Sa shumë mundim për të shfaqur mosmirënjohjen!

Albina DEDA

Jo formimi normal njerëzor e politik, por as pjesë të thartuara të subkoshiencës nuk imagjinoja të prodhonin kaq shumë vrer kundër Bashës dhe PD-së në kulmin e fushatës në parti.
Këta tipa po shfrytëzojnë të gjithë atributet dhe avantazhet e dhuruara nga demokratët, nga mundi dhe sakrifica e tyre deri në sublimitet. Nga vende bregdetare e resorte luksoze ata po provojnë të fundmen kartë të armiqësisë ndaj njerëzve që i ngritën në nivele që as i meritonin dhe as i imagjinonin.
Kështu nuk veprojnë idealistët, por mosmirënjohësit dhe nihilistët.
Ata në vend të kokëuljes që dy humbje radhazi mbajnë “kontributin” e tyre janë krekosur si gjeli majë plehu duke lëshuar fyerje, sharje e intriga.
Pafytyrësia në limite ekstreme, privimi gjenetik nga mirënjohja si cilësi humane është kategorizimi i këtyre burrave të paburrni.
Ata nuk janë aspak qëndrestarë dhe as themeltarë të demokracisë, por bixhozxhinj në politikë e përditshmëri të mësuar të fitojnë për dy dekada vetëm “Bingo”.
Njëri prej tyre ish-ministër la të priste homologun e një vendi mik, sepse nuk begenisi të lerë kazinonë e Sharm-el-Sheikut, duke krijuar një precedent diplomatik të padëgjuar.
Dhe sot lyer me figura të shpëlara letrare shet moral! Një tjetër që apelon për hunj e rrahje në PD njihet botërisht prej vitit 1992 si shpikës i kusarisë në post-diktaturë!  Një tjetër kritikë moraliste e Bashës edhe minjtë e shtëpisë i emëroi konsuj e atashe në ambasadat e Shqipërisë.
Në vijim të poshtërsisë nuk ngelen pas të tjerë kritikë “principialë” që bizneset e tyre i përzien me Proventinot e Siçilisë e kalatë historike i kthyen në klube nate.
Bëmat e kritikëve të Bashës janë pa fund sa dhe t’i përmendësh ndjehesh me turp si demokrat.
Po ata?!
Nuk ekziston tek ata as skuqje as zbehje. Janë të verdhë nga vreri i zilisë. Nuk di të ketë njerëz normal të harxhojnë kaq shumë kohë e energji për të demonstruar mosmirënjohje. Politikisht ata tashmë janë “kadavra” e mbi “varre” të tyre ka një epitaf;
“Ndërruan jetë politikisht në udhëtim e sipër për t’i shkuar deri në fund rrugës së marrëzisë”.

Artikulli paraprakEdi Rama dhe psikologjia e turmës
Artikulli tjetërStrakosha: Jam unë titullari