Zëri i dytë që sjell më shumë të ardhura është taksa mbi pasurinë e paluajtshme, të ardhurat nga e cila pritet të shënojnë një rritje të ndjeshme me 37%, për të arritur në 2.5 miliardë lekë. Familjet do të paguajnë 510 milionë lekë, dyfish në krahasim me një vit më parë, si rrjedhojë e rishikimit të formulës së taksës së pronës, mbi bazën e vlerës. “Me ndryshimet e fundit ligjore, të cilat marrin efekte nga data 1 prill e vitit 2018, taksa e ndërtesës do të marrë një tjetër vlerësim, duke u mbështetur tek vlera e banesave dhe % e caktuar për masën e taksës si për banesat dhe objektet e biznesit. Për këtë qëllim, në bashkëpunim me institucionet qendrore, por jo vetëm, ka filluar ngritja e bazës së të dhënave për krijimin e kadastrës fiskale si informacion vendimtar për përllogaritjen dhe mbledhjen e të ardhurave”, thuhet në relacionin e Bashkisë. Në 2019-ën, pagesa e familjarëve për taksën e pronës pritet të rritet edhe më tej, duke arritur në 850 milionë lekë (6.2 milionë euro), ose gati 4 herë më shumë se shuma që pritet të paguhet në vitin 2017. Edhe bizneset do të paguajnë 2 miliardë lekë si taksa prone, me një rritje prej 25% në krahasim me vitin e kaluar. Fatura do rëndohet sërish në 2019 dhe 2020, përkatësisht në 2.2 dhe 2.3 miliardë lekë.
Parkimi, 3.3 milionë euro
A e dini se për të parkuar në Tiranë qytetarët shpenzojnë rreth 3 milionë euro në vit. Sipas buxhetit të Bashkisë, shuma e pritshme për t’u arkëtuar në 2017-ën është gati 300 milionë lekë, që është më e lartë sesa ajo që do të paguajnë familjarët për pronën po përgjatë këtij viti. Parashikimi për vitin 2018 është që të ardhurat nga tarifa e parkimit të arrijnë në 450 milionë lekë (3.3 milionë euro). Në vitin 2015, të ardhurat nga parkimi ishin vetëm 71 milionë lekë. “Arkëtimi i tarifës së parkimit ka një rritje të dukshme, si rrjedhojë e riorganizimit të strukturave, mënyrës së arkëtimit dhe evidentimit në kohë të përdoruesve të parkimit në rrugët me pagesë, por dhe në sheshet e miratuara për parkim”, thuhet në relacionin e Bashkisë.
Taksa e arsimit
Nga taksa e përkohshme për infrastrukturën Arsimore pritet të arkëtohen 892 milionë lekë, me një rritje të lehtë prej 1.2% me bazë vjetore. Gati 40% e kësaj shume do të paguhet nga familjarët dhe pjesa tjetër nga bizneset. Të ardhurat nga kjo taksë e përkohshme do të përdoren për projektin e ri të ndërtimit të 19 shkollave të reja, thotë Bashkia në relacion.
Më pak nga tarifa për zënien e hapësirës
Të ardhurat nga tarifa për zënien e hapësirës pritet të vijnë në ulje, pas rritjes së ndjeshme që pësuan dy vitet e mëparshme. Ky zë pritet të jetë 490 milionë lekë, me një ulje prej gati 20%. Me rënie prej 10.5% janë dhe të ardhurat që pritet të mblidhen nga tarifa e pastrimit, që parashikohen në 2.1 miliardë lekë.
Rekord nga taksa e ndërtimeve
Peshën kryesore në të ardhurat e veta të Bashkisë Tiranë në 2018-ën parashikohet ta ketë taksa e ndikimit në infrastrukturë, nga e cila pritet të mblidhen 3.2 miliardë lekë (24 milionë euro), me rritje prej 18.5% me bazë vjetore. Taksa që bizneset paguajnë kur marrin leje ndërtimi, e cila prej vitit të kaluar u rrit në 8% të vlerës së shitjes, pritet të sjellë 25% të të ardhurave të veta të Bashkisë. 2018-a është viti kur pritet të kulmojnë ndërtimet në kryeqytet, ndërsa në 2019 dhe 2020 pritet që të ardhurat nga infrastruktura të ulen përkatësisht në 2.7 dhe 2.5 miliardë lekë.