Udhëheqësit rusë dhe ukrainas ranë dakord të zbatojnë një armëpushim dhe të shkëmbejnë të burgosurit deri në fund të vitit, pas bisedimeve katërpalëshe në Paris të hënën, ku ishin përfshirë Franca dhe Gjermania.
Shefat e të katër shteteve thanë që kishin bërë përparim dhe se thjesht biseda ishte një hap thelbësor përpara. Ata do të takohen përsëri brenda katër muajsh.
Presidenti i Ukrainës. Volodymyr Zelensky, tha se ai ishte i sigurt që armëpushimi do të ndodhë këtë muaj.
“Nuk është një situatë e ngrirë,” tha presidenti Zelensky, në një konferencë me gazetarë në orët e vona. “Dhe për t’iu përgjigjur pyetjes tuaj, po, unë mendoj se do të takohemi përsëri brenda katër muajsh dhe do të jemi në gjendje të shkojmë përpara duke trajtuar çështjet tjera në bazë të arritjeve tona”, tha ai.
Ky është takimi i parë midis presidentit Zelensky dhe atij rus, Vladimir Putin, që kur aktori ukrainas mori detyrën më herët gjatë këtij viti. Ky është takimi i parë i tillë katërpalësh që nga viti 2016, që përfshinë Francën dhe Gjermaninë.
Presidenti Putin tha se përshkrimi i një ‘shkrirje’ të mundshme midis Rusisë dhe Ukrainës ishte i saktë. “Ne kemi shënuar përparim në shumicën e çështjeve”, tha ai. “Të gjitha këto sugjerojnë që gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur”.
Bisedimet synojnë t’i hapin rrugën një zgjidhjeje të konfliktit ndërmjet të dyja vendeve që la pas vetes 13 mijë të vrarë që nga viti 2014. Të dyja palët kanë akuzuar njëra tjetrën për mosrespektim të një marrëveshjeje të paqes të vitit 2015.
Presidenti Zelensky, e ka shndërruar në përparësi të tij përfundimin e konfliktit.
Por shumë ukrainas janë të shqetësuar se ai mund të bëjë shumë lëshime. Përpara takimit në Paris, mijëra veta demonstruan në kryeqytetin Kyiv, kundër çdo mundësie për të ashtuquajturin “kapitullim” para Moskës.