Sa do të na kushtojë paqja e radhës Rama-Berisha?

Nga Gelsi Selimpërteasi

Në Kuvend janë ripërsëritur pamjet e një viti më parë. Dallimi i vetëm, zhvillimi i ngjarjeve. Nga djegia e karrigeve brenda Kuvendin, u zhvendos djegia e tyre jashtë. Një opozitë dhe një grup i tillë parlamentar me mungesë të theksuar kreativiteti edhe për të bërë marrëzi, nuk ka parë historia politike e pluralizmit shqiptar. Rama dikur dhe Basha më pas kanë qenë ku e ku më kreativ po t’i krahasosh me këtë opozitë që ka shumëfishuar Berishën në shumë kopje, duke berishizuar edhe tipa të tillë si Gjekmarkaj dhe Bardhi aq sa Noka të duket krejt i zbehtë në imitimin e tij.

Për të analizuar këtë zhvillim të ri, do duhet të risjellim në vëmendje se çfarë solli ‘aksioni’ i ngjashëm i një viti më parë? Pas disa kohe përballje të zjarrtë, Rama përfitoi në atë kohë amnistinë penale, Berisha vulën dhe listat e mbyllura për t’i mbushur me kamikazë, ndërsa grupi parlamentar i PD-së përfitoi Salianjin në burg. Zhvillimet që pamë në Kuvend ku mbizotëronte kaosi, edhe pse duket se bëhet në kontekstin e burgosjes së Salianjit me vendim të formës së prerë në Gjykatën e Apelit, ka një prapavijë tjetër, që më së shumti ka të bëjë me rekursin e PD së Bashës për logon dhe vulën në Gjykatën e Lartë, gjë që me sa duket ka shqetësuar grupin e Berishës, i cili dëshiron që rastin e Salianjit ta përdor për të mbajtur situatën të tensionuar dhe për të marrë garanci nga Rama se do të ushtrojë presionin e duhur ndaj Gjykatës së Lartë për të mos lejuar një gjë të tillë, ashtu siç bëri edhe me Gjykatën e Apelit, e cila me të njëjtën trup gjykuese i dha vulën Berishës dhe dënoi Salianjin njëkohësisht.

Përveçse kësaj, frika nga hetimet e SPAK-ut me 500 fakte në një kohë që Berisha dhe familjarët e tij kërkonin vetëm një fakt të vetëm, sigurisht që ka nevojë për mjegull sipas parimit ‘ujku mjegull dot’. Kështu që asnjëherë qëllimi nuk është ai që duket. Salianji është vetëm alibia e radhës për pazarin mes Berishës dhe Ramës. Nëse radhën e parë u arrit amnistia për të korruptuarit, kësaj radhe ajo që i intereson të dyve është goditja e SPAK-ut. Rama e ka hedhur dorashkën e tij nëpërmjet komisionit Xhafaj.

Berisha do të krijojë kaos për të arritur një komision të ngjashëm me objekt të qartë zhbërjen e SPAK-ut. Kështu që s’do të jetë e largët dita që tymit të zi do t’ia lërë radhën tymi i bardhë që do të ketë të shënuar në pazarin e radhës komisionin për rishikimin e punës së organeve të reja të drejtësisë. Derisa të arrihet, shfaqja do përsëritet. Rama mund t’ua japë që sot, por do t’i lërë të telendisen disa kohë. Pastaj do t’u thotë shqiptarëve që s’kam çfarë t’u bëjë. U jap çfarë kërkojnë, por ju jepini në zgjedhje atë që meritojnë./sot

Exit mobile version