Armando Sadiku zyrtarisht është një futbollist i Legias së Varshavës. Sulmuesi i kombëtares ka firmosur një kontratë 3-vjeçare me kampionët e Polonisë pas një marrëveshje që u finalizua dhe falë menaxherit të njohur Fali Ramadani. Në 24 orët e fundit ishte bërë e ditur që bomberi kuqezi pritej të kalonte vizitat mjekësore te klubi polak dhe këtë të mërkurë u zyrtarizua gjithçka me Sadikun që vendos të vazhdojë karrierën e tij në klubin më të suksesshëm të futbollit polak në dy dekadat e fundit.
Sadiku është vetëm një nga përforcimet e shumta të Legias gjatë kësaj merkato vere, pasi vetëm pak ditë më parë klubi zyrtarizoi dhe blerjen e Hilberto Ferreiras nga Benfica. Sezonin e ardhshëm sulmuesi i kombëtares pritet të jetë lojtari kryesor i skuadrës në këtë repart dhe konsiderohet si një prej blerjeve më të rëndësishme të verës. Kartonin e Sadikut, Legia e bleu nga skuadra e Zyrihut, që sezonin e kaluar e huazoi te Lugano, ku falë golave të tij ekipi zviceran mundi të sigurojë dhe një vend në Europë.
Armando Sadiku nuk është shqiptari i parë që kalon te Legia e Varshavës, pasi vitin e kaluar dhe pse për një periudhë të shkurtër, pjesë e skuadrës ishte dhe Besnik Hasi, por në rolin e trajnerit që u shkarkua dhe pse kualifikoi skuadrën në fazën e grupeve të UEFA Champions League.