Rrugica e vetme e shpresës për Berishën e ka emrin “Edi Rama”

Nga Sidi Hasanaj

Çdo goditje e SPAK ndaj PS, është një shpresë e shuar për Berishën!

Arrestimi i deputetit Jurgis Çyrbja ishte goditja e fundit që SPAK ka lëshuar ndaj kampit të Edi Ramës dhe strukturës së tij kontrollit të pushtetit në Shqipëri.

Jurgis Çyrbja është deputeti i dytë “më i fortë” në vota në Durrës, duke marrë në zgjedhjet e vitit 2021 një shifër prej 6587 vota, ndërkohë që nga ana tjetër Oerd Bylykbashi morri 3750, as gjysmën e votave të tij.

Partia Socialiste në zgjedhjet e 2021 kishte tre deputetë më të votuar në Durrës të cilët bënë të mundur që PS të fitonte rekord prej 8mandate deputetësh:
Lefter Koka, Rrahman Rrahja, Jurgys Çyrbja dhe koordinatorin politik Vangjush Dakon.
Që të katërt janë të arrestuar me urdhër SPAK!
Pasuria dhe rrjeti familjaro-kriminal i të katërve është nën arrest dhe nën hetim.

Por ky është vetëm një fragment i pasqyrimit të punës së SPAK dhe GjKKO:

Janë mbi 575 zyrtarë të lartë nën hetim, 1400 telefona drejtorësh të administratës të sekuestruar, 750 procedime penale, 70 persona të arrestuar për Inceneratorët, 24 kryetarë bashkisë të arrestuar ose të proceduar penalisht dhe 22 deputetë të hetuar, të marrë të pandehur dhe të arrestuar prej SPAK.

Këtij bilanci të paprecedentë, i shtohet dhe goditja që SPAK i ka bërë bandave dhe familjeve mafjoze në Shqipëri. Nga Shkodra, Lezha, Fushëkruja, Nikla, Durrësi, Shijaku, Elbasani, Fieri, dhe Vlora janë goditur bandat më të egra të këtyre 15 viteve të fundit, janë arrestuar kapobanda të frikshëm për pushtetin e tyre kriminal dhe ekonomik.

E gjithë kjo amalgamë keqbërësish me super pushtet politik dhe ekonomik ka qenë tentakulat kryesore të oktapodit me emrin “Rilindje”.

Mirëpo paradoksalisht, më shumë se koka e oktapodit, Edi Rama, është lideri i një subjekti tjetër politik që klith ç’do orë të ditës kundër SPAK dhe GJKKO: Sali Berisha.

Paradoksalisht Sali Berisha dhe ushtria e tij mercenarëve politik edhe pse akuzojnë qeverinë Rama për dosjen e inceneratorove, njëkohësisht sulmojnë me fjalët më të vrazhda dhe banale SPAKun që ka arrestuar mbi 70 zyrtarë të lartë dhe persona për dosjen e Inceneratorëve… që i ka sekuestruar tashmë inceneratorët jofunksional.

Si për çdo dosje tenderash e koncesionesh që SPAK vendos nën akuzë e nën arrest zyrtarë, argumenti i Berishës dhe korit të tij është i njëjti:
“Përse nuk arrestojnë Edi Ramën, ose Veliajn?”

Në fakt përsëri paradoksalisht përgjigjen për këtë pyetje, e ka dhënë vetë Sali Berisha:

Ndaj akuzës drejt tij për dosjen Partizani për korrupsion, Berisha justifikohet se vendimet e qeverisë , edhe pse mbajnë firmën e tij, ato kanë qenë vendime kolegjiale dhe përgjegjes nuk është kryeministri i asaj kohe por këshilli i ministrave dhe drejtoritë përkatëse.

Këto janë dy standartet e Berishës, firmat e tij i justifikon si vendime kolegjiale, firmat e Ramës i konsideron vendime personale.

Përtej justiifikimeve dhe manipulimeve që shpëlajnë mendjet e atyre që e ndjekin nga pas, pyetja e madhe është:
A kërkon vërtetë Sali Berisha, arrestim e Edi Ramës?
A dëshiron vërtet Berisha që edhe Edi Rama të arrestohet edhe pse është ende në detyrë, dhe kjo do shkaktonte një përplasje fatale mes pushtetit të drejtësisë dhe atij legjistativ e ekzekutiv (që përtej çdo gjëje është zgjedhur me vota)?

Përgjigjia është Jo.
Vetëm një naiv mund të mendojë se Sali Berisha kërkon që standarti i ndëshkimit nga SPAK të kalojë përtej nivelit të fuqisë që Berisha gëzon, atij të ish kryeministrit dhe kryetarit të partisë më të madhe opozitare.

Nëse Berishës në arrest shtëpie i bashkohet edhe kryeministri dhe kryetari i PS Edi Rama, çdo shans dhe iluzion që Berisha të shpëtonte nga ndëshkimi do shkatërrohej.

Ai do kuptonte që edhe sikur në një skenar imagjinar, PD do rikthehei në pushtet, përsëri ai dhe familja e tij do përballej me drejtësinë, do ishin në arrest dhe pasuritë e tyre e fituara nga kurrupsioni do sekuestroheshin një nga një.

Arrestimi i Edi Ramës, do ishte goditje fatale për shpresat r Berishës… goditje që në fakt mund ta prekë kryeministrin Edi Rama shumë shpejt duke parë që rrethi i bashkëpunëtorëve të tij të goditur nga drejtësia po ngushtohet çdo ditë!

Atëhetë përse Berisha kërkon me retorikën e tij të ashpër arrestimin e Edi Ramës?

E thjeshtë, sepse duke besuar që nuk ndodh dot përsa kohë ai ka mbrojte prej funksionit si kryeministër, kërkon të shtyjë dy pushtet (drejtësinë dhe ekzekutivin) në konflikt maksimal me njëri tjetrin, duke tentuar të krijojë grusht shteti në vend.
Në këtë skenar, Sali Berisha fiton… fiton lirinë e tij dhe pasurinë e familjes.

Nëse Edi Rama mbrohet nga SPAK me grushte pushteti si “komisioni Xhafa” dhe në një skenar arrin ta zhbëjë SPAK dhe GjKKO, përfituesi më i madh direkt kthehet Sali Berisha i cili lirohet nga prangat e drejtësisë.

A kërkon Berisha me të vërtetë arrestimin e Ramës?!
Jo! Ai po tenton të nxisë përplasje mes pushtetit të drejtësisë dhe atij ekzekutiv, si e vetmja rrugë shpëtimi për lirinë dhe pasurinë e tij, rrugë shpëtimi që e ka emrin “Edi Rama”.

Artikulli paraprakNuk kuptohet ku qëndron “problemi” i PD-së së Berishës me votimin dhe numërimin elektronik
Artikulli tjetërArrestimi i Jurgis Çyrbjas, SPAK njoftim zyrtar: Ja akuzat ndaj ish-deputetit socialist