Nga Albi Xhunga
Paralajmëruar nga Endri Shabani, se pasi mbaruan punë me pazarin e rradhës në kurriz të shqiptarëve, në Kuvendin e Shqipërisë do të rishfaqen tensionet, për të na mbushur mendjen se aty ka maxhorancë e opozitë që kacafyten për çështje parimore. Seanca e sotme i kaloi të gjitha parashikimet. Pas ‘’luftës’’ sy për sy, dhëmb për dhëmb, e koncension për koncesion që zhvillohej nën fokusin e kamerave, pasi spektakli mbaroi deputetët dumbabistë fotografohen të buzëqeshur si aktorët pas aktit, krah për krah me rilindësit e korrupsionit.
Sali Berisha ka bërë shumë pazare përgjatë karrierës së tij politike. Si psh pazari i neveritshëm i vitit 2008 që e shndërroi deputetin e Kuvendit të Shqipërisë në një qënie amorfe, pa ngjyrë, pa shije e pa dinjitet, që mjetin kryesor të të bërit politikë ka servilosjen ndaj liderit. Por këtë herë Sali Berisha nuk është në pazar.
Marrëveshje do të thotë leverdi e ndërsjelltë. Ndërsa pazar do të thotë marrëveshje e pistë. Si rregull, marrëveshje bëjnë forca të balancuara. Bëjnë një marrëveshje nga e cila përfitojnë të dyja, duke shmangur një përplasje nga e cila do të humbnin të dyja
.
E vërteta sot është se Sali Berisha nuk është në pozitë për të bërë marrëveshje. Ai është i burgosur për korrupsion, i izoluar nga e gjithë bota e qytetëruar, bashkë me bandën e dumbabistëve që e ndjekin. Natyrisht që vula nuk e bëri dot parti. Fitorja në gjykatën e Apelit nuk është përshëndetur nga asnjë faktor ndërkombëtar. Sali Berisha është sot një plak i drobitur që do të shpëtojë veten dhe trashëgiminë e tij biologjike. Sali Berisha është sot një ‘’Xha Gorio’’ balzakian që dëshpërimisht kërkon të mos vdesë i burgosur vetë dhe t’u shmangë burgun dhe t’u shpëtojë pasurinë e vjedhur fëmijëve të tij të pangopur. Një njeri në kushte të tilla nuk është në pozita të bëjë pazar me kundërshtarin. Marrëveshje jo e jo. Ndaj ky nuk është Pazar. Ky është thjesht nënshtrim.
Dëshpërimisht ai po vetëposhtërohet për të shpëtuar ç’të mundet nga trashëgimia e tij politike e biologjike. Dhe si i mbyturi pas fijes së kashtës, po kapet te brekushet e Edi Ramës, si shpresa e vetme e shpëtimit. Kjo nuk është marrëveshje. Ky nuk është pazar. Kjo është rrjedha e pashmanshme e destinit të atij që i ka bërë krime të mëdha kësaj shoqërie e që kryqin e tij të rëndë do t’ua varë në qafë të djathtëve shqiptarë.
Ngadalësia e punës së SPAK ka edhe të mirat e veta. Të korruptuarit po vetëposhtërohen nga psikoza kafkiane që i ka kapluar tashmë prej vitesh.
Më mirë të kishte marrë malet si Ilir Meta.
PS; Po fëmijët e tij, nuk kanë pak mëshirë që të mos i kërkojnë kaq shumë një plaku të drobitur 80 vjeçar?!