David Wisner, i ngarkuari i SHBA me punë në Shqipëri, David Wisner në një intervistë për Gazetën Panorama ka folur edhe për sfidat e NATO-së.
Teksa iu referua samitit të fundit të aleancës që u zhvillua në Uashington, diplomati i lartë amerikan thotë se Amerika, Evropa dhe Shqipëria sot janë më të sigurta për shkak të NATO-s.
Sipas tij, Rusia është një kërcënim ndaj sigurisë së aleatëve të NATO-s, ndërsa u shpreh se mbështet edhe nga Kina.
“Duke pasur parasysh sfidën që paraqet Rusia, si dhe Republika Popullore e Kinës për shkak të mbështetjes së saj për luftën e Rusisë – tani më shumë se kurrë anëtarët e Aleancës duhet të jenë të përkushtuar politikisht, financiarisht dhe ushtarakisht, duke u siguruar që NATO të mund të përballet me sfidat e kohës sonë”, tha ndër të tjera diplomati amerikan.
Pjese nga intervista
“Panorama”: Një gjë për të cilën ju dhe ambasada juaj keni folur shpesh është NATO dhe kohët e fundit për samitin e NATO-s. Si e shpjegoni këtë?
David Wisner: Në thelb, siguria është një shqetësim kyç për çdo qenie njerëzore. Çdo shqiptar do që të jetë i sigurt, do që familja e vet të jetë e sigurt, do që e ardhmja e fëmijëve të vet të jetë e sigurt dhe e begatë. Dhe NATO ofron pikërisht atë, sigurinë që buron nga Neni 5, që një sulm ndaj një anëtari është një sulm ndaj të gjithëve. Një vend i sigurt, i qëndrueshëm, i lidhur me të tjerët që ndajnë vlerat e tij, është një vend që mund të lulëzojë – me ndihmën e rrjedhës së lirë të tregtisë, turistëve, si dhe investimeve që sjell stabiliteti. Shqiptarët e kuptojnë këtë, pasi kanë lënë pas izolimin e së shkuarës dhe kanë përqafuar sigurinë kolektive dhe vlerat e përbashkëta që përfaqëson NATO. Sot, 15 vite pasi iu bashkua Aleancës, Shqipëria jep kontribute solide, qoftë përmes trupave të KFOR-it në Kosovë, batalionit të këmbësorisë, njësitë e klasit botëror për çmontimin e mjeteve eksplozive, forcave të veta speciale e shumë më tepër. Amerika është më e sigurt për shkak të NATO-s. Shqipëria është më e sigurt për shkak të NATO-s. Europa është më e sigurt për shkak të NATO-s. Prandaj 68 për qind e shqiptarëve bien dakord se Shqipëria duhet ta përmbushë premtimin për të kontribuar dy për qind të PBB për shpenzimet për mbrojtjen. Prandaj 90 për qind e shqiptarëve mendojnë se të ardhmes së vendit të tyre i shërben më mirë qenia anëtar i NATO-s. Duke pasur parasysh sfidën që paraqet Rusia, si dhe Republika Popullore e Kinës për shkak të mbështetjes së saj për luftën e Rusisë – tani më shumë se kurrë anëtarët e Aleancës duhet të jenë të përkushtuar politikisht, financiarisht dhe ushtarakisht, duke u siguruar që NATO të mund të përballet me sfidat e kohës sonë.
“Panorama”: Samiti i NATO-s sapo përfundoi në Uashington, D.C. dhe kemi parë që nivelet më të larta të qeverisë së SHBA-ve e kanë quajtur një sukses. Mund të na shpjegoni pse?
David Wisner: Ne besojmë fort se ky ishte një nga samitet më të suksesshme që ka zhvilluar ndonjëherë NATO. Bota pa që NATO është më e madhe, më e fortë dhe më e bashkuar se kurrë dhe e gatshme për të mbrojtur të ardhmen tonë. Udhëheqësit ndërmorën hapa për të siguruar që NATO është gati për të mbrojtur çdo centimetër të territorit të NATO-s, përfshi nisma të reja domethënëse për të forcuar aftësitë edhe duke investuar në prodhim ushtarak industrial. Së dyti, aleatët bënë përparim historik për të ndarë barrën, ku një rekord prej 23 aleatësh kanë përmbushur ose kapërcyer angazhimin për të shpenzuar të paktën dy për qind të PBB-së për mbrojtjen, përfshi Shqipërinë, e cila ka marrë angazhimin për ta bërë këtë deri në fund të vitit. Së treti, duke kuptuar që Rusia mbetet kërcënimi më domethënës dhe më i drejtpërdrejtë ndaj sigurisë së aleatëve të NATO-s dhe paqes e stabilitetit në rajonin euro-atlantik, Aleanca ofroi një paketë të fuqishme mbështetjeje për ta ndihmuar Ukrainën që të triumfojë ndaj pushtimit të Rusisë dhe të ecë përpara drejt një rruge të pakthyeshme drejt anëtarësimit në NATO. Së fundi, aleatët panë lidhjen mes sigurisë në rajonin euro-atlantik dhe sigurisë në rajonin indo-paqësor dhe dërguan një mesazh të qartë se mbështetja e Republikës Popullore të Kinës për makinerinë ruse të luftës do të ketë pasoja për marrëdhënien e saj me bashkësinë euro-atlantike.