Rusi-Turqi, një martesë për interes

Henri J. Barkey

Ka qenë një ndryshim dramatik i eventeve. Në nëntor të vitit 2015, kryeministri i atëhershëm, Ahmet Davutoglu dhe presidenti Recep Tayyip Erdogan morën me krenari meritën e urdhërimit të rrëzimit të avionit luftarak rus që kishte shkelur hapësirën ajrore për 17 sekonda. Kundërpërgjigjja e Rusisë në formën e sanksioneve ekonomike erdhi shumë shpejt. Më pas Erdogani u detyrua t’i kërkonte falje Rusisë dhe të sajonte një histori të re ku ia kalonte fajin pilotëve të avionit turk F-16, të cilët rrëzuan avionin rus. Pjesa tjetër e punës iu ngarkua shtypit turk, i cili nisi menjëherë propagandën se pilotët e avionit F-16 i kishin marrë urdhrat nga Fethullah Gulen, kleriku armik i Turqisë, i cili jeton në Pensilvani.
Duhet të jesh shumë naiv ta besosh këtë histori fantazioze dhe pavarësisht se Vladimir Putin mund të akuzohet për shumë gjëra, naiviteti nuk është një prej tyre. Për turqit, e rëndësishme ishte të bindnin audiencën e tyre të brendshme. Po kështu, një vit më pas, kur ambasadori rus në Ankara u vra në transmetim direkt nga një oficer policie, turqit fajësuan edhe një herë armikun e tyre të preferuar. Rusët përsëri ranë dakord me narrativën.
Këto episode janë emblematike dhe shpjegojnë ndryshimin e natyrës së marrëdhënies ruso-turke. I frustruar nga humbja e territorit të opozitës siriane që lufton kundër presidentit Bashar al-Assad dhe duke pasur frikë fuqizimin e kurdëve sirianë, Erdogani filloi të pozicionohej më afër Moskës dhe më larg partnerëve të tij perëndimorë pothuajse një vit pasi Turqia kishte rrëzuar avionin rus.
Turqia është një nga palët negociuese në armëpushimin sirian, së bashku me Rusinë dhe Iranin. Shtetet e Bashkuara, aleati tradicional i Turqisë, janë përjashtuar nga negociatat dhe nga konferenca e lënë pezull në Astana. Duke qenë se Moska dhe Ankaraja kanë qenë në mosmarrëveshje që në fillim të luftës në Siri, pasi mbështesnin secili grupe të kundërta, si arritën deri në këtë pikë? Përgjigjja fshihet më shumë në inatin e Erdoganit kundrejt Shteteve të Bashkuara se sa tek veprimet që mund të ketë bërë Putini.

Kundër Assadit
Mbërritja e Pranverës Arabe në Damaskus e vuri Ankaranë përballë një dileme. Ndryshe nga Egjipti, ku Turqia e mirëpriti rrëzimin e regjimit të Hosni Mubarakut dhe ngritjen e Vëllazërisë Myslimane, në Siri luheshin dhe rrezikoheshin më shumë gjëra. Erdogani kishte investuar shumë në përmirësimin e marrëdhënies me Assadin, pavarësisht bazës së tij alawite. Të dy liderët kishin filluar të afroheshin dhe dy vendet mbanin mbledhje të përbashkëta kabineti. Në fillim, Erdogani u përpoq ta bindte Assadin të implementonte reforma modeste në vend, por u përball me kundërshtim të ashpër nga ana e tij dhe vendosi të dilte kundër diktatorit.
Në tetor të vitit 2014, Shteti Islamik nisi të korrte fitoret e para në Mosul dhe vendosi të pushtonte qytetin sirian të Kobanit, i cili mbrohej nga Njësitë e Mbrojtjes së Popullit kurd të Sirisë (YPG). Presidenti amerikan, Barack Obama vendosi të ndërhyjë me një sërë sulmesh ajrore, pasi dukej si një mundësi për të mundur Shtetin Islamik dhe pajisjet ushtarake amerikane që kishin kapur. Kurdët e sirisë arritën ta mbronin qytetin, duke i demonstruar Obamës se ushtria e tyre mund të kthehej në një aleate efektive kundër Shtetit Islamik atëherë kur asnjë tjetër nuk shfaqej i aftë për të sfiduar radikalët islamistë.
Reagimet zinxhir që vijuan më pas e çuan Turqinë gjithnjë e më afër me Rusinë. Brenda natës, Amerika i kishte kthyer kurdët sirianë në aktorë legjitimë, duke i lejuar ata të merrnin në dorë territore shumë afër kufirit me Turqinë. Për Ankaranë, kjo nuk ishte gjë tjetër veç se një fitore për Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, e cila kishte kontribuar në krijimin e ushtrisë kurde që për dekada me radhë luftonte kundër shtetit turk.
Këto zhvillime rastisën edhe me hyrjen e Rusinë brenda teatrit sirian. E inatosur nga dobësimi i vazhdueshëm i regjimit të Damaskusit, Rusia përdori sulmet ajrore për të frenuar ashpër avancimin e opozitës dhe më pas për të ndihmuar regjimin sirian dhe aleatët e tij, Iranin dhe milicinë e fuqishme libaneze, Hezbollahun, për të rimarrë territorin e humbur. Në dhjetor të vitit 2016, ky koalicion arriti të mundte me sukses opozitën e Aleppos.
Në gusht të vitit 2016, Turqia nisi operacionin Euphrates Shield, duke dërguar njësi ushtarake së bashku me një turmë luftëtarësh sirinë, fillimisht në qytetin Jarablus dhe më pas në Al-Bab, ku duket se vazhdojnë ende luftimet. Edhe pse operacioni është promovuar si një përpjekje për të mundur Shtetin Islamik, në fakt ka për qëllim të frenojë edhe zgjerimin territorial të kurdëve sirianë.
Pas arritjes së marrëveshjes së armëpushimit ndërmjet Turqisë, Iranit dhe Rusisë, avionët rusë bombarduan për herë të parë Shtetin Islamik në Al-Baba, e cila ishte edhe shënjestra e operacionit të lëshuar nga Erdogani. Teksa Shtetet e Bashkuara dhe Turqia vazhdojnë të jenë në mosmarrëveshje për natyrën dhe qëllimin e këtij operacioni, bombardimet e Rusisë shfaqën një aleancë të qartë ndërmjet Ankarasë dhe Moskës.

Pasojat dhe konspiracionet
Afrimi i Ankarasë me Rusinë ka ndodhur në mes të valës së rritjes së tensioneve me Shtetet e Bashkuara dhe mbi perceptimin e Turqisë se aleatja e vjetër e ka braktisur, madje i ka dalë kundër. Rezultati është që turqit duket se kanë rënë dakord të lejojnë Assadin të qëndrojë në pushtet në Damaskus. Zëvendëskryeministri Numan Kurtulmus tha se politika siriane e Turqisë ka qenë e gabuar që në fillim: sirianët duheshin lejuar ta vendosnin vetë fatin e Sirisë, jo të lihej në dorë të fuqive të huaja.
Ndryshimi i qëndrimit të Turqisë nuk shtyhet aspak nga rënia dakord për kushtet në të cilën do të mbyllet konflikti i Sirisë, por nga inati i Erdoganit kundrejt paaftësisë së administratës Obama. Obama e ka kritikuar qeverisjen e Erdoganit dhe sipas një sondazhi të zhvilluar kohët e fundit thuhet se 79 për qind e popullsisë turke mendojnë se Shtetet e Bashkuara kanë orkestruar ose kanë lejuar grushtin e shtetit të dështuar të 15 korrikut.
Nuk ka ditë kur një zyrtar turk nuk del në deklaratë për të dënuar rolin e Shteteve të Bashkuara në grushtin e shtetit apo sulmet dashakeqe kundër interesave turke, përfshirë edhe sulmet terroriste. Niveli i përhapjes së këtyre pretendimeve tregojnë se, Erdogani bashkë me mbështetësit e tij i besojnë vetë ato – gjë që mbart shumë rreziqe të tjera që mund të dëmtojnë marrëdhëniet dypalëshe.
Zyrtarët turq kanë vënë në pikëpyetje kohët e fundit nëse Shtetet e Bashkuara duhet të lejohen të ruajnë aksesin e tyre në bazën Incirlik Air Force, e cila është një bazë tepër e rëndësishme për fushatën në Siri dhe për projektimin e pushtetit kudo në Lindjen e Mesme. Washingtoni, pretendojnë zyrtarët turq, mund të ketë abuzuar me mikpritjen turke në këtë bazë.
Kritikat e ashpra turke kundër administratës së presidentit në ikje, Barack Obama duken tani si një tjetër sfidë e administratës së re të presidentit të zgjedhur Donald Trump. Ankaraja shpreson që administrata e Trumpit të mos jetë e interesuar të mbrojë kurdët sirianë dhe se do të jetë më e gatshme të vendosë si prioritet interesat turke. Në bazë të afërsisë së perceptuar të presidentit Trump me presidentin Putin, turqit shpesojnë edhe që mbështetja e Rusisë t’i japë Ankarasë një pozicion të ri në Washington.
Situata mund të mos shkojë pikërisht sipas planeve, pasi administrata e re mendon se mposhtja e Shtetit Islamik vazhdon të jetë prioriteti numër 1 i Shteteve të Bashkuara. E njëjta gjë mund të mos vlejë për Moskën. Trupat ruse janë reduktuar ndjeshëm, që pas rënies së Aleppos dhe inteligjenca amerikane e ka bërë të qartë se Vladimir Putini nuk ka bërë asgjë për të sulmuar Shtetin Islamik në Siri. Duhet marrë në konsideratë edhe dëshira e Rusisë për të mposhtur kurdët e Sirisë. Nëse analizojmë sjelljen e Rusisë në rajon, mund të themi se rrallë herë zgjedh të asgjësojë një grup ose organizatë që mund t’i nevojitet në të ardhmen.
Është e kotë të sugjerohet se Erdogani mund të mendojë të braktisë NATO-n. Turqia jeton në hijen e gjigantit rus dhe pavarësisht mllefit që ka kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve perëndimorë, i nevojitet mbrojtja që ofron aleanca me Moskën. Pa këtë aleancë, rusët mund të kenë mundësi t’i bëjnë presion Turqisë. Erdogan ka llogaritur saktësisht se mund të jetë një elektron i lirë në këtë aleancë, duke u afruar me Moskën dhe armiqësuar me Washingtonin, duke ditur ndërkohë se marrëdhëniet ndërmjet Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara janë thellësisht të lidhura për shkak të NATO-s.
Rusia nga ana e saj është në krizë të rëndë ekonomike, por ndodhet edhe në perspektivën e humbjes së një shteti aleat në Siri, nga koalicioni kundër xhihadit të krijuar nga kundërshtarët. Ai ka arritur pjesën më të madhe të gjërave që kërkonte të arrinte, duke parandaluar rrëzimin e Assadit dhe duke shkaktuar tensione ndërmjet Ankarasë dhe kryeqyteteve perëndimore. Duke nënshkruar armëpushimin, sado i rëndësishëm dhe pozitiv që është, Turqia ka njohur publikisht pozicionin qendror të Putinit dhe ka riafirmuar rëndësinë e tij në politikën globale. Asgjë nuk mund ta prishte këtë martesë, as vrasja e ambasadorit rus në Ankara në dhjetor të vitit 2016.
Tani për tani, dy liderët Erdogan dhe Putin kanë arritur të krijojnë një martesë për interes. Erdogani tani ndodhet në një betejë të ashpër parlamentare me ndryshimet kushtetuese që kërkohen dhe nuk do ta ketë shumë të lehtë. Ata ndajnë të dy një armiqësi të përbashkët kundrejt Perëndimit, nuk kanë asnjë interes të ndërhyjnë në punët e njëri-tjetrit dhe janë të fokusuar tek opozita e tyre e brendshme. A mund të zgjasë kjo martesë?
Gjithçka varet nga presidenti i ri Donald Trump. Teksa administrata e re formulon strategjinë e saj kundër Shtetit Islamik, do të duhet të caktojë edhe prioritetet- ky do të jetë një faktor kritik për të përçarë ose bashkuar aleatët e rinj. Administrata Trump mund të vendosë t’i bashkohet aleancës Rusi-Turqi, por mund të zgjedhë edhe t’i ndjekë e vetme qëllimet e saj në rajon.
Donald Trump e njeh shumë mirë mundësinë e manovrimit që sjell marrëdhënia e Shteteve të Bashkuara me Ankaranë. Teksa fillon të bashkëpunojë me Erdoganin, ai nuk duhet të harrojë se pavarësisht inateve me administratën e mëparshme, Shtetet e Bashkuara janë aleati më i rëndësishëm për Turqinë, më shumë se çdo shtet tjetër.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Exit mobile version