Rusia: Qeveria siriane ka ndërprerë sulmet në Aleppo

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se qeveria siriane ka ndërprerë të gjitha veprimet në Aleppon Lindore, para një takimi të ekspertëve ushtarakë amerikanë e rusë mbi situatën në qytetin e shkatërruar.
Të enjten, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, shfaqi shpresën për një “marrëveshje të mundshme për armëpushim me Rusinë për t’u dhënë fund luftimeve në Aleppo.
Pas takimit me Lavrovin në Hamburg, Sekretari Kerry tha se ishte duke pritur për “informacione të reja”, por pa dhënë më shumë hollësi.
Ministri i Jashtëm rus tha se, “një marrëveshje është arritur që ekspertët tanë ushtarakë dhe diplomatët të takohen të shtunën në Gjenevë për të përfunduar punën që është bërë gjithë këto ditë për hartimin e një dokumenti që përcakton rrugët dhe mjetet për një zgjidhje përfundimtare pë Aleppon Lindore, sipas të cilit, të gjithë luftëtarët duhet të largohen sikundër edhe civilët që duan ta bëjnë një gjë të tillë”.
Në New York, i dërguari i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura, mirëpriti deklaratën ruse, por u tha gazetarëve se nuk mund të vërtetojë në mënyrë të pavarur nëse luftimet janë ndalur dhe nëse civilët janë evakuuar. Kombet e Bashkuara do të jenë pjesë e bisedimeve të së shtunës në Gjenevë, tha ai.
Deklarata ruse u bë gjatë një takimi me dyer të mbyllura të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, tha de Mistura. Ambasadori rus nuk u tha anëtarëve të Këshillit se sa do të zgjasë pezullimi i luftimeve në Aleppo, tha një zyrtar i OKB-së.
Sa i përket evakuimit nga Aleppoja, de Mistura tha se, “shifrat që janë përmendur mund të përfshijnë rreth 8 mijë civilë”.
Tërheqja e luftëtarëve nga Aleppoja Lindore mund të përfshijë grupin që deri vonë njihej si Jabhat al-Nusra, u tha gazetarëve de Mistura, përfshirë edhe grupet tjera të armatosura.
“Fakti që po diskutohet se si të ndodhë kjo në mënyrën e duhur dhe të sigurt, është një zhvillim i rëndësishëm”, tha ai.
Megjithatë, kryengritësit në Aleppo, kanë bërë thirrje për një armëpushim pesë ditësh për të siguruar evakuimin humanitar të civilëve, para çfarëdo bisedimesh për të ardhmen e Aleppos.
Në Siri, Presidenti Bashar al-Assad, tha se ushtarët e tij do të vazhdojnë luftimet deri në përfundimin e luftës pesëvjeçare. Ai nuk përmendi bisedimet ndërmjet Shteteve të Bashkuara, Rusisë e OKB-së, por tha se nuk mund të ketë armëpushim derisa kryengritësit mbeten në Aleppo.
Ai i bëri këto komente në një intervistë të publikuar të enjten në gazetën qeveritare al-Watan. Dje ushtria siriane me mbështetjen e Rusisë mori kontrollin e pjesës më të madhe të pjesës të vjetër të Aleppos, e cila që nga viti 2012 ka qenë nën kontrollin e forcave kryengritëse.
Jan Egeland, këshilltar i lartë i të dërguarit të OKB-së, tha se Siria i ka dhënë leje OKB-së që të hyjë në Aleppon Lindore, por organizata e ka të pamundur të dërgojë ndihma atje përderisa nuk ndërpriten luftimet.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, tha se ka evakuuar 150 civile në nevojë urgjente mjekësore nga spitali në qytetin e vjetër të Aleppos.
Dhjetëra mijëra civilë kanë mbetur të ngujuar në Aleppon Lindore me gjithë valën e refugjatëve që gjatë dy javëve të fundit ka kaluar në pjesën relativisht më të sigurt në Aleppon Perëndimore të kontrolluar nga qeveria. Vëzhguesit vlerësojnë se gjatë javës së shkuar 18 mijë civilë kanë kaluar në pjesën Perëndimore, dhe mbi 9 mijë në pjesën e kontrolluar nga kurdët.
De Mistura beson që më pak se 100 mijë veta kanë mbetur nën rrethim në Aleppon Lindore.

Artikulli paraprakGjermani, CDU-ja kërkon anulimin e dynënshtetësisë
Artikulli tjetërNejmar fushatë për Mesin: Meriton çmimin e FIFA-s