Sadiku: Ndaj Izraelit si një finale

I gatshëm për të dhënë maksimumin dhe për të luftuar për një fanellë titullari me Sokol Cikalleshin. Armando Sadiku e ka lënë pas dëmtimin dhe kërkon gol ndaj Izraelit edhe pse e ka të qartë se vetëm një mes tij dhe Cikalleshit do ta nisë sfidën që nga minuta e parë në vijën e parë të sulmit. “Kemi provuar, madje kam luajtur disa ndeshje me Cikalleshin bashkë, madje dhe kemi shënuar më kujtohet sfida ndaj Gjeorgjisë, Sokoli ka bërë gol dhe ndaj Luksemburgut vitin e kaluar kur kemi qenë në fushë të dy. Mua më pëlqen të kem një partner, por siç e thotë edhe trajneri jemi një përfaqësuese e vogël dhe luajmë ndaj ekipeve shumë të forta, prandaj luajmë me një sulmues, por kënaqësia ime do të ishte të luaja së bashku me Cikalleshin në sulm. Për skemat nuk mund të vendos unë, është trajneri ai që i bën zgjedhjet dhe ne i respektojmë ato. Pësova një goditje me Kukelin kokë më kokë dhe u çava pak te balli, ato dy ditë, por gjithçka ka kaluar tani jam mirë”, u shpreh Sadiku.
Ecuria e Shqipërisë në këtë eliminatore nuk ka qenë shumë pozitive, por jo çdo gjë duhet hedhur poshtë sipas sulmuesit të Luganos, me 26-vjeçarin që nuk ngurron të nënvizojë se kuqezinjtë kanë zhvilluar edhe ndeshje të mira. “Na kanë rënë ekipe shumë të forta në grup, mund të kishim bërë më mirë, por çfarë mund të themi për ndeshjen kundër Spanjës, ata janë një kombëtare e madhe dhe e merituan fitoren. Edhe me Italinë patëm shanset tona, por nuk shënuam dhe më pas Italia na ndëshkoi. I vetmi peng në këto eliminatore është sfida me Izraelin që e humbëm në të tillë mënyrë. Por në këto eliminatore kemi bërë aq keq sa të thuhet se kemi prekur fundin. Euforia pas Europianit ndoshta ka ndikuar. Pas ndeshjes me Luksemburgun u mblodhëm të gjithë lojtarët dhe dolëm në konkluzionin që nuk mund të na mposhtë një kombëtare e vogël si Luksemburgun, euforia ka ndikuar keq dhe nuk duhet të bëjmë më paraqitje të tilla, por ndaj Izraelit duhet të rikthehemi në rrugën e duhur”, tha ai.
Një finale që duhet fituar me çdo kusht kështu e cilëson Sadiku sfidën ndaj Izraelit, kombëtare të cilës pavarësisht humbjes 0-3 në ndeshjen e parë, Shqipëria nuk i trembet aspak. “Për ne është si një finale. Duhet të luajmë në grup dhe të japim më të mirën për ekipin. Duhet të shkojmë atje të marrim tre pikët siç na i morën ata ne këtu, ose më saktë siç na i vodhën se nuk mund të them që na i fituan. Do të bëjmë gjithçka për ta fituar atë ndeshje. Nuk mund të them që ata kanë një mbrojtje të pakalueshme. Ne kemi luajtur edhe përballë mbrojtjeve më të forta në Europian. Ne i respektojmë, por nuk i kemi frikë, do të shkojmë në Izrael për të shënuar dhe për të marrë 3 pikët”, përfundoi Sadiku.

Artikulli paraprakMorata drejt United
Artikulli tjetërEtrit Berisha drejt Napolit?!