“Rruga e vdekjes”, qytetarët në Kukës protestojnë për sigurinë rrugore

Dhjetëra qytetarë në Kukës kanë protestuar për sigurinë rrugore në zonat e tyre të banimit. Aksidentet vdekjeprurëse janë shtuar shumë dhe qytetarët kërkojnë trotuare dhe ndriçim.

Disa qytetarë kanë protestuar mëngjesin e kësaj të shtune në Kukës për shkak të sigurisë në rrugët e qytetit me qëllim marrjen e masave për shmangien e aksidenteve. Shkak për protestën janë bërë disa aksidente fatale ndërsa së fundmi një 51 vjeçar humbi jetën pasi u godit nga një automjet në rrugën hyrëse të qytetit që lidh Kukësin me segmentin Kukës-Morinë, të rrugës së kombit.

Pranë vendit ku humbi jetën 51-vjeçari një nga zonat me fluks të lartë të lëvizjes së automjeteve dhe bizneseve, ku drejtuesit abuzojnë edhe me shpejtësinë u mblodhën dhjetëra protestues të cilët për disa minuta bllokuan rrugën në shenjë senzibilizimi dhe paralajmërimi për përshkallëzim të protestës të shtunën e javës tjetër nëse nuk merren masa për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore. Protestuesit thanë se situata është bërë shqetësuese dhe apeluan shtetin që të ndërhyjë.

51-vjeçari mëngjesin e së premte po udhëtonte në këtë rrugë me çiklomotor kur është përplasur nga një automjet. Për pasojë ka mbetur i vdekur drejtuesi i çiklomotorit. Policia ka vënë në pranga drejtuesin 20-vjeçar të automjetit. (A2 Televizion)

Artikulli paraprakKoha nuk u ka dhënë të drejtë për asgjë deri tani
Artikulli tjetërShuplaka e fortë e SHBA-ve për Ramën dhe Berishën!