Sa është kompensuar kosto e jetesës gjatë 5 viteve të krizës për familjet shqiptare, dallimi sipas qarqeve

Nga Aranit Muraçi

Kostoja e jetesës është rritur ndjeshëm gjatë 3-4 viteve të fundit, kudo në Europë, e ndikuar kryesisht nga kriza Covid dhe lufta në Ukrainë, e cila u shoqërua po ashtu gjerësisht me një rritje historike të normës së inflacionit.

Shqipërisë mund t’i shtohen veç dy krizave të lart-përmendura edhe pasojat që la pas tërmeti. Fatura e rindërtimit ishte një tjetër goditje për ekonominë tonë të brishtë, e cila për rimëmbjen, aktualisht po i gëzohet disi turizmit.

Në vitin 2023, shpenzimet mesatare mujore për konsum për një çdo familje shqiptare, e përbërë mesatarisht nga 3,7 persona, vlerësohen me 91.675 lekë. Tirana vlerësohet me koston më të lartë të jetesës. Sipas përllogaritjeve të INSTAT, një familje me 3-4 persona e ka të pamundur jetesën normale nëse të ardhurat mujore i llogariten nën 108.098 lekë.

Sipas llogaritjeve të INSTAT, Instituti i Statistikave, kostoja e jetesës është rritur me 3,7 % në vitin 2023 krahasuar me vitin 2022. Nëse marrin në analizë shpenzimet mesatare për një familje në Tiranë kjo rritje do të thotë se për të blerë të njëjtat mallra dhe shërbime asaj i duhen minimalisht 4 mijë lekë (të rinj) më shumë. Nëse llogarisim rritjen e kostos së jetesës në 4-5 vitet e fundit, kostoja e jetesës për çdo familje është rritur mesatarisht me 20 mijë lekë të rinj. Nga ana tjetër nëse të ardhurat për çdo familjeje nuk janë rritur të paktën me të njëjtën shifër, (kryesisht nga pagat) atëherë kjo do të thotë se ato familje janë në vështirësi mbijetese si dhe duke u zhytur edhe më thellë në varfëri.

Shpenzimet gjithsej për konsum janë rreth 68.4 miliardë lekë në muaj.

Në vitin 2023, grupi me rritjen më të lartë të shpenzimeve mujore është “të tjera mallra dhe shërbime”, me 6,2 %, krahasuar me vitin 2022, ndjekur nga grupet:
• “pije alkoolike dhe duhan” 5,6%;
• “mobilim dhe mirëmbajtje e zakonshme e banesës” 5,1%.

Sipas strukturës së shpenzimeve mesatare mujore për konsum grupet kryesore janë:
• Grupi “ushqime dhe pije jo-alkoolike”, me një vlerë mesatare mujore të shpenzimeve prej 36.349 lekë, i cili zë një peshë prej 39,6 % në buxhetin familjar.

Nëngrupet me peshën më të madhe në shpenzimet për ushqim janë:
“mish dhe nënprodukte” me 18,5%;
“bukë dhe drithëra ” me 16,5 %;
“perime” me 16,0%.
• Grupi i “shpenzime për banesën, ujë, energji elektrike dhe qira e paguar” me një vlerë mesatare mujore prej 8.904 lekë, përbën 9,7 % të totalit të buxhetit.
• Grupi “restorante dhe hotele”, me një vlerë mesatare mujore të shpenzimeve prej 6.755 lekë, zë 7,4 % të buxhetit gjithsej.

Në vitin 2023, shpenzimet për grupin “të tjera mallra dhe shërbime”, u rritën me 6,2 %. Kjo rritje erdhi kryesisht nga shpenzimet më të larta për “higjienë personale”, “trajtime estetike” dhe “shërbime parukerie apo berber”. Si pasojë, pesha e këtij grupi në shpenzimet mesatare mujore për çdo familje shqiptare është rritur.

Shpenzimet për “pije alkoolike dhe duhan” u rritën me 5,6 %, krahasuar me vitin 2022, kryesisht për shkak të rritjes së shpenzimeve për “pije alkoolike” me rreth 8 %.

Shpenzimet për “mobilim, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje të banesës” u rritën me 5,1 %, krahasuar me vitin e kaluar. Kjo rritje erdhi nga shpenzimet më të larta për “shërbime periodike” (pastrues, kopshtar, etj.), “blerje pajisjesh për gatim” dhe “riparime të ndryshme në familje”.

Shpenzimet mesatare mujore për konsum sipas qarqeve, 2023

Në vitin 2023, njësitë ekonomike familjare të qarkut Tiranë, shpenzojnë më shumë për konsum, mesatarisht 108.098 lekë në muaj. Qarqet e tjera me shpenzime të larta mujore për konsum janë:
• Korça: 91.034 lekë
• Durrësi: 89.561 lekë

Qarqet me shpenzimet mesatare më të ulëta mujore për konsum janë:
• Kukësi: 73.225 lekë
• Dibra: 74.479 lekë

Liberale.al

Exit mobile version