Sa i madh është Atlantiku pas udhëtimit të Biden në Europë?

Sa janë afruar amerikanët dhe europianët në raportet me Kinën dhe Rusinë pas G7 dhe udhëtimit të gjatë europian të Joe Biden? Në të dyja anët e Atlantikut një pjesa e mediave ka theksuar diferencat, kurse një tjetër marrëveshjen e rigjetur, por realiteti sigurisht që është më kompleks.

Pas fërkimeve dhe iniciativave të paparashikueshme të paraardhësit të tij që e kishin dëmtuar fuqimisht imazhin e Shteteve të Bashkuara në Europë dhe ushqyer versione ekstreme të kërkimit të një autonomie strategjike europiane, në një farë kuptimi Biden i mjaftonte “të mos ishte Trump”. Diferenca padyshim që mbesin, por është mirë t’u shyrtohet natyra. Pas braktisjes së vizionit optimist mbi evolucionin “perëndimor” të Kinës dhe Rusisë që të dy (ne dhe amerikanët) kishim ndarë në një epokë jo fort të largët, shpejtësia e maturimit të analizave respektive nuk ka qenë e njëjta; kjo është e vërtetë sidomos për sa i përket Kinës, por pjesërisht edhe për Rusinë. Nga ana tjetër, është normale që një superfuqi globale si Shtetet e Bashkuara të reagojnë më me shpejtësi ndaj ndryshimeve të skenarit.

Ka edhe arësye të tjera të lidhura me faktorë strukturorë. Europa varet më shumë se Shtetet e Bashkuara nga tregëtia ndërkombëtare dhe kështu që është e kuptueshme se në vlerësimin e interesave strategjike të saj është më shumë e influencuar nga konsiderata ekonomike. Së fundi, Shtetet e Bashkuara janë federatë, kurse Europa jo; vendimet europiane janë kështu të kushtëzuara nga konsensusi i vendeve anëtare xheloze për prerogativat e tyre, sidomos në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Nuk ndihmon fakti që Gjermania, vendi më i rëndësishëm i Bashkimit Europian, është edhe ai më ngurruesi prej arësyeve historike të marrë përgjegjësi ndërkombëtare dhe t’i fusë interesat e saj ekonomike në konsiderata strategjike më të gjera. Nuk ndihmon as fakti që vendi tjetër kyç europian, Franca, nuk çlirohet asnjëherë krejtësisht nga mbeturina neogoliste; një presidenti francez në fushatë elektorale nuk i bën kurrë mirë që të duket shumë i angazhuar me Shtetet e Bashkuara. Së fundi, nuk ndihmojnë as ndrojtjet e kuptueshme europiane lidhur me përkohshmërinë e skenës politike amerikane. Edhe pse me ritme të ndryshme, drejtimi i lëvizjes së analizave respektive është megjithatë thelbësisht i njëjti. Për ta provuar është fakti se ka mjaftuar një ndryshim hapi dhe toni nga ana e amerikanepër të realizuar në Cornwall dhe në Bruksel një shkallë uniteti që pak e besonin të mundshme pak kohë më parë.

Duhet thënë se situata për sa i përket Rusisë dhe Kinës është në fakt e ndryshme. Lidhur me të parën, uniteti i Perëndimit, përveç ndonjë përjashtimi të parëndësishëm, është thelbësisht i siguruar. E demonstron gjuha shumë e fortë e komunikatave të G7 dhe të NATO. Kjo i detyrohet një perceptimi më të madh të kërcënimit rus nga ana europiane dhe faktit që Vladimir Putini objektivisht është më i dobët, i kushtëzuar nga një ekonomi e asfiksuar thuaje tërësisht e varur nga eksportet e hidrokarbureve; gjë që për më tepër nuk e pengon që t’i shtojë aktet agresive që njohim. Mbetet problemi i Nord Stream 2; çështje që është emfatizuar me tepri dhe keqmenaxhuar sidomos nga ana e Gjermanisë. Është lënë që të bëhet një test i autonomisë europiane nga Rusia, kur në të vërtetë nevoja e tyre për të eksportuar gazin në Europë është më e madhe nga nevoja jonë për ta importuar. Problemi i vërtetë ishte ai i dëmit që kjo infrastrukturë mund të përfaqësojë për Ukrainën dhe Poloninë. Gjermania do të duhet prej kohësh, siç më së fundi duket se po vendos të bëjë tani, të formulonte propozime të përshtatshme pa lënë që çështja të merrte përmasën e një drame transatlantike.

Kurse çështja kineze është shumë më e komplikuar dhe në këtë rast pjekuria e europianëve ka qenë më e ngadaltë karshi Shteteve të Bashkuara dhe më e fragmentuar brenda tyre. Rëndësia e takimeve të këtyre ditëve është se konsakrojnë një analizë thelbësisht konvergjente. Pavarësisht sharmit të tri fjalëve magjike “bashkëpunim konkurrencë dhe rivalitet” – të mishëruara në dokumentat zyrtare – megjithatë nuk është ende një politikë. Biden ka vendosur të vërë në qendër të veprimit të tij mbrojtjen e vlerave të demokracive përballë autokracive. Kjo është një pikënisje e mirë për të ribashkuar aleatët, por nuk është akoma një strategji tek e cila domosdoshmërisht do të duhet të jenë të pajtuara vlera dhe interesae. Në një debat të brendshëm të nxehtë, Shtetet e Bashkuara po përpiqen të përkufizojnë elementët e një strategjie operative dhe kjo shpjegon, të paktën pjesërisht, disa ngurrime europiane. Në thelb, duam të kuptojmë se ku po na çon aleati.

Një pikë tashmë e mirëqenë është se skenari kinez nuk ka të bëjë aspak me atë që në kohën e saj karakterizoi Luftën e Ftohtë. Rëndësia ekonomike e Bashkimit Sovjetik ishte praktikisht zero, ndërsa Kina është ekonomia e dytë botërore tashmë e ndërlidhur fuqimisht me fqinjët e saj në Azi, me Europën dhe me Shtetet e Bashkuara. Veç kësaj, kërcënimi strategjik i i përbërë nga Kina është krejtësisht ndryshe, edhe pse nga një pikëpamje është shumë më serioz për shkak të potencialit të madh të saj ekonomik, politik dhe, në perspektivë, edhe ushtarak. Sfida kineze nuk është ideologjike, por është më shumë shprehje e një nacionalizmi të zjarrtë. Të gjitha nacionalizmat agresivë shqejnë pranë opinionit publik kujtimin e “poshtërimeve” të pësuara nga dora e armikut potencial. Qe rasi i Gjermanisë vilhelmiane me Francën; për Kinën është Perëndimi i Traktatit të Nankinit (1842) dhe i kapitullimeve. Së fundi, ajo që u ndlrtua përballë Bashkimit Sovjetik ishte një aleancë solide dhe kohezive; të paktën për momentin, asgjë nga kjo nuk ekziston midis aleatëve potencialë të Amerikës në Indo – Paqësor. Nga e gjitha kjo mund tl nxirren disa konkluzione të përkohshme, të cilat edhe mund të deduktohen nga komunikatat e gjata e të detajuara e tre takimeve europiane të Biden.

I pari është që askush, as në Shtetet e Bashkuara, nuk mendon seriozisht për një decoupling ekonomik karshi Kinës. Nuk do ta pranonim ne, do ta pranonin akoma më pak vendet e tjera aziatike; nga ana tjetër, nuk do të ishte e mundur as për Shtetet e Bashkuara. Kotësia e gjesteve demonstrative të Trump mjafton për ta demonstruar. Pavarësisht një gjuhe në disa raste ende proteksioniste të adoptuar nga administrata Biden, globalizimi duket se gëzon shëndet të mirë. Por përballë tij në të dyja anët e Atlantikut rritet vetëdija se duhet përballuar një sfidë teknologjike. Ishte tashmë në veprim një reagim ndaj praktikave grabitqare nga ana e kompanive kineze lidhur me disa teknologji “kritike”. Jemmi vetëdijësuar më pas të gjithë gjatë pandemisë kur kemi zbuluar varësi jashtëzakonisht të rrezikshme për disa materiale dhe teknologji, sidomos dixhitale. Së fundi ka qenë afera e pjesëmarrjes së Huawei në ndërtimin e rrjeteve 5G në Europë.

Ndryshimi i qëndrimit të europianëve është i dukshëm edhe në vende si Gjermania, të cilat janë nga pikëpamja tregëtare më të impenjuara me Kinën. Deri Angela Merkel ka deklaruar se marërveshja midis Bashkimit Europian dhe Kinës për investimet (CAI – EU-China Comprehensive Agreement on Investment), që duket se është kurorëzimi i presidencës gjermane të Bashkimit Europian e vitit të kaluar, nuk do të ratifikohet në rast se Kina nuk do ta modifikojë praktikën e saj lidhur me punën e detyruar (gjë që do të thotë kurre). Jashtë gjuhës diplomatike, kjo nënkupton se marrëveshja për më tepër e ngrirë nga Parlmenti Europian është përfundimisht e vdekur.

Ka edhe një arësye tjetër që e bën të pashmangshme një shkallë të caktuar decoupling teknologjik. Ekonomia dixhitale po bëhet një shtyllë mbajtëse e të gjithë ekonomisë botërore edhe për sa i përket përgjigjes ndaj ndryshimeve klimaterike. Ajo ka nevojë urgjente të rregullohet. Deri në kohët e fundit, rregullat e lojës që përcaktuar thelbësisht nga Europa dhe nga Shtetet e Bashkuara, shumë shpesh me perspektiva jopërkuese dhe burime fërkimesh të shumta. Tani Kina po përpunon rregullat e veta lidhur me të ardhmen e intenetit në shpresën që t’ua eksportojë vendeve emergjente dhe t’i bëjë standardin e ri botëror. Ato janë të bazuara mbi kontrollin e internetit nga ana e shtetit. Problemi është se bëhet për një qasje jo të negociueshme, pasi bazohet mbi vlera të papajtueshme me tonat.

Një mirëkuptim midis Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara bëhet urgjent dhe i domosdoshëm; nga ana tjetër ideja shprehet qartë në komunikatat finale e takimeve të Biden. Profilohet kështu mundësia jo vetëm e një decoupling teknologjik, por edhe probabiliteti serioz që të shtrihet tek funksionimi i internetit, me pasoja të vështira për t’u vlerësuar për ekonominë botërore. Gjithësesi, vetë Kina është në këtë rrugë; nga njëra anë duke promovuar rregullat e saj, nga ana tjetër duke filluar një politikë industriale qëllimisht të prirur nga kërkimi i autnomisë teknologjike. Çështja vendimtare që paraqitet për politikën industriale dhe për promovimin e rregullave është nëse Europa dhe Shtetet e Bashkuara do ta kërkojnë autonominë secili për hesapin e tij apo do të kërkojnë ta bëjnë bashkë. Nga ky këndvështrim, takimet e ditëve të fundit janë inkurajuese. Për anën rregullatore, konkluzionet në pjesën më të madhe janë të frymëzuara nga pozicionet europiane.

Konvergjenca lidhur me dimensionin strategjik e çështjes kineze është më e vështirë. Pavarësisht ndonjë pakënaqësie nga ana franceze, komunikata finale e gjatë dhe e artikuluar e samitit të NATO i konsakron ambicien e të qënit një aleancë politiko – ushtarake me shtrirje globale. Ama edhe këtu ka shumë për të bërë. Europa është pak e ekspozuar në Indo – Paqësor dhe pesha ushtarake e saj në zonë është thuajse inekzistente. Nga ana tjetër, kërcënimi kinez nuk është (akoma?) i hapur dhe i drejtpërdrejtë, por manifestohet në vepër konstante fërimi për të testuar vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara e të aleatëve të tyre, sidomos karshi Tajvanit, por më në përgjithësi në Paqësor. Tashmë Kina është masivisht e pranishme në Afrikë dhe flota kineze e ujërave ndërkombëtare është e shtëpisë edhe në Oqeanin Indian dhe deri në Mesdhe.

Ajo që profilohet për Shtetet e Bashkuara është parasëgjithash një veprim frenimi i prirur që të sigurojë aleatët dhe t’u transmetojë kinezëve një mesazh vendosmërie. Nga kjo pikëpamje, europianët mund të bëjnë pak, por është interesante të nënvizohet se Franca, Britania e Madhe dhe të tjerë kanë programuar misione detare në zonë. Megjithatë, Europa nuk mund të shmanget nga dy zgjedhje. E para ka të bëjën me Gjermaninë, por jo vetëm, dhe na detyron t’i braktisim iluzionet e mbajtjes së ndara të konsideratave ekonomike dhe atyre strategjike. E dyta na shtyn që të impenjohemi më shumë edhe në planin politik me aleatët e Shteteve të Bashkuara në zonë.

Inercia europiane ose më shumë dëshira për të ruajtur një shkallë të caktuar ambiguiteti, nuk do të bëhet e vështirë vetëm nga presionet amerikane. Paradokalisht është pikërisht politika kineze ajo që e kufizon hapësirën tonë të manovrës. Duke filluar nga çështja e Hong Kongut deri tek represioni i ujgurëve në Ksiniang, por edhe lidhur me argumenta të tjerë të nxehtë, autoritetet kineze kanë adoptuar tashmë praktikën e reagimit me zemërim dhe me dhunë ekstreme ndaj çdo kritike edhe kundër bizneseve dhe individëve të veçantë. Sot vullneti ynë eventual për të dialoguar gjendet kështu e kufizuar dhe bëhet një shfaqje dobësie.

Rasti i Australisë është emblematik, por tashmë nuk është i vetmi dhe ka të bëjë edhe me Europën, një reagim i ngjashëm mund të konsiderohet gabim taktik dhe strategjik nga ana e një vendi që probleme të rënda strukturore dhe që në fakt do të kishte interes t’i përçante kundërshtarët potencialë. Shpjegimi më i besueshëm është në logjikën e nacionalizmit. Ai i Bashkimit Sovjetik ushqehej me superioritet ideologjik, kurse ai kinet ushqehet nga bindja për rënien e pashmangshme e të gjithë Perëndimit, nga fakti se koha është nga ana e tyre dhe se nuk e kemi më forcën morale mëpërpara akoma se atë politike dhe ekonomike për ta përballuar konfrontimin. Diktatorë të tjerë bënë jo shumë kohë më parë të njëjtin gabim vlerësimi lidhur me dobësinë demokracive; e dimë shumë mirë sesi përfundoi. Pra problemi për të gjithë ne është të shmangim një konkluzion të ngjashëm.

Kjo na çon tek nevoja e dialogut, për të cilin takimi midis Biden dhe Putin në Gjenevë i ka qenë një shembull i mirë. Ama është e rëndësishme të kuptohemi lidhur me qëllimin e këtij dialogu, që ekzistonte dhe ndoshta ekziston sërish me Rusinë, por jo ende me Kinën. Objektivi i parë dhe më i rëndësishëm është që të rivendosen disa rregulla loje pakashumë eksplicite për të shmangur që incidente të pashmangshme të shpëtojnë nga dora. Kjo implikon edhe ndonjë mirëkuptim lidhur me kontrollin e armatimeve, tashmë jo vetëm bërthamore, por edhe lidhur me hapësirën dhe me luftën kibernetike. I dyti është të eksplorohet mundësia e konvergjencave për tema me interes të përbashkët. Më e rëndësishmja është ngrohja globale lidhur me të cilën të paktën me fjalë të gjithë duket se bien dakord. Ka edhe të tjerë; në rastin e Rusisë, raportet me Iranin. Gjithmonë në rastin e Rusisë, shpresa për të përdorur dobësinë tashmë të qartë të Putinit për ta mbajtur nën kontroll afrimin e tij me Kinën.

Por ka një aspekt të dialogut të ardhshëm që ndoshta është akoma edhe më i rëndësishëm. Në Cornwall dhe në Brukseë europianë dhe amerikanë kanë përcaktuar një axhendë. Tani bëhet fjalë për ta mbushur me rezultate konkrete, por me dy kufizime kalendarike që duket se shtyjnë në drejtime të kundërta. Nga njëra anë skadencat elektorale në Francë e në Gjermani që kufizojnë lirinë e lëvizjes e dy vendeve kyçe. Nga ana tjetër, afatet e kufizuara e politikës amerikane. Shmangia nga kapja në darë është sfida kryesore e muajve të ardhshëm.
(Riccardo Perissich, një ish Drejtor i Përgjithshëm i Komisionit Europian, është tani Senior Fellow i School of European Political Economy të Universitetit LUISS në Romë)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakKujdes, fetat e limonit nëpër lokale janë plot me baktere
Artikulli tjetërNdodh në Vlorë, 28-vjeçari kapet me kamarieren dhe shtin me armë drejt pushuesve