis Kinës dhe Pakistanit (CPEC), që do të lidhë drejtpërsëdrejti të dy vendet nga Kashi në portin e Gwadar, duke i siguruar Kinës një akses të drejtpërdrejtë në Detin e Arabisë dhe duke regjistruar një reduktim të ndjeshëm të kohëve dhe të kostove për transportin e mallrave. Në këtë mënyrë, produktet e tregtuara nuk do të kalojnë më as nëpër Oqeanin Indian, as nëpërmjet Ngushticës së Malakës, subjekt i pandërprerë i akteve të piraterisë.
Duket edhe se është gati të nisë projekti për një korridor ekonomik Bangladesh–Kinë–Indi–Mianmar, i propozuar më 2009, por i futur në një fazë ngërçi prej kundërshtimit të Indisë, e preokupuar nga perspektivat e rritjes ekonomike dhe politike që Rruga e re e Mëndafshit do t’i ofronte Kinës dhe që mund të çojë në një reduktim të rëndësisë së Indisë në rajon. Por mospjesëmarrja do të kishte një peshë politike dhe reperkursione potenciale mbi ekonominë indiane. Në fakt, do të nënkuptonte që të mbetej jashtë një projekt që po përfshin të gjithë Azinë dhe që ofron perspektiva zhvillimi të mëdha.
Megjithëse India nuk i jep mbështetjen e duhur projektit, për këto arsye nuk merr pozicione të prera kundër Pekinit. Megjithatë vazhdon t’i kundërvihet, kur i percepton të dëmtuara interesat strategjike të saj, si për shembull lidhur me planin kinez për ta kaluar Korridorin Ekonomik kino–pakistanez (CPEC) nëpër territorin e kontestuar të Kashmirit. Rruga e re e Mëndafshit do të parashikojë gjithsesi një rrjet hekurudhor që do të bashkojë jugun e Kinës nga Kunming në Yunnan, me Laosin, duke kaluar nëpër Kamboxhia, Malajzi, Mianmar, Singapor, Tajlandë dhe Vietnam. Duke promovuar ndërtimin e infrastrukturave të reja midis Kinës dhe Laosit do t’i mundësohet këtij të fundit që nuk ka dalje në det që të intensifikojë tregtinë dhe natyrisht, do të rriten eksportet me Kinën e resurseve natyrore që disponon Laosi.
Sistemet e reja të interkonjeksionit që do të ndërtohen synojnë në një përmirësim të furnizimit për Kinën dhe në zgjerimin e tregtisë së brendshme me vendet limtrofe, por përfshijnë edhe projekte në rajone jo drejtpërsëdrejti të lidhur me Pekinin, por nga realizimi i të cilëve Kina do të përfitojë. Plane të ndryshme për ndërtimin e infrastrukturave të reja janë menduar në fakt në nivel rajonal intraeuropian, rus dhe të Lindjes së Mesme. Një shembull është rrjeti i ri hekurudhor me shpejtësi të lartë që do të lidhë Moskën me Kazanin në 3 orë e gjysmë, në vend të 12 orëve të nevojshme deri më sot, që Rusia shpreson ta shohë të përfunduar në kohë për Botërorin e Futbollit të 2018.
Kina ka shpallur se do të ndërtojë edhe një hekurudhë me shpejtësi të lartë nga Hungaria në Serbi, që do të lehtësojë fluksin transkufitar të njerëzve dhe mallrave midis Europës Lindore dhe Perëndimore, kostoja e së cilës do të mbështetet falë një fondi prej rreth 3 miliardë dollarësh të vëna në dispozicion nga Pekini për ta zgjeruar planin OBOR në Europën Qendro–Lindore. Pastaj, lidhja parashikohet se do të shkojë deri në Pire, ku po forcohen aktivitetet portuale falë Parlamentit grek që më 30 qershor ka lejuar shitjen e rreth 51 për qind të paketës aksionere të Autoritetit Portual të Pireut COSCO Shipping Corporation, kompani shtetërore kineze.
Lidhja me Europën dhe dalja në Mesdhe rezultojnë kështu themelore për realizimin e planit OBOR. Më 27 maj është arritur në një marrëveshje midis AIIB-së dhe Bankës Europiane të Investimeve për financimin e ndërtimit të një serie strukturash që do të lidhin Europën Lindore me Lindjen e Afërt dhe Azinë Qendrore. Falë këtyre projekteve të reja do të përgjysmohet koha për eksportimin e mallrave me rrugë tokësore dhe do të hapen pika hyrëse të reja midis tregut të madh të Bashkimit Europian dhe atij Euraziatik. Kështu, Europa merr pjesë, por preokupimet janë të shumta. Një frikë kryesore është se qasja kineze, që është pastërtisht ekonomike të nisë e të minojë aftësinë e Bashkimit Europian për të ruajtur parimet e promovuara deri më tani sidomos në Europën Qendro–Lindore, që kanë mundësuar riafrimin me BE-në e shteteve që kanë jetuar nën egjidën sovjetike.
Por, nga ana tjetër, nuk është për t’u përjashtuar edhe se afrimi i ekonomisë kineze me atë europiane do ta sjellë Kinën më afër me respektimin e normativave dhe të vlerave komunitare. Në fakt, Europa do të përfaqësojë për Kinën dhe për Rrugën e Re të Mëndafshit një partner pa të cilin nuk do të jetë e mundur të bëhet: një kompromis midis të dy aktorëve do të jetë kështu i nevojshëm për të mbajtur hapur dialogun dhe sidomos tregtinë. Iniciativa OBOR është pjesë e projektit politiko–ekonomik të Pekinit për t’u hapur ndaj Perëndimit. Kina do të donte të përfitonte nga transferimi i teknologjisë dhe i know-how perëndimor, që do të buronte nga një kontakt më i ngushtë me Europën.
Kjo e bën qasjen kineze me Europën të ndryshme nga ajo që ka në fakt me vendet e Azisë Qendrore apo të Afrikës, me të cilat kërkon kryesisht që të garantojë furnizimin me resurse dhe lëndë të para, me kosto të mbështetur nga Pekini. Zhvillimi i këtyre zonave, të cilave kërkon t’u shërbejë si promotore, në realitet është mjaft i kufizuar. Nëse financimi për ndërtimin e infrastrukturave do t’u besohet vetëm kompanive kineze, është e mundur të hipotezohet se nuk do të promovohet transferimi i kompetencave në këto rajone. Kjo do ta bënte të vështirë të imagjinohej një zhvillim lokal i prekshëm dhe afatgjatë.
Një diplomaci për Rrugën e Mëndafshit
Është e qartë se Kina, duke stimuluar lidhjet tregtare, synon që të stimulojë dialogun strategjik për një integrim gjeopolitik paqësor të saj. Bashkëpunim, lidhje, novatorizëm dhe avantazh reciprok janë faktorët kyç që mund ta bëjnë Rrugën e Mëndafshit të sotme një projekt suksesi për Republikën Popullore të Kinës. Rruga e Re e Mëndafshit do të jetë më shumë se një shpërndarje e thjeshtë e mallrave nga Lindja në Perëndim e anasjelltas, por siç e ka quajtur vetë elita politike kineze, do të konfigurojë një “strategji zhvillimi” të re.
Kina po ndjek me sukses rrugën e diplomacisë për realizimin dhe ruajtjen e një konteksti ndërkombëtar që nuk pengon proceset e rritjes ekonomike rajonale i të cilave është promotori. Në vend që të sfidojë drejtpërsëdrejti institucionet ndërkombëtare aktuale, si për shembull FMN-ja, në të cilin ankohet se ka një pozicion minoritar krahasuar me anëtarët e tjerë perëndimorë megjithëse figuron midis financuesve kryesorë, Kina e Xi po përdor të gjitha kapacitetet diplomatike të saj për të demonstruar se ekzistojnë alternativa ndaj rendit të vendosur nga fuqitë perëndimore.
Edhe në temën e shkëmbimeve tregtare dhe të investimeve, Kina këmbëngul për respektimin e atyre koncepteve të politikës së jashtme me të cilat vetë ajo identifikohet dhe që janë pjesë e narrativës qeveritare. Autoritetet kineze kanë theksuar se projekti One Belt One Road do të jetë në përputhje me parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara, domethënë me një bashkëpunim në rritje të bazuar mbi respektimin e sovranitetit kombëtar dhe të 5 Parimeve të Bashkekzistencës Paqësore, si integriteti territorial dhe mosndërhyrja.
Promovimi i rrugëve të reja tregtare, rrugëve, hekurudhave e urave, i bashkëpunimit politik dhe shkëmbimi kulturor për zhvillimin e marrëdhënieve të mira me fqinjët dhe “fqinjët e largët” e rajoneve euraziatike do t’i japë Kinës mundësinë që të vejë në jetë një skenar të ndryshëm gjeopolitik euraziatik, por edhe ndërkombëtar. Zhvillimi ekonomik i përshpejtuar nga plani OBOR i mundëson Kinës që të mbrojë me këmbëngulje më të madhe interesat e veta kombëtare dhe të ushtrojë preson për ndryshime në sistemet e qeverisjes globale.
Rritja e vëllimit tregtar ka mundësi që do ta bëjë Kinën të aftë që të flasë me një zë më autoritar brenda komunitetit ndërkombëtar. Nëse në realitet, qysh sot konsiderohet tashmë një fuqi e madhe, mosrespektimi i impiantit normativ perëndimor nuk e lejon që ta marrë plotësisht mbi vete këtë rol respektivisht fuqive të tjera perëndimore. Duke krijuar një sistem rajonal më të gjerë ku të projektojnë vlerat e saj, do të marrë kështu mbi vete kapacitetet për ta mbrojtur prestigjin e vet në nivel ndërkombëtar.
Pekini duket se shpreson që Rruga e Re e Mëndafshit, ashtu si rruga e vjetër tregtare e hapur nën dinastinë Han, do të nxisë një proces kuptimi reciprok dhe integrimi të vendeve që i janë pjesë. Bashkë me këtë projekt, administrata Xi avancon edhe konceptin e një bashkëpunimi të tipit win-win. Gjatë samitit kalifornian Sunnylands të Annenberdel 2013, presidenti kinez ka folur edhe për promovimin e marrëdhënieve më të barabarta midis shteteve, domethënë pa praninë e aktorëve që i imponojnë zgjedhjet e tyre mbi bashkësinë ndërkombëtare për ndjekjen e interesave kombëtare të veta.
Siç theksohet nga ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, që e ka evidentuar rëndësinë e këtij parimi në drejtimim e marrëdhënieve ndërkombëtare gjatë ceremonisë hapëse të Simpoziumit Ndërkombëtar mbi Zhvillimin e Diplomacisë kineze të 24 dhjetorit 2014, kjo do ta çojë rajonin aziatik dhe në mënyrë të veçantë Kinën që të mbrojë një politikë të jashtme të pavarur, të orientuar nga mbrojtja e respektimit të sovranitetit kombëtar. Xi Jinping ka pohuar se mundësia e një zhvillimi tregtar dhe politik midis vendeve të zonës, si të Lindjes aziatike, ashtu edhe të Azisë Qendrore, do të garantojë në fund më shumë stabilitet dhe siguri. Rruga e re e mëndafshit do të bazohet mbi parime të tjera në temën e mbrojtjes e të sigurisë, të prezantuara nga Xi në majin e 2014 gjatë Konferencës mbi Ndërveprimet dhe Masat e Forcimit të Besimit në Azi, (CICA). Në këtë rast, tema kryesore e të cilit ishte pikërisht siguria strategjike e Azisë, Kina i nxiste përfaqësuesit e vendeve të pranishme që të merrnin përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të mbrojtjes së Azisë, prej shumë kohësh e influencuar nga vendime të fuqive të huaja për rajonin. Ideja e “Azisë aziatikëve” është interpretuar nga Shtetet e Bashkuara si një sulm ndaj pranisë së tyre në rajon.
Çfarë pasojash?
Influenca në rritje kineze preokupon aktorët e ndryshëm në brendësi të rendit ndërkombëtar, në veçanti Shtetet e Bashkuara dhe më pas Indinë e Rusinë që dyshojnë për rolin e ardhshëm të Kinës si fuqi hegjemone e re. Intensifikimi i raporteve midis Kinës dhe vendeve të Azisë Qendrore në një të ardhme jo shumë të largët mund të bëhet objekt konfliktesh me Rusinë, që gjithmonë e konsideron këtë zonë pjesë të sferës së saj të influencës. Momentalisht, Rusia nuk duket se përfaqëson një problem iminent për zhvillimin e One Belt One Road, duke parë thellimin në rritje e partneritetit ruso–kinez që i bën të dy vendet aleatë të fortë. Veç kësaj, pjesëmarrja e Rusisë nëpërmjet instrumenteve financiare të alokuara për subvencionimin e projektit, projekton një fitim të majmë dhe një fuqizim të tregtisë së saj për Federatën ruse, që mund të çlirohet kështu nga raportet ekonomike me Europën, nga e cila në të kaluarën është mbajtur gjithmonë në gjendje shahu.
Rritja potenciale e influencës së Kinës në zonës euraziatike, por edhe ndërkombëtare, mbetet megjithatë një problem latent midis dy vendeve dhe që mund t’i hapë rrugë një konkurrimi me Rusinë, duke i përthyer raportet bilaterale. Nga ana tjetër, Kina është e vetëdijshme se Rusia përfaqëson një aleat të domosdoshëm sidomos për lidhjen e importeve dhe të eksporteve të resurseve energjetike që i lidh me fill të dyfishtë të dyja vendet. Veç kësaj, një ashpërsim i marrëdhënieve me Rusinë do të komprometonte pjesë të planit kinez për diversifikimin e tregut të furnizimit me resurse energjetike që do t’i garantonte Kinës një siguri strategjike më të madhe, duke e vënë në rrezik procesin e rritjes së brendshme nga pengesat si pasojë e krizave eventuale energjetike.
Për pasojë, në këtë moment Kina dhe Rusia duhet të ruajnë një ekuilibër në raportet e tyre për të ndjekur të dyja rrugëtimin e zhvillimit ekonomik e politik të ndërmarrë. Realizimi i objektivave strategjikë afatgjatë të Kinës, siç është thënë në shumë raste, është interpretuar edhe si një përgjigje ndaj bilancimit të pranisë amerikane në Azi. Grand strategy e dëshiruar nga administrata Obama duke filluar nga 2011 ka sjellë një forcim të impenjimit amerikan në Detin e Kinës Jugore, të cilit Kina menjëherë i është përgjigjur ashpër, duke u ndjerë e rrethuar, me shpresën e largimit të Shteteve të Bashkuara.
Veç kësaj, projekti zhvillimor i parashikuar nga Rruga e Re e Mëndafshit, sidomos lidhur me rrugët e reja detare, ka ngjallur preokupim të madh nga ana e fuqisë amerikane, që duke qenë një talasokraci e shikon të kërcënuar aftësinë e saj në Paqësor. Jo më pak, Kina ka dëshirë që të krijojë pika të reja aksesi të tregtisë detare dhe të shmangë ato më të cenueshmet, si Ngushtica e Malakës, ku kalon 40 për qind e tregtisë botërore të hidrokarbureve. Kështu, nëse nga njëra anë sa më shumë Shtetet e Bashkuara e shikojnë Kinën të zgjerojë hapësirën e saj të influencës, aq më shumë do të donin të rritej impenjimi i vet në Azi për t’i penguar ekspansionin, nga ana tjetër Kina, edhe lidhur me çështjen e detit të diskutuar, nuk lë rast pa ju kundërvënë hegjemonisë amerikane në tentativën për të ofruar një vizion gjeopolitik alternativ, më të favorshëm për arritjen e interesave të veta. Me pak fjalë, Kina e sotme shpreson një ndryshim në strukturën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe duke qenë më e fortë, është në gjendje që t’u japë drejtpërsëdrejti implus iniciativave, si Rruga e Mëndafshit, që ka mundësi do të kenë kapacitetin që t’i japin formë të re gjeopolitikës globale.
Kështu, projekti për Rrugën e Re të Mëndafshit nuk është vetëm një rimendim në prizmin modern i shkëmbimeve midis Kinës dhe Europës, por, siç pohojnë zëdhënësit e Pekinit, do të jetë edhe një impenjim konstruktiv rritjeje të mbështetshme që Kina merr ndaj shoqërisë civile. Por është e vështirë, sidomos për sytë e komunitetit ndërkombëtar, që ta shikojë në këto terma. Nëse padyshim po shërben si tërheqës për zhvillimin ekonomik botëror në një periudhë krize, Kina është larg të qenit një bamirës ndërkombëtar. Përkundrazi, është demonstruar një aktor indiferent ndaj realiteteve të ndryshme lokale të vendeve të përfshira në planin OBOR, sidomos të atyre joeuropianë, me të cilët synon që të ruajë një raport blerës–prodhues të lëndëve të para, në të cilin i dyti gjendet në një pozicion dizavantazhi në terma të përfitimeve.
Më 25 maj 2016 projekti për Rrugën e sotme të Mëndafshit është kthyer për t’u ridiskutuar sërish në Astana, atje ku u prezantua për herë të parë, gjatë një forumi ekonomik gjatë të cilit është folur pikërisht për një Union Ekonomik Euraziatik (EEU) dhe për forcime të mëtejshme të linjave me shpejtësi të lartë për lidhjen e Kinës me Europën. Gjatë samitit ka dalë centraliteti që Europa dhe sidomos Europa Lindore ka në planin OBOR respektivisht rajoneve të tjera të përfshira, si prej mundësive tregtare që po hapen, ashtu edhe prej bashkëpunimit multilateral.
Duke përfunduar, aspiratat kineze për projektin OBOR do të duhen t’i përshtaten një konteksti rajonal laraman dhe më transversalisht, atij ndërkombëtar të cilit i referohen. Ajo që e bën më të vështirë një vlerësim të përgjithshëm për planin e Rrugës së Re të Mëndafshit e tejkalon edhe vështirësinë që ka në kuptimin përtej komunikatave qeveritare, se në çfarë pike është arritur realisht për secilën fazë të parashikuar nga ky projekt që vazhdon të konkretizohet në shumë dimensione. Sipas të gjitha gjasave, One Belt One Road do t’i ndryshojë skenarët gjeopolitikë botërorë, duke krijuar lidhje ku akoma nuk ekzistojnë dhe duke shkurtuar kohët dhe distancat që duhen nga njëra anë e globit në tjetrën, duke përcaktuar ndoshta një afrim midis Lindjes dhe Perëndimit, të cilin mund ta pasojë një ndryshim në qasjen ndaj sistemeve të qeverisjes ndërkombëtare.
Përgatiti:
ARMIN TIRANA