Rubin Hebaj drejt Domzale në Slloveni

Rubin Hebaj drejt Sllovenisë. Karriera e talentit shkodran do të vazhdojë me NK Domzale, një prej skuadrave më të njohura të këtij vendi. Sulmuesi 18-vjeçar ka mbyllur praktikisht gjithçka rreth transferimit dhe qëndroi disi më i zgjatur në Shqipëri lidhej me angazhimin e tij me përfaqësuesen Shpresa, për miqësoren me Francën dhe për sfidën kualifikuese të Europianit ndaj Estonisë.
Të gjitha detajet e kalimit të Hebajt te NK Domzale janë mbyllur, me lojtarin që ka shfrytëzuar klauzolën në kontratë me Vllazninë, e cila e lejonte të prishte marrëveshjen në rast të transferimit në një ligë europiane. Sulmuesi i bindi përfaqësuesit e klubit slloven në ndeshjen e 16 prillit, ku Vllaznia barazoi 1-1 në “Loro Boriçi” ndaj Partizanit, pikërisht me golin e Hebajt.
Prej asaj sfide, vëzhguesit e NK Domzales dhanë miratimin e tyre për afrimin e Rubin Hebajt me talentin e ri që do t’i bashkohet menjëherë fituesve të Kupës së Sllovenisë gjatë sezonit të kaluar, një sukses që i jep mundësi skuadrës që gjatë edicionit të ri të luajë në turin e parë kualifikues të Europa League.

Artikulli paraprakLamtumirë De Biasi!
Artikulli tjetërPrezantohet Telushi