Sadiku: Jam i habitur nga përmirësimi i skuadrës

Sulmuesi shqiptar i Luganos, Armando Sadiku, ka folur për mediat para ndeshjes së radhës në kampionatin zviceran kundër Lozanës, duke pranuar se ka mbetur i habitur nga ajo çfarë po bën skuadra. Lugano ishte në fund të tabelës në fillim të 2017-s, ndërkohë që të dielën do të zbresë në fushë për të mbrojtur vendin e 4-t.
“E dija që me Tramexanin mund të bënim mirë, por disa lojtarë nuk i njoh më duke parë sa shumë janë përmirësuar. Jam i kënaqur sepse i kam përmbushur pritshmëritë. Emri im mbetet ende i lidhur me një përshtypje pozitive. Trajneri gjithashtu ka mbetur i njëjti, punëtor i madh, i cili flet gjithashtu edhe me tifozët”, u shpreh Sadiku.
Në ndeshjen ndaj Lozanës për Luganon do të mungojë sulmuesi shqiptar nga Maqedonia, Ezgjan Alioski dhe Sadiku e pranon se mungesa e tij do të ndihet në lojë.
“Për mua, ai është shumë i rëndësishëm. Kjo duket në fushë. Do të më mungojë të dielën, por do të përpiqemi t’ia dalim mbanë. Nuk është e nevojshme t’i japim një rëndësi të jashtëzakonshme kësaj ndeshjeje. Grupi i lojtarëve nuk ka presion, është në humorin e duhur. Jemi shumë pranë fundit dhe mungojnë vetëm hapat e fundit”, përfundoi sulmuesi i kombëtares shqiptare.

Exit mobile version