RSF: Si i përdor Rama shpifjet për të mbuluar skandalet e tij

Organizata ‘Reporters Without Borders’ (RSF), me seli në Paris të Francës dhe BIRN Albania kanë publikuar të dhënat e një investigimi mbi median në vendin tonë, duke e konsideruar mit lirinë e saj. Në investigimin me titull “Media Ownership Monitor Albania” (MOM) konfirmohen akuzat që shumë gazetarë dhe intelektualë bëjnë ndaj kryeministrit Edi Rama, kur shprehen se ai sulmon pa të drejtë gazetarët që i drejtojnë pyetje, por ndërkohë mban lidhje të ngushta me pronarët e mediave. “Siç pasqyrohet në detaje, tregu shqiptar i medias kontrollohet nga një numër i vogël dhe i fuqishëm pronarësh me lidhje të forta politike. Në të njëjtën kohë, një numër i vogël gazetarësh dhe mediash të pavarura përballen shpesh me intimidim dhe abuzime verbale nga politikanët. Gjatë një konferencë në tetor të 2017-ës, kur u përball me pyetje për lidhjet e ministrit të tij të Brendshëm me një bandë të trafikut të drogës, kryeministri Edi Rama sulmoi gazetarët, duke i quajtur “injorantë”, “helm”, “kazan”, “skandalozë”, “sharlatan” dhe “armiq publik”. Retorika e Ramës përmban shpesh denigrimin e mediave. Gjatë viteve të fundit, ai ka preferuar gjithnjë e më shumë komunikimin nëpërmjet mediave sociale, duke shmangur gazetarët.

Disa komentues mendojnë se, “strategjia e abuzimit” që qëndron pas gjuhës së larmishme të përdorur nga Rama kundër mediave, synon të largojë vëmendjen e publikut nga skandalet, duke ofruar një spektakël televiziv të gatshëm. Të tjerë e shohin si një përpjekje për të delegjitimuar gazetarët dhe mediat kritike dhe të pavarura që nuk kontrollohen nga oligarkët, politikanët dhe miqtë e tyre”, thuhet në artikull. RSF denoncon edhe Autoritetin e Mediave Audiovizive si një institucion të kontrolluar nga politikanët dhe korporatat e mëdha. Në investigim konfirmohet fakti se shumë gazetarë detyrohen të vetëcensurohen për shkak të interesave politike dhe ekonomike që kanë pronarët e tyre. 80% e gazetarëve në Shqipëri pohojnë se nuk ndihen të sigurt për vendin e tyre të punës. “Tregu i medias në Shqipëri është i kontrolluar nga një grup i vogël pronarësh me lidhje të forta politike”: ky është një ndër përfundimet në të cilat ka arritur një studim i realizuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Investigative në Shqipëri (BIRN Albania) dhe Reporterë Pa Kufij (RSF). Përmes një kërkimi tre mujor, rezultatet e “Monitorit të Pronësisë së Medias në Shqipëri” hedhin dritë mbi tregun e shqiptar të medias, duke publikuar se kush e ka nën pronësi dhe kush e kontrollon median. Monitorimi tregon “nivel shumë të lartë përqendrimi të audiencës në tregun shqiptar të medias”.

Sipas rezultateve “katër pronarët kryesorë në segmentin e televizioneve arrijnë gjysmën e audiencës totale (mes 48.93% dhe 58,60%. Tre pronarë kanë pesë licenca transmetimi dixhital, nga të cilat njëri ka marrë tre. Në radio, përqendrimi i audiencës është edhe më i lartë, ku katër pronarë kontrollojnë pothuajse dy të tretat (63.69%) e audiencës. Një nivel mesatar përqendrimi mund të dallohet vetëm te shtypi, ku katër pronarët kryesorë kanë një lexueshmëri të kombinuar prej 43.29%”. Ndërsa matjet edhe të pronësisë ndërsektoriale të medias, TV, shtyp, radio dhe online, “zbuluan se të tetë pronarët kryesorë arrijnë një audiencë që varion nga 72,1% deri në 80.1%”. Sa i përket “përqendrimit në treg”, studimi nënvizon se “tregu shqiptar i medias është i vogël dhe i mbisaturuar, duke krijuar presione të ashpra ekonomike” Nga analiza 12 të përditshmeve kombëtare “u identifikua një pronar që kontrollon 54% të tregut. Të katër botuesit kryesorë në vend kontrollojnë bashkërisht 86.5% të tregut të shtypit. Pavarësisht se numri i lartë i mediave sugjeron një varietet sasior oferte, të dhënat financiare tregojnë se, pjesa e luanit në të ardhura është e përqendruar në pak grupe mediatike nën pronësi familjare.

Përqendrimi brenda tregut të transmetimeve televizive pa pagesë te katër pronarët më të mëdhenj është 89.6% – ku dy më të mëdhenjtë më vete kontrollojnë më shumë se dy të tretat e tregut (71.7% të të ardhurave) – dhe rritet në 94% në rast se përfshihen edhe rrjetet e transmetimit dixhital si dhe transmetuesi publik”. Sipas studimit “masat rregullatore mbrojtëse mungojnë. Megjithëse tregu i medias audiovizuale është i rregulluar me ligj, shumica e ekspertëve të medias e perceptojnë organin rregullator, Autoritetin e Medias Audiovizuale, si nën ndikim të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të aktorëve politikë dhe korporativë”. Rezultatet e kërkimit, bazuar në metodologjinë e ndjekur, arrijnë në përfundimin se “kontrolli politik mbi mediat në Shqipëri vlerësohet si i lartë. Audienca e pronarëve me lidhje politike varion nga 65,18% në 75,86%”. Një situatë e tillë sipas studimit ka bërë që, “për shkak të presionit që vjen nga pronarët e medias me interesa politike dhe ekonomike, shumë gazetarë shqiptarë përdorin vetëcensurën. Përveç rrjetit të komplikuar që krijohet rreth interesave të lidhura të pronarëve të medias, klima e medias në Shqipëri është nën presion edhe nga një seri faktorësh të tjerë, përfshirë reklamuesit e mëdhenj korporativ dhe institucionet qeveritare. Gjithsesi, asnjë nga këto faktorë të jashtëm nuk luan një ndikim aq të madh për t’i shtyrë gazetarët drejt vetëcensurës se sa interesat ekonomikë dhe politikë të pronarëve”.

 

Exit mobile version