Drejtuesi Politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, ka zhvilluar një bashkëbisedim live në Facebook me ndjekësit e tij, ku ka dhënë përgjigje për pyetjet dhe shqetësimet e qytetarëve. Ndër komentuesit, qytetar me emrin Lefter Nikolli ka theksuar se ndonëse është demokrat i përkushtuar, nuk do të votojë kurrë më për Ilir Metën.
Në përgjigjen e tij, Basha tha se e kupton plotësisht shqetësimin e demokratëve që nuk e pranojnë më bashkëpunimin me Ilir Metën, i cili, sipas tij, ndodhet në burg për korrupsion, fshehje pasurie dhe pastrim parash. Ai theksoi se tashmë Meta nuk është thjesht një partner politik, por pjesë e listës së Sali Berishës si kandidat i numrit 1.
Ai theksoi se Koalicioni Euroatlantik është një alternativë e pastër dhe e besueshme për të gjithë ata që kërkojnë ndryshim dhe një të ardhme më të mirë për vendin. Sipas tij, vota për numrin 4, është votë për ata që kanë qëndruar në krahun e demokratëve në ditët më të vështira, për ata që nuk e kanë tradhtuar kurrë besimin e tyre.
Basha tha se çdo votë për Koalicionin Euroatlantik, është një hap përpara drejt një Shqipërie që meriton më shumë.
Pjesë nga bashkëbisedimi:
Lefter Nikolli: Isha jam dhe do vdes demokrat, por vota ime dhe e familjes time kurrë më për Metën.
Basha: Lefter te kuptoj shumë mirë dhe e kuptoj vështirësinë në të cilën je gjendur shpesherë kur të është kërkuar vota në koalicion me Ilir Metën, i cili sot është në burg për korrupsion për fshehje pasurie dhe për pastrim parash. Tani nuk është thjesht në koalicion, por është në listën e Sali Berishës, numri 1. Ndaj, ajo që ti thua dhe që ndjen është ajo që ndjejnë qindra, mijëra demokratë që i takoj, flas apo shkruhemi me ta në rrjete sociale e kudo. Dhe ashtu si qindra, mijëra, demokratë të tjerë, nuk mund të pranojnë kurrësesi që vota, sakrifica e tyre të shkojë për të nxjerrë nga burgu dhe për të bërë deputet Ilir Metën edhe ty po të them, e ke alternativën, e ke zgjedhjen ke mundësinë, voto numrin 4, Koalicionin Euroatlantik. Çdo votë për koalicionin Euroatlantik do të prodhojë kandidatë, do të prodhojë deputetë të cilët e kanë provuar në kohët më të vështira se kanë qëndruar në krahun tuaj; si kryetarë të degëve të partisë demokratike; si organizatorë të protestave opozitare; si njerëz që kurrë nuk e kanë tradhëtuar besimin tuaj dhe kurrë nuk do ta tradhëtojnë. Vota për numrin 4, është vota për sakrificën tuaj është vota për një Shqipëri që meriton më shumë.