Rruga Elbasan-Qafë Thanë rrezikon lumin Shkumbin

Autor: Arlis Alikaj

Ndërtimi i rrugës Elbasan-Qafë Thanë po shoqërohet me pasoja mjedisore prej ndërhyrjeve në shtratin e lumit Shkumbin, çka ka ngjallur shqetësim mes banorëve dhe aktivistëve lokalë.

Në njësi administrative si Labinot-Fushë apo Xibrakë degëzime të lumit janë spostuar për t’i hapur vend zgjerimit të trasesë së rrugës. Në periudha të ndryshme kompanitë e kontraktuara për punimet kanë zhvendosur rërë dhe zhavorr, kanë turbulluar rrjedhën, gërryer toka bujqësore dhe ndryshuar gjendjen e sedimenteve të lumit.

Kjo dinamikë ka prekur më së shumti biodiversitetin e jetës në lumë dhe peshkimin.

Shkumbini buron nga mali i Valamarës – mes Korçës, Gramshit dhe Pogradecit – dhe përshkon 181 kilometra mes tre qarqeve dhe gjashtë qyteteve përpara se të derdhet në Adriatik. Ai konsiderohet një lum i rëndësishëm për kulturën, bujqësinë dhe turizmin.

Ilustrim i shtrirjes së lumit Shkumbin/Citizens.al.

Investime pa kujdes për mjedisin

Aktivistë dhe gazetarë lokalë kanë dokumentuar aktivitetin shqetësues të kompanive të kontraktuara për punimet e rrugës Elbasan-Qafë Thanë në shtratin e Shkumbinit. Ekskavatorë dhe kamionë u fotografuan në tetor duke marrë zhavorr dhe gurë nga lumi.

Pamjet nga terreni treguan se ndërhyrjet janë kryer me mjete të rënda, pa ndonjë masë mbrojtëse mjedisore apo tabelë informuese.

Kjo vërtetoi pretendimet e vazhdueshme për dëme në mjedis nga aktivistët e “Nismës për mbrojtjen e lumit Shkumbin”, pasi ndërhyrjet në rrjedhë dëmtojnë cilësinë e ujërave, stabilitetin hidrologjik dhe diversitetin biologjik të rrjedhës.

Ndërhyrjet në lum/Facebook, Nisma Mbro Lumin Shkumbin nga ndotjet, Librazhd.

Rruga Elbasan-Qafë Thanë, pjesë e “Korridorit VIII”, është pjesë e një projekti të konsideruar i rëndësisë së veçantë nga qeveria, pasi lidh portin e Durrësit me Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë.

“Kërkuam të binin kambanat e alarmit në lidhje me rrezikun që po shkakton ndërtimi i rrugës, atë të shkatërrimit të rrjedhës natyrore të lumit,” tha Matilda Alliu nga “Nisma për mbrojtjen e lumit Shkumbin”.

Shqetësimit të aktivistëve i bashkohet zëri i ekspertëve mjedisorë si Ahmet Mehmeti, të cilët thonë se krahas ndërhyrjeve për ngritjen e hidrocentraleve, devijimi i rrjedhës së lumit është “alarmant” dhe “një krim ndaj natyrës”.

Mehmeti shprehet se, bazuar edhe në vëzhgimet që janë bërë, tokat që mbajnë gjallë jetën e fshatarësisë janë dëmtuar nga punimet e rrugës.

Ndërhyrjet në lum/Facebook, Nisma Mbro Lumin Shkumbin nga ndotjet, Librazhd.

“Brigjet e lumit Shkumbin janë dëmtuar dhe gërryer. Në ndërtimin e veprave madhore, siç janë këto superstrada, gjithmonë do ketë probleme. Por këtu hyn faktori njeri dhe projekti i merr parasysh gjithmonë këto probleme”, thotë ai më tej.

Për ekspertin Mehmeti, shkeljet e rregullave për ndërtimin e mureve mbajtëse dhe dëmtimi i rrjedhës rrisin rrezikun e erozionit dhe shembjes së tokës.

“Është thelbësore që ligjet ndërkombëtare për mbrojtjen e lumenjve të aplikohen dhe të respektohen për lumin Shkumbin, për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm dhe mbrojtjen e interesave të komunitetit”, përfundon ai.

Luljeta Bylykbashi, përfaqësuese e Qendrës Mjedisore për Studime dhe Zbatime, shpreh shqetësim për situatën mjedisore, sidomos në zonën e Librazhdit, teksa biologia Marilda Osmani, pedagoge në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” apelon për një menaxhim më të përgjegjshëm.

Ndërhyrjet në lum/Facebook, Nisma Mbro Lumin Shkumbin nga ndotjet, Librazhd.

Bylykbashi thotë se kompanitë e kontraktuara për punimet kanë shkelur standardet mjedisore duke ndikuar negativisht te gjendja e lumit. Sipas saj përtej ndërhyrjeve që po kryhen për rrugën nevojitet që për zonën ku kalon Shkumbini të vendoset një normë e atillë zhvillimi që ta stimulojë turizmin dhe ndërtimin miqësor me natyrën.

“Turizmi ka potencial të madh këtu, por nuk mund të realizohet pa një lumë të pastër,” thotë ajo.

Lumi Shkumbin është një arterie ujore me rëndësi historike, kulturore dhe ekologjike për Shqipërinë. Por ndërhyrjet inxhinierike nuk janë të vetmet që nuk po shoqërohen me respektim të standardeve mjedisore.

Në zonat e urbanizuara rreth Shkumbinit nuk ka impiante të trajtimit të ujërave të zeza. Industria, sipërmarrjet dhe restorantet shkarkojnë mbetje dhe ujëra direkt në lumë, njësoj si fshatrat e zonës që hedhin mbetjet bujqësore.

Ndërhyrjet në lum/Facebook, Nisma Mbro Lumin Shkumbin nga ndotjet, Librazhd.

“Lumi vazhdon të ndotet në mënyrën më të keqe dhe nëse Këshilli i Basenit Ujor të Lumit Shkumbin nuk merr masa drastike dhe të vërë para përgjegjësisë ata që paguhen për të mbrojtur e monitoruar lumin, vihet në pikëpyetje roli dhe efektiviteti i këtij këshilli”, përfundon Ahmeti.

Citizens iu drejtua me kërkesa për komente Bashkisë Librazhd, për të kuptuar se çfarë qëndrimi ka nga ky institucion në lidhje me gjendjen e lumit përgjatë zonave që ajo mbulon. Mirëpo nuk mori përgjigje deri në botimin e këtij shkrimi.

Nëse situata vijon me këtë prirje përkeqësuese vendi rrezikon të humbasë jo vetëm një pasuri natyrore, por edhe besimin e komunitetit në projekte të mëdha infrastrukturore.

Ndërhyrjet në lum/Facebook, Nisma Mbro Lumin Shkumbin nga ndotjet, Librazhd.
Citizens.al
Artikulli paraprak“Një biznesmeni iu gjetën mbi 200 mijë euro”- Kontrollet me urdhër të SPAK në Elbasan, gazetarja Klodiana Lala: U sekuestrua telefoni i një zyrtari të bashkisë, dyshime se bleu vota për kandidatin e PS
Artikulli tjetërApeli lë në qeli ish-deputetin e PS-së, ja deri kur ka kohë SPAK-u për të hetuar Jurgis Çyrbjan dhe grupin e tij