Projektligji u paraqit të hënën në një mbledhje urgjente të Këshillit të Dumës Shtetërore, të dhomës së deputetëve të parlamentit rus. Ai është përgjigjja ruse ndaj sanksioneve të vendosura në 6 prill kundër Moskës, sanksionet më të ashpra që prej aneksimit të Krimesë në 2014. Me masat kundër sipërmarrësve drejtues dhe nëpunësve të nivelit të lartë, Uashingtoni me sa duket preku një nerv, që bëri që tregjet e aksioneve dhe të devizave ruse të lëkunden deri më sot.
Amerika i argumentoi kufizimet e reja me “aktivitetet e liga” të përbotshme të Rusisë, me këtë nuk qe fjala vetëm për Ukrainën, por edhe për Sirinë.
Kufizime jo për medikamente amerikane
Në thelb Rusia përgatit atë, të cilën Kongresi i SHBA e miratoi në verë 2017 si ligjin-CAATSA (Countering Americas’s Adversaries Through Sanctions Act): një bazë për raunde të tjera dhe më të gjera sanksionesh. Kjo në një kohë kur tregtia midis Rusisë dhe SHBA nuk është veçanërisht e madhe: në vitin 2017 ajo kapi shumën 24 miliardë dollarë, bëri të ditur agjencia shtetërore e lajmeve RIA. Rusia shiti shumë më tepër në Amerikë: 17 miliardë përballë shtatë miliardë dollarëve. Në këtë kuadër për Moskën është e vështirë që ta prekë ndjeshëm Uashingtonin. Projektligji duket si një larje hesapesh e stilit të gjerë me pak përjashtime.
Janë parashikuar para së gjithash kufizime për prodhime bujqësore të SHBA, ushqime, alkool, duhan dhe medikamente. Përjashtohen ato medikamente, për të cilat nuk ka zëvendësuese në Rusi.
Veç kësaj, mund të ketë marrë fund bashkëpunimi i Rusisë me SHBA në fushën e energjisë atomike, në ndërtimin e avionëve dhe në teknikën raketore. Llogaria e Moskës është që me një hap të tillë të godasë ndër të tjera ndjeshëm konstruktorin amerikan të avionëve Boeing, i cili importon për shembull titan nga Rusia. Edhe shitja e tokave të tjera të rralla mund të konsiderohet e ndaluar ose e kufizuar. Në teknikën raketore ky ligj mund t’i nxjerrë telashe sipërmarrjes amerikane të fluturimeve në hapësirë “United Launch Alliance” (ULA), tek e cila ka pjesë edhe Boeingu. Në raketën bartëse të tij “Atlas V” përdoren motorë rusë të tipit RD 180.
Preken Boeing dhe Microsoft
Ligjvënësit rusë duan të kufizojnë edhe përdorimin e programeve kompjuterike amerikane në Rusi. Kjo do të prekte para së gjithash koncernin Microsoft, produktet e të cilit janë më shumë të instaluara në zyrat ruse.
Më tej mendohet se do të bëhet përgjithësisht e vështirë për qytetarë të SHBA që të shkojnë në Rusi dhe të bëjnë atje biznese. Edhe shoqërive ajrore të SHBA mund t’u duhet të paguajnë më shumë në aeroporte.
Leximi i parë i ligjit është parashikuar për në 15 maj. Mund të nisemi nga fakti që ky dokument do t’i kalojë me shpejtësi të gjitha stacionet, do të nënshkruhet nga Presidenti Putin dhe do të hyjë në fuqi. Për ta vënë në jetë do të jetë detyrë e qeverisë së re, e cila do të krijohet pas fillimit të mandatit nga Putini në fillim të majit.
Në degët e pakta ekonomike që nuk janë prekur deri tani nga sanksionet ruse janë fluturimi në hapësirë dhe dega e kinemasë. Por nuk duket e papërfytyrueshme më që dikur Rusia të kundërshtojë dhe të mos i lejojë astronautët e SHBA të shkojnë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS) ose që të dëbojë nga ekranet filma të Hollivudit. Për t’u diskutuar po diskutohet për këto që tani. Lamtumira ndaj Amerikës së urryer prej shumë rusëve duket se po përshpejtohet.