Nga Ervis Iljazaj
Shumëkujt Kuvendi i ‘’Rithemelimit’’ në 2 dhjetor mund t’i duket një dështim. Por gjykimi mbi suksesin ose jo të Kuvendit varet nga këndvështrimi. Nëse do të niseshim nga pritshmëritë se Sali Berisha e krijoi foltoren e tij me idenë e reformimit të partisë, të instalimit të garës dhe bërjes së saj një forcë fituese politike, apo betejës së ‘’fundit‘’ të tij për t’i rikthyer Partisë Demokratike hapjen e madhe, sigurisht që është një dështim.
Të gjithë ata që e mbështetën në këtë rrugëtimin, shumica prej tyre vetëm për inat të Lulzim Bashës, me idenë se Berisha do të largohej pas betejës për ‘’demokraci’’ dhe në ’’interes të partisë’’, dhe më pas ata do të trashëgonin elektoratin e tij, ose janë naiv, ose të dëshpëruar politikisht, ose nuk e kanë idenë se çfarë është politika.
Sali Berisha as nuk e ka, as nuk mund ta ketë atë objektiv. Ai si një nga politikanët më inteligjent të Shqipërisë, e di fare mirë se nuk mund të vijë më në pushtet dhe nuk mund të jetë protagonist i një beteje të rëndësishme në të ardhmen e politikës shqiptare, ndryshe nga ata që e ndjekin, të cilët janë në iluzion të plotë.
Pasi u shpall non grata nga ShBA dhe Britania e Madhe, dhe tashmë me një proces gjyqësor mbi supe, rruga e tij politike dhe personale është shumë e vështirë dhe konflikti shumë i madh. Në këtë kuptim, ajo që i duhet Berishës është një lëvizje politike e përbërë nga besnikë, dhe kurrsesi jo një forcë politike e hapur, e madhe dhe e reformuar. Një forcë politike e tillë do të thotë për të vetëm pasiguri, për të vazhduar në politikë.
Kuvendi i 2 dhjetorit e tregoi më së miri qëllimin e tij politik. Në atë Kuvend u instalua edhe njëherë besnikëria pa kushte ndaj lidershipit të tij. Një Kuvend i cili u mblodh për të votëbesuar Berishën pas humbjes në 14 maj. Mirëpo, as për 14 majin nuk u fol në atë Kuvend as për analizë politike dhe as për një strategji të qartë politike. E vetmja gjë që u rrënjos ishte pikërisht një lëvizje politike personale, madje edhe familjare me hyrjen në skenë të vajzës së tij.
Për këtë arsye, Sali Berisha e ka arritur objektivin e tij politik. Ajo që ai mund të bënte pas shpalljes non grata, ishte pikërisht kjo që krijoi. Një lëvizje politike e cila sigurisht nuk vjen dot më në pushtet, por ama e gjitha besnike ndaj tij. Me Kuvendin e 2 dhjetorit, Berisha tregoi edhe njëherë se tashmë ka formacionin e tij politik dhe do të vazhdojë të jetë në lojën politike. Për Sali Berishën, në kushtet ku ndodhet, nuk ka rëndësi nëse vjen në pushtet apo jo, por thjesht të mbetet në lojë me një forcë politike që ndoshta mund të ketë 10, 15 apo 20 përqind të elektoratit, e cila më shumë mundësi do të tkurret në vitet në vazhdim, por kjo nuk përbën problem për të.
Duam apo nuk duam, Sali Berisha e realizoi qëllimin e projektit të tij politik. Problemi qëndron a është ky projekt në interes të demokratëve dhe të djathtës shqiptare? Pa dyshim që jo! Mund të jetë një arritje personale politike, por rrotacioni në udhëheqjen e tij duket një utopi. Fatkeqësisht të djathtët shqiptarë do të duhet të presin akoma për të parë një opozitë fituese, e cila kështu sikurse është, realizon vetëm qëllimet e Berishës dhe jo qëllimet e tyre.
Prandaj, ata që ëndërronin për të marrë lidershipin e Rithemelimit dhe elektoratin e saj do të duhet të vazhdojnë të ëndërrojnë. Mesazhi i Kuvendit të 2 dhjetorit ishte pikërisht ky!