Rusia heton vrasjen e ambasadorit të saj në Ankara

Në Ankara ka mbërritur të martën një grup hetuesish dhe zyrtarësh të Ministrisë së Jashtme ruse, të cilët do të hetojnë vrasjen e ambasadorit rus, Andrei Karlov. Ata do të punojnë për të përcaktuar nëse vrasja ishte vepër e një personi të vetëm të armatosur apo pjesë një komploti me qëllim prishjen e marrëdhënieve mes dy vendeve. Autori i vrasjes është pjesë e forcave të policisë turke, por ende nuk është e qartë nëse krimin e ka kryer në bashkëpunim me ndonjë grup.
Presidenti rus, Vladimir Putin e cilësoi vrasjen një provokim me qëllim prishjen e marrëdhënieve mes Rusisë dhe Turqisë.
“Ka vetëm një përgjigje ndaj saj, forcim i luftës ndaj terrorit dhe banditët do ta ndjejnë”. Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan pajtohet me këtë qëndrim. “Gjatë bisedës që pata me zotin Putin pas incidentit, ramë dakord se ky është një provokim dhe për këtë s’ka asnjë mëdyshje”.
Presidenti Erdogan tha se dy vendet do të bashkëpunojnë në hetimin e kësaj ngjarjeje. Marrëdhëniet mes Moskës dhe Ankarasë kanë qenë të lëkundura për shkak të interesave të tyre të ndryshme lidhur me Sirinë. Rusia mund të përdorë vrasjen e ambasadorit Karlov në avantazh të saj për sa i takon Sirisë thotë eksperti i pavarur ushtarak rus, Alexander Golts. “Mendoj se vrasja e ambasadorit mund të përdoret nga Rusia si një kartë e fortë në bisedimet e ardhshme për Sirinë, sepse nuk mund të anashkalojmë faktin që interesi ynë për Sirinë nuk përkon me atë të Turqisë”.
Rusia mbështet presidentin sirian Asad ndërsa Turqia opozitën. Marrëdhëniet mes dy vendeve u tensionuan pasi Turqia rrëzoi një avion ushtarak rus në Siri në nëntor të 2015. Më vonë, Turqia kërkoi falje dhe prej asaj kohe të dy presidentët kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm.
Shtetet e Bashkuara dënuan vrasjen e ambasadorit Karlov dhe i shprehën ngushëllime familjes së tij dhe popullit rus.
“Jemi të gatshëm të ofrojmë çdo lloj ndihme që do të kërkohet prej Rusisë dhe Turqisë, në hetimin e këtij sulmi të neveritshëm. Siç nënvizoi dhe sekretari John Kerry, ky është një sulm mbi të drejtën e të gjithë diplomatëve për të përfaqësuar kombet tyre në gjithë botën në siguri të plotë”, tha përfaqësuesi i Departamentit amerikan të Shtetit, John Kirby. Zyrtarët amerikanë nuk pranuan të bëjnë asnjë koment tjetër lidhur me ngjarjen, deri në përfundim të hetimeve.

Artikulli paraprakPërse nuk bëjmë dot asgjë për Aleppon?
Artikulli tjetër10 rrugët që demokratët të thajnë moçalin e tyre