Nga Edison Ypi
Te Rruga ime fjala më e sikletshme është “puna”. Zbavitja më e këndëshme është Fejsbuku. Filmi më i bukur telenovela. Muzika më e pëlqyer sirena e makinës së policisë që vjen për të arrestuar komshiun. Vera më dehëse vjedhja. Rakia më e mrekullueshme hilja. Pija më freskuese vrasja.
Te Rruga ime ai që pret të vritet sa më vonë prej dikujt, bën çmos të vrasi sa më herët një të tretë.
Për 99 nga 100 banorë të Rrugës time Romani nuk ekziston, Novela ka ikur në drejtim të paditur, “Tregim” quhet çdo thurje e përçartun fjalësh.
Te Rruga ime, ku kafenetë zhurmojnë nga muhabetet për gjeopolitikë botërore, askush nuk ankohet se mallrave nëpër disa dyqane nuk u vënë çmime.
Te Rruga ime mosmarrja e kuponit tatimor quhet veprim heroik kundër qeverisë së keqe.
Te Rruga ime gumëzhijnë nostalgjikët e dëshpëruar; Për jetën e sotme monotone të palezetshme pa atentate nëpër rrugica, pa mbledhje të fshehta, pa vrasje pas shpine, pa arsye për të ngjitur trakte mbi mure.
Për popullin e Rrugës time, kapitalizmi dhe pluralizmi nuk sjellin Liri, begati, prosperitetet, por papunësi, emigracion, mungesë Rendi, korrupsion, hajdutllëk, krim, farmacira, somniferë, pilula, tableta.
Banorët e Rrugës time nuk i hedhin asnjë qindarkë violinistit fukara që luan seriozisht Erik Satie rrëzë trotuarit, por vetëm lypsarëve pisanjosë që s’dinë të bëjnë asgjë veç të shtrijnë dorën.
Brenda dyqaneve te Rruga ime nuk ka blerësa. Ka shitse kokulur mbi celular duke bërë selfie ose duke i rënë pash’ m’pash’ Fejsbukut me emër dhe pamje të ndryshuar.
Te Rruga ime ka gjithfar femrash; Të kollajta, të vështira, qeflie, nazelie, llapaqene, interesaxhie, të squta, budallaqe, delirante, të nxehta, të ftohta, të vakta, por nuk ka asnjë femër “che non ti rompe i coglioni”.
Te Rruga ime ka jo pak obezë, kardiopatë, endokrinopatë, edhe nën 30 vjeç.
Qindra grafomanë delirantë popullojnë Rrugën time.
Kafenetë te Rruga ime janë plot me ish-spiuna të qeshur e të ngrefosur që u kanë nxirë jetën kushedi sa njerëzve normalë.
Rruga ime ka me dhjetra zgëqe ku mbrëmjeve mblidhen të rinj të lodhur që tymosin hashash.
Rruga ime ka pa numërim bij që duan të vrasin babain, nipa që ëndërrojnë të helmojnë xhaxhain, kunata që duan ti mbytin kunatat në gropën e gëlqeres, nuse që ëndërrojnë t’ua rrjepin lëkurën vjehrrave, vjehrra që duan tua presin fytin nuseve.
Te Rruga ime ka qindra të rinj që duan të ikin në Gjermani për të vetmen arësye sepse janë biondë. Qindra të tjerë në Turqi sepse u duket vetja të talentuar për aktor telenovele. Pa numurim të tjerë në Itali ku, sipas tyre, vidhet kollaj.
Rruga ime, plot me hajdutë, vrasës, militantë politikë, evazorë fiskalë, budallenj, delirantë, me problematika sa për dhjetë milionë njerëz, ka vetëm tre mijë banorë, që nguten të vdesin, megjithse kurrë nuk kanë lindur.