Nga Sadik Bejko
Klasa politike në Shqipëri është një mbetje e epokës komuniste. Nuk ka dalë ende një brez i ri dhe i papërlyer udhëheqësish.
Nuk po flasim për shefin e opozitës, që hipën e zbret veç i vdekur nga kali i politikës.
Edhe shefi i pozitës në esencë ngjan si dy pika uji me të parin.
Edi Rama prej dekadash është në krye të PS, parti vazhdim i asaj komuniste që nga viti 1945.
Sipas dëshmive të aktorit Rikard Larja, shkruar në librat e diplomatit dhe analistit politik Sh. Murati, Rama u thirr nga emigracioni në stanin e politikës së Tiranës nga klani i Sofokli Lazrit, një figurë e errët e me lidhje okulte në politikën e lartë të erës komuniste. Lidhje që të shpien deri në strofullat e arinjve të stepave…
Rama di të përdorë ngjyrat, tingujt, regjinë e tallavasë politike, gjellë e pëlqyer për turmat. Me namin e një artisti e sportisti në politikë, me lojën e spektaklit të një politike të fasadave e të ngjyrave, të atraksioneve pesë grosh në takime me ndërkombëtarët, Rama është kthyer në një gotë kokteji shumëngjyrëshe çlodhjeje për takimet e ndërkombëtarëve në sheshet dhe restorantet luksi të Tiranës.
Nuk do të kemi asgjë të re në politikë me këto dy figura, mbetje të kohëve të baba Qemos.
Nuk do të kemi qeveri: vetëm vullnetin e njëshit mbi ca zero me fytyra ministrash, që bëhen të gjallë veç kur zbulohen se kanë ngrënë dardha pas kurrizit të Shefit.
Nuk do të kemi kryebashkiak … se po nuk i pëlqeu Shefit, e degdis… pak në burg.
Nuk do të kemi parlament. Se Shefi i Madh fshin menderen me opozitën. E poshtëron hapur, e sheh si pluhur te atletët e tij të bardha… me yll.
E degradon në atë farë feje sa opozita djeg goma, djeg karriket e Parlamentit.
Çmenduri.
Asgjë e re nën këtë diell.