“Geopoliticus”
Për Serbinë, kërkesa për t’u prishur me Moskën ishte tejet e rëndë, të shumta interesat politike dhe ekonomike, ashtu si lidhjet historike me Moskën. I vetëdijshëm për delikatesën e situatës, Bashkimi Europian adoptoi një qëndrim mirëkuptues, i gatshëm që t’i jepte Beogradit më shumë kohë nga sa ishte i gatshëm t’u jepte vendeve të tjera. Por qysh nga 2014 e deri më sot jo vetëm që Serbia nuk është larguar nga Moska, por bile ka filluar t’i thellojë më tej raportet me të. Bashkëpunimi serbo–rus është rritur deri në sektorin ushtarak, nga krijimi i një “qendre humanitare ruso–serbe”, që mirëpret ushtarakë rusë në afërsitë e Nishit, deri në manovrat e kohëve të fundit “vëllazëria sllave”, të realizuara në Serbi nga ushtarakë serbë, rusë dhe bjellorusë.
Ftesave të përsëritura për t’u prishur me Moskën, ministri i Jashtëm Daçiç u është përgjigjur prerazi: “Nuk mund të punojmë kundër vetë interesit tonë”. Por cilët janë interesat që lidhin Serbinë dhe Rusinë? Për Rusinë, çështja politike është mjaft e thjeshtë: Serbia i ofron një mundësi të lehtë projektimi larg kufijve të saj, një mundësi aq më shumë e pëlqyeshme në momentin në të cilin NATO forcon praninë e saj në kufirin rus.
Interesat e serbëve janë më të artikuluara. Nga sektori energjetik tek hekurudhat, Serbia mban raporte të mira ekonomike dhe tregtare me Moskën. Mundësia e përdorjes së Serbisë si trampolinë për tregun rus kontribuon pastaj për të thithur investime në vend. Emblematik është presioni konstant i “Fiat-Chrysler” mbi qeverinë serbe, me qëllim që të sigurojë nga Moska pranimin e automobilave të prodhuara në Kragujevac midis mallra të përjashtuara nga taksat. Është edhe me këtë objektiv që Serbia po negocion një marrëveshje të tregtisë së lirë me Unionin Ekonomik Euraziatik (Rusi, Kazakistan, Bjellorusi, Armeni dhe Kirgizistan), një treg prej rreth 200 milionë banorësh, me mundësi ekspansioni të mëtejshëm.
Për Beogradin, raporti me Rusinë është i rëndësishëm edhe nga pikëpamja politike. Për sa paradoksale që mund të duket për një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, një mbështetje e tillë është e dobishme në pjesën më të madhe për t’u rezistuar presioneve të këtij të fundit. Sipas informacioneve të ndryshme (midis të cilëve Vecernje Novosti i datës 1 nëntor 2016) Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë formuluar një seri kërkesash të papranueshme për Beogradin: prishje me Moskën, njohje të Kosovës, ridimensionim të mbështetjes ndaj serbëve të Bosnjes dhe atyre të Kosovës. Këto kërkesa pasqyrojnë politika afatgjata dhe megjithëse janë për t’ju verifikuar modalitete dhe afate, ka të ngjarë që në Bruksel dhe në Berlin t’ua presin përmbushjen, përpara se të lejojnë hyrjen e Serbisë në Bashkimin Europian.
Politika të tilla zbulojnë edhe një kontrast të fortë me interesat serbe; në thelb kanë qenë pikërisht politikat e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian ato që kanë shtyrë Beogradin drejt Moskës. Mjafton të përmenden bombardimet e NATO-s më 1999, mbështetja ndaj indipendentizmit malazez dhe shkëputjes shqiptare në Kosovë, me kundërshtim relativ ndaj shkëputjes reflektuese të komuniteteve serbe të Kosovës Veriore. Kush mendonte se, pasi të kishte bërë ndonjë protestë formale, Serbia do t’i përmbahej lehtësisht lënies së Kosovës, ndoshta në shkëmbim të një rrugëtimi të shkurtuar drejt BE-së, në fakt duhet të rimendohet.
Përkundrazi, mund të konsiderohet se patronazhi i ofruar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian shkëputjes së Kosovës ka përcaktuar fundin e një korrenti politiko–kulturor serb, të atij korrenti nacionalist dhe properëndimor, që kishte menduar se konflikti me SHBA-të dhe BE-në i detyrohej personit të Millosheviçit dhe se, me largimin e kësaj pengese, qëndrimi perëndimor ndaj Beogradit do të ndryshonte. Në disa aspekte ku është morali që mund të lexohet në parabolën politike të Koshtunicës, i ngjitur në pushtet me mbështetjen e SHBA-ve dhe BE-së, për t’u bërë më pas një ndër kritikët më të ashpër të punës së tyre. E përderisa Koshtunica tashmë ka dalë prej skene, është gjithsesi domethënëse që Partia Demokratike serbe e tij, që më parë ishte ngurtësisht e kapur pas ruajtjes së neutralitetit në politikën ndërkombëtare, ka kryer një kthesë të fortë në sensin prorus.
Për Kosovën dhe çështje të tjera, Moska është rreshtuar me Beogradin. Jo gjithmonë mbështetja ruse ka pasur pasoja praktike, por ajo shpjegon simpatitë që gëzon Rusia në opinionin publik serb. Nëse do të ishte e pavend t’i atribuoje një faktori të tillë një rol mbizotërues në përkufizimin e politikës serbe, është megjithatë e vërtetë se ai dekurajon çdo qeveritar serb nga të rreshtuarit hapur kundër Moskës, për diskreditimin që do t’i shkaktonte në atdhe.
Në çdo rast, pavarësisht nga sa kanë frikë disa dhe sa shpresojnë disa të tjerë, Serbia nuk po ua kthen krahët Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian. Marrëdhëniet politike dhe ekonomike me Moskën nuk janë aspak në dëm të atyre me Brukselin. Përkundrazi, vendet e Bashkimit Europian përfaqësojnë në tërësinë e tyre partnerin ekonomik më të rëndësishëm të Serbisë. Duke zhvilluar marrëdhënie dhe zona të tregtisë së lirë si me Bashkimin Europian, ashtu edhe me atë euraziatik, Serbia thjesht kultivon interesat e saj. Kësaj i shtohen interesat ekonomike në rritje me Kinën. Kjo politikë multipolare i mundëson veç të tjerash Beogradit që të tërheqë investime të kryqëzuara, investitorë rusë e kinezë që synojnë ta përdorin Serbinë si pikë hyrëse në tregun europian dhe investitorë të Bashkimit Europian, që duke prodhuar në Serbi mund ta favorizojnë hyrjen e saj në tregun euraziatik.
Një diskutim i ngjashëm vlen për dimensionin politik të raporteve me Moskën. Beogradi vazhdon negociatat e aderimit në Bashkimin Europian dhe nuk ka shprehur asnjë synim për të kryer një zgjedhje kampi përfundimtar në kuptimin prorus. I intervistuar nga një gazetë ruse pak muaj më parë, Presidenti Nikoliç ngutet të saktësojë se në Serbi ka më shumë rusofilë sesa eurofanatikë, por që prej pozicionit gjeografik, interesave politike dhe ekonomike, është e pamundur për Beogradin që të mos kërkojë një martesë me Brukselin. Ndoshta do të ishte një martesë pa dashuri, por e njëjta gjë mund të thuhet për vende të ndryshme tashmë anëtare të BE-së. Veç kësaj, për sa Beogradi e përjashton që të hyjë e të bëhet pjesë e NATO-s, mban më shumë marrëdhënie ushtarake me Aleancën Atlantike nga sa nuk mban me Rusinë, siç e tregon ratifikimi në muajin shkurt i Individual Partnership Action Plan.
Më shumë se një alternativë ndaj Bashkimit Europian, Rusia është për Serbinë një levë. Nga raportet me Moskën, Beogradi pret një forcim të rolit rajonal të tij dhe një riekuilibrim të pozicionit të tij kontraktor me Bashkimin Europian. Mund të dyshohet se Beogradi mund të vazhdojë me kohë të papërcaktuar të luajë me dy porta, por nuk ka dyshim se deri kur kjo rrugë do të jetë e përshkueshme, është ajo që u përshtatet më mirë interesave serbe. Nëse pastaj zgjedhja e Trump si President i Shteteve të Bashkuara do ta ashpërsonte politikën e konfrontimit me Rusinë të bërë deri më tani nga Uashingtoni, detyra për Beogradin do të rezultojë e thjeshtuar.
Përgatiti:
ARMIN TIRANA