Janë mesatarisht mbi 120 mijë transaksione mujore për blerje online gjatë katër muajve të parë të këtij viti, sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave. Niveli më i lartë i tyre ka arritur në prill, me mbi 130 mijë transaksione on line. Po sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave, volumi i transksioneve online është mbi 150 milionë euro në muaj. Përgjithësisht në gusht dhe dhjetor ka një rritje të interesit për të blerë online.
Në raport me vitet e kaluar, transaksionet online janë rritur ndjeshëm. Në 2012-n, kur Shoqata e Bankave raporton për herë të parë të dhënat, volumi i transaksioneve online ishte më pak se 80 milionë euro në muaj. Po çfarë blihet. Aktorët e tregut pohojnë se kryesisht me karta po blihen shumë bileta avioni online, duke shmangur jo vetëm agjencitë, por edhe duke prenotuar direkt në vendet fqinje (Maqedoni, Podgoricë, Kosovë), që janë shumë më lirë se ne. Një volum të konsiderueshëm e zënë dhe veshjet e ndryshme. Victoria’s Secret dhe të tjera ku mund të blihet me dollarë, si Alibaba dhe Ebay, janë kthyer në më të preferuarat e rinjve shqiptarë për blerjet online.