Nga Sidi Hasanaj
Sakrifica që një pjesë e demokratëve kryen, nuk duhet të shkojë dëm…e kurrsesi të merret si dobësi!
Nëse të hënën teksa komisioni i mandateve votonte pro heqjes së imunitetit të Berishës, kisha një ndjesi tepër pozitive dhe… pse jo dhe triumfi politik (paksa edhe personal për aq pakëz luftë politike që kam bërë) ; sot teksa pritet arresti (në kushte shtëpie) i Berishës nuk kam asgjë veçse një miks, një amalgamë ndjesish të këqija.
Sali Berisha, si do që të jetë është pjesë e demokratëve, e jona… e imja. Berishën nuk e urreva (as pas 8janarit) maksimumi u revoltova me të, humba vlerësimin për të, u nervozova ndaj tij por deri këtu.
Lufta që një pjesë e demokratëve bëmë ndaj tij, mund të përshkruhet me Shqiponjën:
Shqiponja mund të jetojë 80vjeç, ose të vdesë 40 vjeç.
Kur shqiponja mbush 40 vjeç, kthetrat e saj elastike nuk mund të mbërthejnë prenë, që shqiponja e përdor si ushqim.
Sqepi i saj i mprehtë dhe i fuqishëm bëhet i më i përkulur.
Krahët e saj të plakur dhe të rëndë i bashkëngjiten trupit, gjë që e pengon zogun të fluturojë.
Në këtë pikë, shqiponja ka dy opsione – të ngordhë, ose të kalojnë nëpër procesin e vështirë të ndryshimit, që zgjat 5 muaj.
Më pas Shqiponja duhet të qëndrojë majë një mali e vetme, Atje, shqiponja godet gurin me sqep, deri sa ai bie fare. Pas kësaj, pret t’i dalë një sqep i ri.
Pastaj, kur i del sqepi i ri, shqiponja nis të godasë me të kthetrat. Kur i rriten kthetrat e reja, shqiponja shkul me to puplat e vjetra.
Vetëm pas këtij procesi që zgjat pesë muaj, shqiponja mund të fluturojë përsëri, për 40 vite të tjerë.
Pjekuria e një pjesë të demokratëve, ku dhe unë bëj pjesë, mund të krahasohet simbolikisht me këtë proces të vuajtshëm të Shqiponjës.
Sali Berisha ka sot pak mbështetës, falë rrugës së vuajtshme që L.Basha dhe shumë demokratë bëmë… u përplasëm me të, e ridimensionuam, vuajtëm shpesh herë për sulmet që i bëmë atij por kini parasysh diçka thelbësore:
Edhe para 2005 Berisha nuk kishte shumë përkrahës, por KOP nën udhëheqjen e L.Bashës,Alibeajt etj tërhoqi pranë vetes shumë të djathtë dhe e rrëzoi PS-në!
Edhe në 2013 PD morri aq vota sa morri falë 2 njerëzve: Berishës dhe Bashës, të tregohemi të sinqertë: urrejta popullore që për ministrat dhe drejtorët e korruptuar, ndërkohë Berisha përsëri mobilizonte me karizmën e tij gjithë votuesit tradicional të PD-së dhe Basha shkonte edhe përtej… simbolizonte shpresën për prespektivën edhe te elektorati gri!
Ndodhi ajo që ndodhi për 8vite post 2013, por e vërteta është që PD-në në 2021 nuk e mundi Rama me ato 30mijë vota plus kur 70mijë të tjera i shpalli të pavlefshme…
Ajo që dua të them, është se ne (PD zyrtare) bëmë proces vuajtje për të shpëtuar të ardhmen, POR me një kusht imperativ, të pakthyheshëm e të panegociueshëm… as nga Amerikanët:
Drejtësia do jetë e verbër, e barabartë, neutrale, asnjëanëse për të gjithë!
Besa që “Drejtësia e re” na dha, që SHBA na premtoi (dhe unë Amerikën e konsideroj atdheun e ideve dhe vizionit tim për jetën, për doktrinën e djathtë, e kam nën lëkurë të gdhendur emrin e saj) ishte shkatërrimi i SISTEMIT të korruptuar, moçalit 33vjeçar… ndaj dhe u bë kjo sakrificë dhe zgjedhje për luftë brenda llojit.
Por…
Ta harrojnë të majtët, socialistët/komunistët që rrëzuan Berishën dhe tani ja hodhën lumit.
Me Berishën unë ribashkohem për 3minuta (flas unë simbolikisht) se përsëri na bashkon histori e gjatë bashkë, mbase nuk bashkohem kurrë me Gazin e Salianjin që s’kanë asnjë lidhje me të djathtën, por me Berishën është tjetër gjë!
Berisha nga çdo kryeministër i këtyre 33viteve ishte më i miri, më pak i korruptuari, më pak despotiku, më pak i kriminalizuari, më pak “dallkauku” dhe më pak “i majti”… madje dhe më proAmerikani! Veprat infrastrukturore dhe reformat qëmkreu qeveria e tij, rilindja as nuk i ëndërron dot! Por pavarësisht ne pranuam që ti bashkoheshim në mënyrë vëllazërore Drejtësisë së Re, bëmë beteja politike për ta mbrojtur atë.
Padyshim që PD i takonte që të mbyllte edhe tranzicionin e Shqipërisë me një akt sublim vetë saktifice si ajo e Shqiponjës më sipër!
Por…
Nëse drejtësia ul ritmin, flet 100herë Ilir Beqjan dhe e lë më pas të iki në shtëpi, nuk merr nën hetim Veliajn për rastin më flagrant të inceneratorëve, nuk godet Ramën … gjërat ndryshojnë shpejt!
Berisha në arrest shtëpie, me ne (PD zyrtare) kundër është jashtë politike, por me ne në krahë rikthehet përsëri një PD e frikshme dhe me liderin historik të burgosur politik!
Lavdinë nga marrëzia e ndan një vijë e hollë, dhe është në dorë të Drejtësisë!
Ka pasur gjithë përkrahjen e PD, ama duhet të ecë në hapa të drejtë dhe të vërtetë!
PD-në në pushtet nuk do e sjellë Drejtësia, ama edhe Ramën në pushtet nuk do e mbajë Drejtësia!
Mos e harroni këtë!
Tani duhet votuar vetingu në politikë, heqja e imunitetit për çdo deputet, kriminalizimi i shpifjes, reforma e re zgjedhore dhe… mos harroni:
Drejtësia të jetë asnjëanëse dhe e shpejtë!