Sadiku: Me Panuçin sulmojmë më shumë

Bomberi i kombëtares, Armando Sadiku, ishte i ftuari i Supersport, në një lidhje direkte, ku komentoi sfidën e fundit të Shqipërisë, të fituar 2-3 në Turqi. “Unë jetoj për të shënuar, sepse kjo është puna ime në fushë. Më vjen mirë që edhe dje shënova 2 gola dhe ndihmova skuadrën. Mund të kisha shënuar edhe të tretin, në rastin e golit të Grezdës, por kundërshtari më ndali me faull dhe aty përfitoi Erosi dhe shënoi”, tha Sadiku.
Armando Sadiku theksoi se me Panuccin skuadra shikon shumë më tepër nga sulmi, ndryshe nga periudha e de Biasit, ku përparësi kishte mbrojtja. “Në kohën e De Biasit kujdeseshim shumë për fazën mbrojtëse, duke ia lënë rastësisë daljet në sulm, ndërsa me Panuccin ndodh krejt ndryshe. Ai është një trajner që kërkon një skuadër sulmuese dhe po na ndihmon shumë që të sulmojmë me vijimësi. Tani Grezda dhe Roshi luajnë më afër meje dhe kemi mundësi të sulmojmë më me efikasitet”, tha bomberi elbasanas.
Armando Sadiku u shpreh se është mjaft i lumtur me zgjedhjen për të luajtur te Legia e Varshavës, të cilën e cilësoi si skuadrën më të madhe në Poloni dhe tha se shumë shpejt do të vijnë edhe golat në kampionatin polak.

Exit mobile version