Rrugët e florinjta të Ramës, shpenzimet stratosferike dhe piramidat e reja financiare

Një i ashtuquajtur super projekt, për ndërtimin e rrugëve, ka shpërthyer sot, në kokën dhe në mediat virtuale të Edi Ramës.
Ky projekt në dukje gjigand, ngjan si dy pika ujë me PPP-të dhe koncesionet proverbiale, prej të cilave Edi Rama do të mbahet mend gjatë.THUMANE
Ky zëvendësim, bëhet jo vetëm për të rrëmbyer paratë publike, por duket edhe për të thithur nga bankat, një borxh të fshehtë mbi një miliardë euro.
Le ti shohim një pjesë të këtyre projekteve më konkretisht.
Rruga Thumanë – Kashar
Kjo rrugë është e gjatë 21 kilometra. Ajo i është dhënë me koncesion firmës Gener 2. Është rrugë fushore dhe ka një kosto të frikshme, plot 337 milionë euro. Në dokumentat e tenderit rezulton se qeveria do të dalë garant, për kredinë që do të marrë firma ndërtuese Gener 2. Specialistët nënvizojnë se, ky është një korridor rrugor, por jo një prioritet kombëtar. Kosto e saj, 16.85 milionë euro për kilometër, është jashtë cdo norme ndërtimore, duke e krahasuar edhe me rrugët më malore të rajonit.

Rruga Orikum – Dukat
Koncesioni për rindërtimin e kësaj rruge, që është thjesht një zgjerim, është fituar nga kompania “Gjikuria”, me ofertë të pakërkuar. Kësaj kompanie në mënyrë të çuditshme, qeveria, i akordon kontratat më të majme dhe më të dyshimta. Konkretisht, rruga Orikum – Dukat, është 16 kilometra dhe do t’i kushtojë buxhetit të shtetit plot 50.5 milionë euro. Ekpertët mendojnë se çmimi i këtij koncesioni është i dhjetëfishuar.
Rruga Kashar – Rrogozhinë
Është e gjatë 44 kilometra dhe do të kushtojë 15.2 milionë euro për kilometër, pra 670 milionë euro në total. Kjo rrugë me këtë shifër të çmendur është në proces konkludimi. Nuk dihet saktësisht forma e financimit, por mendohet se ajo do të jetë me koncesion dhe kredia me garanci nga shteti.
Rruga e Arbrit, Tiranë-Qafë Bllatë
Ështe 72 kilometra e gjatë. Kostoja e kësaj rruge do të jetë 250 milionë euro. Ëshë një koncesion i fituar nga firma “Gjoka”, e cila do të investonte 250 milionë euro nga buxheti i saj, por pak javë më pas, qeveria ka akorduar plot 4 milionë euro të tjera për shërbime konsulence.
Kjo rrugë ka disa segmente. Pjesa më e madhe e saj ka përfunduar vite më parë. Segmenti Tiranë – Ura e Brarit, ka qenë i përfunduar. Segmentet në Bulqizë – Maqellarë – Kufi Qafë Bllatë, janë thjesht rikonstruksion. Koncesioni ka shumë anë të errëta dhe të paqarta.

Bypassi i Fierit dhe i Vlorës
Deri më tani janë bërë vetëm 10% e punimeve dhe të dyja bashkë kushtojnë 60 milionë euro. Megjithatë, këto dy bypasse, sa i përket çmimeve, janë si nata me ditën me çmimet e rrugëve të lartpërmendura. Lë të marrim si shembull bypassin e Vlorës. Kjo është një rrugë 29 kilometra e gjatë. Është rrugë malore dhe kushton 35 milionë euro. Ndërsa, rruga Thumanë – Kashar, është 21 kilometra dhe është një rrugë fushore, por kushton plot 337 milionë euro. Kjo rrugë, me parametrat e tenderave të BERZH-it, përfshirë këtu edhe veprat e artit, duhet të kushtonte vetëm 3 milionë euro për kilometër. Çuditërisht ajo kushton 5 herë më shumë.
Rruga Tiranë – Elbasan
Është e gjatë 30 kilometra dhe kushton 450 milionë dollarë, pra rreth 13.3 milionë dollarë për kilometër.
Tuneli i kësaj rruge, ka filluar në kohën e qeverisjes së Sali Berishës, i cili në atë kohë e konsideronte atë si një hambar votash. E projektuar dhe e ndërtuar nxitimthi, kjo rrugë ha çdo ditë vetëm para, për shkak të rrëshqitjeve të herë pas hershme. Punimet e kësaj rruge filluan në vitin 2011 me kompaninë greke “Aktor”, me një vlerë prej 312.5 milionë dollarësh. Deri në ditët e sotme, siç e theksuam, kostoja e kësaj rruge, ka shkuar në 450 milionë dollarë dhe nuk dihet a do të përfundojë ndonjëherë. Ajo që dihet saktësisht, është që ish drejtorët e ARRSH-së, të Berishës apo Ilir Metës, herë pas here hyjnë dhe dalin nga burgu. Ky proces nuk ka filluar ende me drejtorët e Edi Ramës.
Rruga Çorovodë – Përmet
Është e gjatë rreth 40 kilometra. Ky projekt, u prezantua në prill të vitit 2016. Punimet u inaguruan na Maj 2017. Siç ndodh rëndom në Shqipëri, disa copa janë ndërtuar më parë. Projekti është i kushtetueshëm dhe i vështirë.Rruga ka filluar të ndërtohet vite më parë nga firma “Salillari”, për një Lot me vlerë 10 milionë euro. Por, pa përfunduar, ARRSH i ka dhënë firmës edhe 2 milionë euro.

Bypassi i Shkodrës
Ky projekt ka filluar para 7 vitesh me një fond 1.9 miliardë lek. Deri sot, punimet vetëm janë shtyrë. Së fundmi, ARRSH i ka dhënë firmës edhe 2.5 milionë euro shtesë.
Rruga Lin – Pogradec.
Ndërtimi i saj ka filluar shumë vite më parë. Pak muaj më parë firma, “Pevlaku”, ka fituar sërish një tender me vlerë rreth 1.3 milionë euro. Kjo është një rrugë që duket sikur nuk to të mbarojë kurrë.
Këto janë në vija të përgjithshme, deri sot, rrugët e florinjta të Edi Ramës.
Të bën përshtypje fakti, që në këto projekte, Edi Rama ka prirjen të thërrasë njerëzit që kanë punuar me Berishën dikur , në tentativë për të bërë edhe opozitën të heshtë.
Edhe më shumë përshtypje të bën fakti, që në këto kontrata, siç është rasti i Rrugës Thumanë – Kashar, qeveria do të japë deri në përfundimin e veprës, 20% të vlerës. Ky fakt të bën të mendosh, që kompanitë do ti ndërtojnë rrugët me paratë e shtetit dhe këtu lind pyetja: ku do të shkojnë paratë e këtyre super kostove të shpallura deri më sot?
Kjo praktikë e Edi Ramës, është kritikuar vazhdimisht nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, si mekanizëm për rritjen e borxhit publik.
Nënvizojmë, se eksperiencat e Berishës me Rrugën e Kombit, apo atë të Elbasanit, Edi Rama i ka shumëfishuar, me skema thuajse piramidale, të njëjta me ato të PPP-ve dhe kosto stratosferike që do ta çojnë këtë vend, pashmangshmërisht drejt greminës. Për të gjitha këto, në mos sot, nesër, Edi Rama do duhet të pergjigjet./Tpz

Exit mobile version