Shkëlqimi i kullës së Sahatit tashmë po kujtohet vetëm përmes suvenireve që kryetari i bashkisë i jep si dhuratë apo ato që shiten në treg. Tashmë objektet shumëkatëshe po I bëjnë hije monumentit të kulturës
Pavarësisht cenimit, kryebashkiaku i Tiranës ka porositur të tjera suvenire në formën e kullës së sahatit, por edhe çelësa të Tiranës si dhe medaljone mirënjohje, falenderimi, Nënë Tereza me logon Tirana 100.
Porosia ka një fond limit prej 1 milion e 664 mijë lekë. Ndërsa në garë ka marrë pjesë vetëm një kompani, e cila ka ofruar përafërsisht të njëjtën shumë të vënë në dispozicion nga bashkia duke kursyer vetëm 3600 lekë.
Me shumën prej 1 milion e 660 mijë e 425 lekë do të blihen 88 kulla sahati, 20 medalionë dhe 25 çelësa, të cilat do të dhurohen nga kryebashkiaku në pritjet e tij.
E njëjta porosi është bërë prej Veliajt edhe një muaj pas vendosjes së karantinës. Në atë kohë bashkia për të blerë çelësa të Tiranës dhe kulla të sahatit vuti në dispozicion më shumë se 2 milionë lekë.
Megjithatë duket se edhe pas kërkesës së Ramës që me pjesëmarrjen e më shumë kompanive në garë do të kursehet nga buxheti I shtetit ose I pushtetit vendor, në kryeqytet, tenderat pa garë nuk ndalen.