Rusia kritikon Perëndimin për Ballkanin

Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, tha se është e dëmshme politika perëndimore që u kërkon vendeve të Ballkanit të zgjedhin ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit. Ai i bëri këto komente në Lubjanë, ku po qëndron për një vizitë para se të shkojë në Beograd. Në një konferencë me gazetarë me shefin e diplomacisë sllovene, Karl Erjavc, ai tha se një qasje e tillë e Perëndimit “kishte nxitur krizën në Ukrainë”, ku sipas tij “së pari, ndodhi grusht shteti jo kushtetues në vitin 2014 dhe ngritjen e radikalëve, përfshirë neonazistët”. Ai tha se, tani “duan të tërheqin Ballkanin në lojën e njëjtë, duke i detyruar që të zgjedhin nëse janë me Perëndimin apo Rusinë”. Duke folur në Slloveni, që është vend anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian, ai tha se kjo “nuk nënkupton që të shmangen kontaktet me vendet që nuk janë të përfshira në këto organizata ndërkombëtare”. Lavrov shkoi në mbrëmje për një vizitë dyditëshe në Serbi, një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por që ruan lidhjet me Rusinë, në radhë të parë për shkak të qëndrimit të Moskës ndaj pavarësisë së Kosovës, që u shpall dhjetë vjet më parë me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimi Evropian. Ministri rus tha në Beograd se, Rusia mirëpret përpjekjet e Bashkimit Evropian për bisedimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. “Kemi llogaritur se BE-ja do të kryej punën e vet, por deri tash Bashkësia e komunave serbe nuk është formuar. Nuk është formuar Gjykata për Krime në Kosovë. Na brengosë pasiviteti i BE-së rreth ‘platformës së Tiranës, që është thirrje për krijimin e Shqipërisë së Madhe”, citohet të ketë thënë ai. Derisa synon integrimin në Bashkimin Evropian, Serbia ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve euro-amerikane kundër Moskës për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se vendi i tij është në rrugën evropiane, ndërsa ritheksoi se Serbia nuk do të ndryshojë politikën e saj kundruall Rusisë.
“E kam thënë shumë herë se, Serbia nuk do t’i vendosë sanksione Rusisë, ndërsa Rusia asnjëherë nuk ka bërë asgjë kundër interesave të Serbisë”, tha ai.
Ministri rus tha se çdo vend duhet të zgjedhe partnerët e tij në bazë të interesave kombëtare. “Të dënosh Serbinë apo cilindo vend tjetër për këtë çështje, nuk është evropiane”, tha ai. Zhvillimet politike në Evropën Juglindore gjatë viteve të fundit nxitën shqetësime në rritje për paqëndrueshmërinë e rajonit dhe ndërhyrjen e Rusisë, e cila nuk i sheh me sy të mirë integrimet euroatlantike të vendeve të Ballkanit. Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësim në disa raste edhe për një qendër të emergjencave, që Rusia menaxhon në qytetin e Nishit në Serbinë Jugore. Disa grupe perëndimore dhe analistë ushtarakë e shohin si një bazë ushtarake të kamufluar që Kremlini e ka ngritur për të mbikëqyrur interesat amerikane në Ballkan. Qendra ruse që u hap fillimisht në vitin 2012, gjendet relativisht pranë forcës paqeruajtëse prej 4 mijë trupash në Kosovë. Pjesë e forcave ndërkombëtare në Kosovë janë edhe 600 ushtarë amerikanë. Moska kërkon që, personelit të saj t’i jepet imunitet diplomatik, ndërsa mohon çfarëdo veprimtarie të saj përveç trajtimit të emergjencave.

Exit mobile version