Rudiger me Chelsea deri në vitin 2022

Antonio Rudiger është zyrtarisht futbollist i Chelseat në Premier League. 24-vjeçari ka nënshkruar një kontratë 5-vjeçare që do ta mbajë të lidhur me klubin londinez deri në verë të vitit 2022. Ish-mbrojtësi i Romës, i cili nën urdhrat e Antonio Contes do të mbajë veshur fanellën me numër 2, u shpreh për faqen e klubit që pret me padurim të takojë shokët e skuadrës dhe se ndihet krenar që është bërë pjesë e Chelseat. Futbollisti i kombëtares gjermane shtoi se ndihet i privilegjuar, pasi jo çdo futbollist e ka fatin për t’iu bashkuar një klubi të madh si Chelsea.
Ndërkohë drejtori Teknik i “Bluve të Londrës”, Michael Emenalo tha se, Rudiger është ende i ri, por me shumë eksperiencë mbi supe si në nivel klubesh ashtu edhe me kombëtaren gjermane. Sipas drejtuesit të Chelseat, blerja e re ka karakteristikat e duhura për ta rritur cilësisht skuadrën në fazën mbrojtëse. I lindur në Berlin, Rudiger u formua si futbollist në akademinë e Dortmundit, para se të transferohej te Stuttgart, ku debutoi në moshën 18-vjeçare kundër Borussias së Moenchengladbahut. Në vitin 2015 u transferua te Roma, fillimisht në formën e huazimit. Me verdhekuqtë është aktivizuar në 56 ndeshje për dy sezone si dhe ka shënuar 2 gola në Serinë A.
Që nga viti 2014 është pjesë e Gjermanisë, teksa mungoi gjatë Euro 2016 për arsye dëmtimi. Gjithsesi gjatë Kupës së Konfederatave rezultoi pika e fortë e skuadrës së Lowe në fazën mbrojtesë, veçanërisht në finalen ndaj Kilit që përfundoi me suksesin minimal të Gjermanisë.
Philipe Coutinho është objektivi i madh i Paris Saint Germain-it në këtë merkato. Edhe pse Liverpooli e konsideron  si pjesë shumë të rëndësishme mesfushorin brazilian, parizienët kanë gati një ofertë prej 80 milionë eurosh për futbollistin. The Reds e vlerësojnë 100 milionë euro kartonin e Coutinhos, megjithatë dëshira e lojtarit mund të jetë përcaktuese dhe nëse oferta prej 80 milionë eurosh e Parisit është konkrete, Liverpooli mund të tundohet dhe mund të nisë bisedimet për transferimin e Coutinhos në Parc Des Princes.
Pas Romelu Lukakut, i cili u zyrtarizua si sulmuesi më i ri i Manchester United, Evertoni mund të shesë një tjetër xhevahir në këtë merkato për një vlerë të konsiderueshme. Bëhet fjalë për mesfushorin me tipare sulmuese Ros Barkley, i cili kërkohet nga Tottenhami, por çmimi prej 57 milionë eurosh që kanë vendosur drejtuesit e klubit nga Liverpooli për kartonin e lojtarit është konsideruar shumë i lartë nga Spurs-at.
Përjashtohet mundësia që Alexis Sanchez dhe Oxalde Chamberlain të lënë Arsenalin për t’u transferuar në klube të tjera të Premier Leagues. Dy futbollistët janë në skadencë kontrate me topçinjtë e Londrës, pasi marrëveshja aktuale u përfundon në vitin 2018-të, por nëse ata do të largohen nga stadiumi Emirates gjatë kësaj vere do ta bëjnë vetëm për t’u transferuar në klube jashtë Anglisë. Sanchez kërkohet nga Manchester City, ndërsa Chamberlain nga Liverpooli, por drejtuesit e Arsenalit nuk dëshirojnë të përforcojnë dy rivalë direktë dhe për asnjë arsye nuk do t’i shesin dy nga lojtarët e tyre më të mirë në Angli.

Exit mobile version