Rrugëtimi me ulje-ngritje i Manajt, djaloshi kokëkrisur që ndau dhomën e zhveshjes me Mesin

Emri i tij lidhet me mbretin, por Manaj kurrë nuk e ka pasur kurorën. Thonë që oreksi vjen duke ngrënë dhe sigurisht që pas dopietës të shënuar me Andorrën është futur në listën e sulmuesve me numra dy shifrorë, 10 gola me fanellën e Kombëtares shqiptare.

Tani është vetëm 8 gola larg rekordmenit Erjon Bogdani dhe sigurisht që një nga objektivat e tij mund të jetë vendi i parë në listën e golashënuesve. Shumë kanë provuar, por të gjithë kanë dështuar. Megjithatë (Rey) kërkon kurorën edhe në këtë aspekt. Karriera e tij ka pasur ulje-ngritje të shumta, mes një lojtari me shumë talent dhe këmbëngulës, por edhe një djaloshi kokëkrisur dhe të vështirë në karakter.

E tregon De Biazi në intervistën për “Panorama Sport” një ditë përpara ndeshjes me Anglinë. “Prisja më shumë nga Manaj, por dëmtimet nuk e kanë lënë. Më kujtohet goli i tij me Kosovën pas 15 sekondash lojë. I thashë që të mos bënte shpikje dhe të luante thjesht, por ai më tha:

Do shënoj direkt. Sa për të treguar çfarë karakteri kishte”, tregon De Biazi. Rei Manaj në atë intervistë premtoi se do të shënonte shumë gola me fanellën kuqezi, por aventura nuk ka qenë e lehtë. Djaloshi që u prodhua tek akademia e Kremonezes u transferua tek Interi dhe pati fatin të debutonte me ekipin e parë nën drejtimin e Mançinit. Pastaj shumë huazime në ekipe të ndryshme deri sa një ditë e pa veten (ndoshta jo rastësisht) në të njëjtën dhomë zhveshje me Lionel Mesin.

Manaj u stërvit me Barcelonën, pavarësisht se ishte lojtar i ekipit B. Në një moment edhe u grumbullua, por nuk kishte shansin për të debutuar. Megjithatë, e bëri në miqësore dhe arriti që të shënonte, duke mahnitur tifozët e katalanasve. Por Rei është një karakter i fortë dhe nuk kënaqej me pak. Nga aty preku fundin duke u transferuar te Uotfordi, pa lënë gjurmë dhe dëmtimi që ia prishi ëndrrat.

Por Rei Manaj u transferua në Turqi dhe aty gjeti “parajsën”. Sulmuesi kuqezi arriti që të shënonte 22 gola në sezonin e kaluar në kampionat duke tërhequr vëmendjen e shumë skuadrave të mëdha. Madje meritoi me forcë një fanellë në Europian.

Edhe këtë vit qëndroi në Turqi, por nuk po shkëlqen ashtu si në vitin e kaluar. Madje aty nuk po ia bëjnë të lehtë. Disa javë më parë kërkuan pezullimin e tij për një ndërhyrje të ashpër ndaj kundërshtarit. Dy javë më parë u dëmtua rëndë, por në mendjen e tij ishte vetëm ndeshja e Kombëtares. Kur shkoi në spital pyeti: A do të luaj? Luajti dhe shënoi. Manaj është në kërkim të kurorës dhe podiumit të golashënuesit të Kombëtares shqiptare.

Artikulli paraprakPesë fushat ku Turqia luan rol kyç në çështjet botërore
Artikulli tjetërLufta në Ukrainë/ Konferenca ndërkombëtare që do mbahet në Paris do të përfshijë 31 vende! Pikat për të cilat do diskutohet