Ndërtimi i disa rrugëve në vend ka nisur që në vitin 2011, por 6 vite nuk kanë mjaftuar për t’i finalizuar. Taksat e qytetarëve shqiptarë nuk janë përkthyer në rrugë të përfunduara dhe të asfaltuara. Të tilla janë projektet e shumë përmendura në infrastrukturë, si legjenda, autostrada Tiranë-Elbasan, Rruga e “Arbrit”, Segmenti Korçë-Ersekë, By Pass-i Fier, Lin-Pogradec, ndërtimi i urave në Rrugën e “Kombit”, By Pass – i Shkodër, Nyja e Milotit etj.
Për rrugën Tiranë-Elbasan, që bëhet fjalë për segmentin nga rrethrrotullimi i Qendrës Tregtare TEG deri në hyrje të tunelit Elbasan, afati i përfundimit të punimeve është shtyrë disa herë. Edhe pse punimet kanë nisur që në vitin 2012, ato nuk kanë përfunduar ende, madje së fundmi përfundimi i punimeve është shtyrë sërish për në qershorin e 2017.
Aksi Korçë-Ersekë, ka nisur të ndërtohet që në vitin 2013 dhe duhej të kishte përfunduar në ëershor të 2015. Ende nuk është bërë segmenti nga Kamenica deri në Qafën e Qarrit dhe nuk dihet kur përfundojnë.
Lin-Pogradec, ende ka pjesë të pa asfaltuar në dalje të qytetit të Pogradecit. Punimet për këtë rrugë nisën në vitin 2011 dhe duhej të kishin përfunduar në vitin 2013. Punimet nuk janë finalizuar as në By Pass -in Fier, ku punimet e nisura në 2013-ën ishin parashikuar të mbylleshin në 2015-ën. Ende punohet në segmentin nga Mbrostari në Levan.
Asnjë shenjë punimesh nuk shihet për ndërtimin e urave në Rrugën e “Kombit”, By Pass-in perëndimor Shkodër dhe Nyjën e Milotit. Në By Pass-in Shkodër punimet janë pezulluar prej tre vitesh, për mungesë fondesh. Pa përfunduar ka mbetur edhe Rruga e “Arbrit”. Një segment prej 26.7 kilometrash është pa u tenderuar ende.
Shembja në aksin Librazhd-Elbasan, asnjë ndërhyrje
Kur kanë kaluar afro 8 muaj dhe kanë rinisur shirat e radhës, asnjë ndërhyrje nuk është kryer në segmentin rrugor që u shemb në janar të këtij viti, për shkak të reshjeve në aksin rrugor Elbasan – Librazhd, në fshatin Xibrakë.
Nëse reshjet do të jenë me të njëjtin intensitet si vitin e kaluar, ky segment rrezikon të shembet krejtësisht dhe për pasojë qarkullimi në korridorin Lindje–Perëndim do të jetë i pamundur. Prej muajsh, ky segment është një pikë rreziku për drejtuesit e automjeteve. Ata ankohen se asgjë nuk ka ndryshuar për riparimin e dëmeve dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme.
Një gabim i vogël në Xibrakë mund të bëjë që makina të përfundojë në lumin Shkumbin. Aksidentet nuk kanë qenë të pakta. Një i tillë ndodhi në fundjave. Pas përmbytjeve që ndodhën në dimër, ministra e deputetë premtuan për ndërhyrje emergjente, jo vetëm në pjesën e dëmtuar, por shkuan më larg, duke thënë se me anë të një projekti do të rindërtonin komplet aksin, duke devijuar lumin. Por rreziku sa vjen e shtohet me afrimin e dimrit.