Rumania, një histori suksesi për Shqipërinë

Në futboll ndaj rumunëve, Shqipëria nuk ka ndoshta bilancin më të mirë të mundshëm në historinë e futbollit të saj, por kur kuqezinjve i është nevojitur fitorja gjithmonë kanë ditur ta marrin ndaj kundërshtarëve ballkanas. Vetëm këtë të premte, Shqipëria rrëmbeu një tjetër fitore të rëndësishme ndaj përfaqësueses nga Karpatet, me 19-vjeçarët e Erjon Bogdanit triumfuan 2-0 në finalen e turneut të Romës. Sigurisht, që ndoshta trofeu i fituar në Romë mund të mos ketë vlerën e sukseseve të jashtëzakonshme, por gjithsesi është një pikënisje për një brez që premton, nën drejtimin e një goleadori që ka ditur të “shënojë” dhe nga stoli. Në fakt, po ndaj Rumanisë, Shqipëria ka dhe dy fitoret më të mëdha të historisë së saj, këtë herë në nivelin e kombëtares A.
E para më 1946, në finalen e “Qemal Stafës” për Kupën e Ballkanit, me një gol të Qamil Telitit. Por nëse në atë periudhë, Hosteni me humor do të shkruante se rumunët hapën këmbët e trofeu ra në duart tona, 70 vjet më pas, Shqipëria do të arrinte një tjetër fitore të rëndësishme po ndaj Rumanisë, në fazën finale të një Europiani, ku bum-bum këtë herë do të bënte Armando Sadiku.
Dhe së fundmi dhe suksesi në turneun e Romës, me 19-vjeçarët, që konfirmon pak a shumë se në ndeshje të rëndësishme, pavarësisht bilancit, Rumania ndaj Shqipërisë është jo pak fatsjellëse dhe pse siç thuhet rëndom, fati ndihmon shpesh më të mirin.

Exit mobile version