Disa analistë të kibernetikës druhen se hakerët e Kremlinit do të shkatërrojnë besimin e amerikanëve tek zgjedhjet.
“Vota presidenciale mund të mos manipulohet, por ajo do të shkundet”, shkruan në të përjavshmen amerikane “Newsweek”, Jeff Stein.
Në një artikull kushtuar ndikimit që hakerët e përdorur nga Kremlini mund të kenë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, Stein thotë se sfidanti republikan, Donald Trump, ka përfituar në mënyrë të përsëritur nga fakti që Rusia dhe ekspertët kibernetikë rusë kanë futur hundët në fushatën zgjedhore.
Ai citon një ish-takticien kibernetik, dikur anëtar i Forcave Ajrore amerikane, i cili shprehet se, “mjafton të përziesh pak ujërat dhe sapo njerëzit fillojnë të mos kenë besim, i gjithë sistemi mund të shembet”.
Një gjë tjetër që mund të dëmtojë besimin e votuesve tek sistemi? Një sulm masiv si ai i fundit, i cili ua bëri praktikisht të pamundur njerëzve që të mund të futen në faqe interneti, të tilla si Twitter, Reddit, Netflix, Amazon, Airbnb dhe “New York Times”. Sekretari i Shtypit në Shtëpinë e Bardhë u shpreh se, ende nuk dihet kush qëndron prapa këtij aktiviteti dashakeq.
Në Amerikë ka filluar që tani të parashtrohet argumenti, përse nuk duhet që votuesit të dërgojnë votën e tyre përmes internetit, sidomos në ato shtete që janë “në fije të perit”.
Që tani, një numër në rritje amerikanësh janë të prirur të mendojnë se zgjedhjet mund të manipulohen, sipas një sondazhi të kryer në gusht nga kompania Gallup. Sipas një tjetër eksperti, rreziku nuk qëndron aq shumë në manipulimin e vetë makinave të votimit, sesa në krijimin e një atmosfere dyshimi që do të rrethojë zgjedhjet. Madje sipas tij, edhe nëse Kremlini nuk është prapa disa veprimeve të hakerëve, ai gjithsesi mund t’i shfrytëzojë për objektivat e tij.
Tre skenarët
Në mesin e tetorit, “hakeri kibernetik” veteran, Scot Terban, parashtroi tre skenarë se si Rusia mund të zhysë në kaos zgjedhjet në Amerikë: duke manipuluar numërimin e votuesve, listat e votuesve dhe makinat e votimit.
Në skenarin e parë, “janë futur duart në makinat e votimit ose kanë ndërhyrë tek kodet elektronike”, për të prodhuar rezultate tejet të papritur. Rezultati: Besimi në sistemin zgjedhor bie shumë, thotë Terban. Në këtë rast, kandidatët dhe publiku do të kërkonin rinumërim të votave, duke vonuar rezultatin me muaj të tërë dhe duke e dëmtuar edhe më tej besimin tek makineritë elektronike.
Në skenarin e dytë, votuesit do të shfaqeshin në qendrat e votimit, por do të shihnin të dhënat e tyre personale të fshira apo të ndryshuara. Demokratë të renditur si republikanë dhe anasjellta. Adresat janë të pasakta ose mungojnë. Ata nuk mund të votojnë. “Deri sot, me sa di unë, nuk ka sisteme që të dërgojnë një e-mail kur bëhet një ndryshim në statusin tuaj të votimit”, thotë Terban. “Mendojeni pak, sa njerëz kontrollojnë para se të shkojnë të votojnë?”. Është një metodë që në sistemin amerikan nuk është se s’është përdorur. Ka ndodhur për shembull, me ndryshime lagjesh në një mënyrë që skualifikon disa votues në ditën e votimit.
Skenari i tretë për paralizimin e zgjedhjeve në Amerikë, sipas hakerit, u testua nga Rusia në Ukrainë, duke futur “viruse në makineritë elektronike që i dëmtuan ose i mbyllën fare. Nëse kjo do të ndodhte në sistemin elektronik amerikan, do të shkaktonte ndërprerje dhe marrje masash emergjente. Përballë vonesave të mëdha, shumica e votuesve do të largoheshin. Dhe besimi në sistemin zgjedhor, elektronik ose jo, do të shkatërrohej”.