Sa paga i duhen një evropiani të blejë një shtëpi (dhe krahasimi me Shqipërinë)

Një studim i fundit nga platforma BestBookers.com ka zbuluar se Danimarka është shteti evropian ku një shtëpi blihet më shpejt. Sipas të dhënave, një apartament prej 100 metrash katrorë në Danimarkë kushton mesatarisht sa 114 paga neto, ose më pak se 10 vite kursime. Kjo e rendit Danimarkën në krye të listës për sa i takon përballueshmërisë së banesave në Evropë.

Në vendin e dytë dhe të tretë në listë renditen Irlanda dhe Suedia, ku qytetarëve u nevojiten përkatësisht 123 dhe 129 paga mujore për të blerë një apartament.

Në fund të listës së shteteve të përfshira në studim janë Republika Çeke dhe Sllovakia. Në këto vende, një punonjës me pagë mesatare duhet të kursejë përkatësisht 274 dhe 297 paga mujore, ose 22 dhe 24 vite për të blerë një apartament prej 100 metrash katrorë.

Në rajonin e Ballkanit dhe shtetet fqinje, Maqedonia e Veriut renditet më mirë se Greqia. Në Maqedoni, një punonjës me pagë mesatare duhet të shpenzojë 215 paga, ose gati 18 vite për të mbyllur një kredi për një shtëpi. Në Greqi, kjo shifër arrin në 228 paga, ose rreth 19 vite.

Vende të tjera të rajonit, si Bosnja dhe Mali i Zi, kërkojnë mbi 20 vite kursime për të blerë një apartament. Sllovenia gjithashtu mbetet ndër vendet më të shtrenjta në rajon.

Edhe pse Shqipëria nuk është përfshirë në këtë studim, të dhënat nga INSTAT tregojnë se paga minimale në vend është 40,000 lekë të reja. Ndërkohë, çmimi mesatar për metër katror varion nga mbi 60,000 lekë në rrethe, deri në mbi 120,000 lekë në Tiranë.

Në kryeqytet, një apartament prej 100 metrash katrorë kushton mesatarisht 125,000 euro. Me pagën minimale, një banor i Tiranës do të duhet të kursejë 312 paga mujore, ose mbi 25 vite, për të blerë një shtëpi.

Ndërkohë që raporti nuk përfshin shpenzime të tjera si ushqim, veshmbathje apo shëndetësi, duke e bërë kështu një analizë më tepër teorike sesa praktike, ai reflekton qartë sfidat që qytetarët e vendeve të ndryshme përballojnë për të siguruar një strehë, si dhe thekson hendekun e madh ekonomik të të ardhurave në të gjithë Evropën.

Artikulli paraprak“Më telefonoi Plarenti e desht me më taku”- SMS-të që “tradhtuan” deputetin e PS-së, BIRN: Afera në paradhomën e Sandër Lleshaj! SPAK zbardh abuzimet me godinat e Policisë! Lidhjet me Gjon Radovanin
Artikulli tjetërViti i SKY ECC: Shqipëria zbuloi përmasat e krimit të organizuar në 2024