Sadiku në formacionin e javës në Zvicër

Për të disatën herë në këtë sezon, Armando Sadiku është përfshirë nga gazeta prestigjioze “Blick” në formacionin më të mirë të javës të Superligës zvicerane. Falë një dygolëshi të sulmuesit shqiptar, Vaduzi triumfoi me shifrat 2-0 në javën e 33-të të kampionatit helvet ndaj Sionit, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt sigurimit të mbijetesës.
Sadiku në pjesën e parë kthehu në gol një 11-metërsh, ndërsa në fraksionin e dytë me një goditje të saktë me kokë mposhti për herë të dytë portierin kundërshtar, duke hipotekuar fitoren e skuadrës nga Lihtenshtejni. Me meritë bomberi nga Elbasani është përfshirë nga “Blick” në 11-shen më të mirë të javës. Që nga transferimi i tij te Vaduzi në formë huazimi në janar, 24-vjeçari shqiptar ka arritur të shënojë 7 gola në 14 takime të Superligës zvicerane me skuadrën e tij të re, duke shfaqur një formë të shkëlqyer vetëm pak kohë përpara fillimit të Euro 2016.
Armando Sadiku ishte heroi i skuadrës së Vaduzit në fitoren 2-0 ndaj Sionit ku shënoi një dygolësh shumë të rëndësishëm për mbijetesën e ekipit të tij. Një paraqitje që tërhoqi vëmendjen e mediave, por dhe konfirmon sulmuesin e kombëtares si një prej lojtarëve më të mirë të këtij ekipi. Vetë Sadiku në përfundim të sfidës u shpreh i lumtur për 3 pikët, por dhe golat e shënuar.
“Jam me fat, që u aktivizova 90 minuta të plota dhe që dhashë kontributin tim për skuadrën me dy gola. Megjithatë nuk ishte vetëm paraqitja ime e mirë, por e gjithë skuadrës, që ndaj Sionit bëri një superndeshje”, tha ai.
Me Vaduzin këtë vit ka shënuar 7 gola, ndërsa në pjesën e parë të kampionatit realizoi pesë me fanellën e Zyrihut. Gjuha që 24-vjeçari flet më mirë është ajo e golit.

Artikulli paraprakXhaka e Shaqiri s’ikin nga Zvicra
Artikulli tjetërIbrahimoviç konfirmon largimin nga PSG-ja