Sali Berisha nuk është sinonim i demokracisë, ndaj “beteja” e tij me SPAK-un është për ta mbajtur peng Demokracinë

Sali Berisha ishte në Gjirokastër, ku sërish u vu re një numër i ultë i pjesëmarrësve.

Nga sallat e mëdha ka përfunduar në lokale të vegjël dhe të mbyllur.

Ashtu siç ka bërë këto ditë, Berisha përsëriti refrenin e tij se kjo është një betejë për ekzistencën e demokracisë.

Por a është kjo vërtetë një betejë për ekzistencën e demokracisë?!

Po, nëse fatin penal të Berishës e shndërrojmë në sinonim të demokracisë!

Jo, nëse shohim dhe marrim faktet me radhë!

Berisha ka thirrur një protestë ditën e hënë, kur Komisioni i Mandateve do të shqyrtojë kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit dhe hapjen rrugë për ndryshim të masës së arrestit nga “detyrim paraqitje” në “arrest me burg”.

Ndonëse kishte një kohë të gjatë që paralajmëronte protesta, Berisha nuk zhvilloi të tilla kur u rritën taksat për profesionet e lira, kur u zbulua skandali McGonigal dhe komploti i tij me Edi Ramën kundër Partisë Demokratike apo kur u arratis dhe ende nuk është kapur ish-zëvendëskryeministri i qeverisë së Edi Ramës, Arben Ahmetaj.

Po ashtu, Sali Berisha nuk ka zhvilluar protesta kundër vjedhjes së zgjedhjeve, kundër varfërisë dhe papunësisë, kundër shtypjes dhe presionit qeveritar.

Sali Berisha nuk ka zhvilluar protesta për nevojat e njerëzve, për ato që i prekin vërtet ata, sepse ai është në marrëveshje me Edi Ramën, herë të fshehur, herë të hapur, herë për të sulmuar kundërshtarët e Ramës brenda PS-së, siç ishte rasti i fundit i sulmit ndaj Erjon Veliajt, për të mos pasur Rama kundërshtarë brenda dhe duke i çuar mesazhe për ta mbajtur Berishën dhe për ta pasur në lojë përballë, herë për të bërë pazare dhe për të marrë leje për Kulla, HEC-e dhe TEC-e.

Beteja për demokracinë nuk mund të bëhet vetëm kur rrezikohet Sali Berisha, por ajo duhet të jetë një betejë e përditshme për qytetarët shqiptarë, kur ata rrezikohen.

Berishën e mbrojnë oligarkët, e mbrojnë interesat e mëdha ekonomike, e mbrojnë ata që i ka marrë nga hiçi dhe i ka pasuruar me pasuri marramendëse, po demokratët e thjeshtë dhe qytetarët shqiptarë kush i mbron?!

Artikulli paraprakZgjedhjet parlamentare në Serbi/ Presidenti Begaj thirrje shqiptarëve të Luginës: Merrni pjesë në votime
Artikulli tjetërZëri i Amerikës: Vrasja në bugun e Peqinit, siguria nuk funksionoi