Rrugaç, Pollo i përmend Habilajt, Bushati ikën nga Komisioni i Integrimit

Debati për drogën dhe lidhjet e qeverisë me krimin e organizuar ka tensionuar situatën në Komisionin e Integrimit. Përmendja e emrit të Habilajve të arrestuar në Itali ka bërë që ministri i Europës të largohet nga salla e Komisionit të Integrimit, ndërsa Pollo e ka konsideruar rrugaç.

Ditmir Bushati: Kaq shumë e keni përmendur krimin e organizuar, kanabisin sa që kam frikë se do vij Hollivudi për të bërë një film për mafian shqiptare…
Genc Pollo: Po kushëriri famshëm, Moisi Habilaj duhet të ketë një rol në këtë film që do xhirohet??
Ditmir Bushati: Agjentë të specializuar do vijnë në Shqipëri për të kontribuar për fazën e re të luftës ndaj krimit të organizuar..
Ditmir Bushati: Komisioni drejtohej më mirë nga Majlinda Bregu. Ti nuk je simboli i ndershmërisë këtu.
Genc Pollo: Lëri këto komente prej rrugaçi.
Ditmir Bushati: Më nderon shumë kur ma thua emrin dhe mbiemrin që kam. Nuk lejoj as ty, as Saliun tënd të më thonë mua rrugaç. Unë nuk e vazhdoj këtë mbledhje pa kërkuar falje. Mua nuk më fyen dot. Kafen, drekën dhe darkën, di unë se me kë e ha. Mua këtu më trajton vetëm si ministër të Jashtëm. Për sa kohë nuk e ke kriterin elementar të edukatës nuk mund ta vazhdoj këtë seancë. Mos u ndje i provokuar nga ajo që unë thashë për Bregun, me të cilën unë kam pasur debate shumë të ashpra, por nuk e kemi kaluar kurrë cakun.
Genc Pollo: Në mënyrë të paprecendentë në eksperiëncën time parlamentare… Ka mundësi të mbyllësh gojën dhe mikrofonin.
Ditmir Bushati: Kërko ndjesë të madhe për ndotjen që shkaktove.
Genc Pollo: Që të mos kemi nevojë për shërbimet e Gardës.
Ditmir Bushati: Po lëri shërbimet e Gardës. Salliun kuq nuk e bën dot me mua. Erdha këtu për t’i dhënë përgjigje secilit prej jush. Por fjalor rrugaç, vagabond që u përdor këtu dhe nuk e pranoj dot. Kjo i shkon vetëm Saliut. Salikuq unë nuk kam njohur, po shoh sot. Nëse nuk kërkon ndjesë për fjalorin, unë nuk jam i gatshëm për ta vazhduar më këtë mbledhje.

Masë disiplinore ndaj Bushatit

Deputetët e PD dhe LSI në Komisionin e Integrimit do të kërkojnë masë disiplinore ndaj ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati. Përmes një reagimi pas debatit mes Bushatit dhe Pollos që shkoi deri në fyerje personale, anëtarët e opozitës në Komisionin e Integrimit Europian thonë se janë “të skandalizuar nga sjellja dhe gjuha rrugaçërore e zotit Ditmir Bushati, ministër për EPJ gjatë dëgjesës së tij para Komisionit, sot, e martë, 17 tetor 2017”. Sipas tyre, pas një fjalimi tërësisht të politizuar dhe në mënyrë të paprovokuar, Bushati në mungesë të argumenteve dhe si pasojë e dështimit të axhendës integruese, në mbrojtje të vetvetes zgjodhi të ofendojë personalisht kryetarin e komisionit, Genc Pollo dhe vijoi të përgojonte dhe deputetë të tjerë të opozitës. “Ne, anëtarët e Komisionit të Integrimit Europian, të skandalizuar nga sjellja dhe gjuha rrugaçërore e zotit Ditmir Bushati, ministër për EPJ gjatë dëgjesës së tij para Komisionit, sot, e martë, 17 tetor 2017, shprehemi si më poshtë vijon: Pas një fjalimi tërësisht të politizuar dhe në mënyrë të paprovokuar, Bushati në mungesë të argumenteve dhe si pasojë e dështimit të axhendës integruese, në mbrojtje të vetvetes zgjodhi të ofendojë personalisht kryetarin e komisionit, z.Genc Pollo, dhe vijoi të përgojonte dhe deputetë të tjerë të opozitës. Ne, anëtarët e Komisionit për Integrimin Europian, e dënojmë këtë akt jo vetëm si shprehje të sjelljes personale, por edhe institucionale të Ditmir Bushatit. Ky akt është i papranueshëm dhe i dënueshëm. Ne, anëtarët e Komisionit refuzojmë të pranojmë nga Bushati apo çdo person tjetër i thirrur në dëgjesë, përfshi dhe anëtarët e qeverisë një sjellje të tillë, e cila nuk do të tolerohet më në Komisionin tonë. Ne do ndjekim procedurat e Rregullores së Kuvendit që të merret masë disiplinore ndaj deputetit Bushati. Deputetët: Kejdi Mehmetaj, Aldo Bumçi, Grida Duma, Vangjel Dule, Jorida Tabaku, Viktor Tushaj, Genc Pollo”, thuhet në deklaratë.

Exit mobile version