Sadriu merr tenderin tjetër 780 milionësh

“Alko IMPEX” e Sadri Abazit, një prej firmave që merr para e tendera në çdo drejtim, ka goditur disa herë në shenjë edhe në Bashkinë Librazhd. Falë ndërhyrjes së Taulant Ballës, që është shumë i afërt me këtë firmë, “Alko IMPEX” fiton tenderin për punime infrastrukturore në Librazhd, edhe pse oferta e tij është 250 milionë lekë më e lartë se e konkurrentit tjetër.
“Alko IMPEX” është kompania që është në pronësi të Arbër Abazit, nipi i deputetit socialist Sadri Abazi. Ka marrë 27 tendera në periudhën kohore nga viti 2014-2016 me një vlerë totale 1.5 mld lekë.
Deputeti demokrat, Luçiano Boçi në një deklaratë për mediat solli fakte të reja dje në lidhje me faktin se si zhvaten paratë publike nga deputetët e Ramës.
Boçi bëri të ditur se fondi limit është 790 milionë lekë, ndërsa Sadri Abazi bën ofertë me 780 milionë lekë dhe menjëherë shpallet fitues. “Ju mund të shihni në këtë dokument, se një operator tjetër ka ofruar 250 milionë lekë më pak për të njëjtat punime, por është skualifikuar. Pse? Sepse nuk ka garë. Nuk ka konkurrencë. Fituesi është i paracaktuar. Merr gjithë fondin limit dhe këto para ndahen mes oligarkëve. Ky është korrupsioni i pranishëm në çdo degë të qeverisjes. Kudo ku ka një fond, në zyrat qendrore të shtetit apo dhe në Bashki jo të mëdha si ajo e Librazhdit, shfaqen oligarkët që zhvasin e plaçkisin”, tha Boçi, ndërsa demonstroi para mediave dokumentin e tenderit. Ai theksoi se kjo është arsyeja pse qeveritarët dhe oligarkët majmen çdo ditë, shtojnë pasurinë e tyre, ndërsa çdo ditë e më shumë populli zhytet në papunësi, mjerim e varfëri.
Sadri Abazi është një nga të favorizuarit e Ramës në dhënien e tenderave. Në periudhën shtator 2013-dhjetor 2013, periudhë kur Rama nisi drejtimin e pushtetit nuk ka fituar ndonjë kontratë, në periudhën janar 2014-dhjetor 2014 ka fituar 11 kontrata. Në periudhën janar 2015-dhjetor 2015 ka fituar 16 kontrata. Pra, në total për këto periudha kohore, Abazi ka fituar rreth 27 tendera. Por kjo shifër është më e lartë se kaq, Abazi ka përfituar tendera nga institucionet publike edhe nga kompani të tjera, të cilat janë të tij, por të hapura në emra të familjarëve apo të afërmve të Abazit. Nga ana tjetër, Abazi krahas përfitimit të tenderave, vijon qetësisht të lartësojë ndërtimet e tij pa leje në mes të Tiranës.

Tendera pafund e ndërtime pa leje për Sadri Abazin

Numri i tenderave të përfituara nga Sadri Abazi sa vjen dhe rritet ashtu si edhe ndërtimet pa leje të tij sa vijnë dhe lartësohen. Në harkun kohor të vetëm dy viteve, ndërtimet e paligjshme të Sadri Abazit, të cilat janë objekte shumëkatëshe kanë rritur ndjeshëm sipërfaqet e tyre të ndërtimit. Sadri Abazi kryeson në listën e ndërtuesve që po zaptojnë çdo sipërfaqe me ndërtime të paligjshme.
Një ndërtim 6-katësh i paligjshëm tek “Zogu i Zi” ka zaptuar pronën private të familjes tiranase dhe ka bllokuar diellin dhe ajrin e banorëve të pallatit mbrapa.
Pak muaj më parë, në vend që të prishej, Abazi i bëri edhe meremetimet sipas qejfit ndërtimit të paligjshëm, por shteti ishte i zënë dhe nuk pa asgjë. Por nga ana tjetër, një ndërtim i paligjshëm përgjatë autostradës që hodhi shtat menjëherë me qeverisjen e Edi Ramës dhe i mbrojtur në paligjshmëri nga ky i fundit vijon të lartësohet nga Abazi. Lista e ndërtimeve pa leje të Abazit është e gjatë, një ndërtim i paligjshëm (shtesë kati) në njërin nga 6 pallatet e paligjshme të ndërtuara në zonën e gjelbërt ish-Fidanishtja e Luleve të Tiranës.
Shtesa e katit filloi para një muaji dhe tani është në përfundim. Nuk dihet sa ka ndarë me Edi Ramën.
Ndërtimi pa leje i deputetit të PS, Sadri Abazi në zemër të Tiranës, nuk preket as nga Lame i ALUIZNI-t dhe as nga drejtoresha e INUK, Dallëndyshe Bici, ndërsa ruspat shembin shtëpitë e fukarenjve dhe të njerëzve pa përkrahje. Deputeti i PS, Sadri Abazi, ka kryer dhjetëra ndërtime pa leje dhe askush nuk guxon që të shembë qoftë edhe një ndërtim të jashtëligjshëm të tij.
Abazi ka 5 pallate të paligjshme tek ish-serrat e Stacionit të Trenit, për të cilat ka vendim prishjeje nga INUK-u, por nuk prishen. Ka një 6-katësh të paligjshëm në tokë të familjes Gjinali tek “Zogu i Zi”, veç 2 metra para pallatit 8-katësh.
Një 6-katësh në autostradë, veç 20 metra nga rruga. Po ashtu, Abazi ka ndërtuar një pallat pa leje në një nga zonat më të bukura të plazhit të Golemit.

Arben Shahini

Exit mobile version