Përveç korrupsionit që është një çështje që do ta vërtetojë SPAK-u dhe do të japë vendim Gjykata e Posaçme, Sali Berisha këto ditë ka justifikuar me “duart” e tij, me veprimet, qëndrimet, akuzat, linçimet dhe kërcënimet, se ai është një minues i demokracisë dhe shantazhues i drejtësisë.
Ai ka minuar demokracinë në vend, duke thërrmuar opozitën shqiptare, duke e lënë vendin pa alternativë dhe Edi Ramën pa rival përballë, ndërsa ka shantazhuar mëngjes e mbrëmje drejtësinë, duke zënë me libër shtëpie prokurorët dhe gjykatësit që kanë në shqyrtim çështjen e tij.
Nëse dikur sulmoi Ina Ramën, duke e quajtur “lavire bulevardi” apo duke i shkuar Ilir Metës për vizitë në shtëpi një ditë përpara vendimit të Gjykatës së Lartë, këto ditë Sali Berisha ka vërtetuar edhe një herë se dizenjimi “Non Grata” nga Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, ka qenë mëse i merituar.
Si për të mos mjaftuar protesta e turpit, fatmirësisht e dështuar, përpara Kryesisë së Kuvendit në ditën ku në Komisionin e Mandateve do të shqyrtohej çështja e tij, Berisha ka thirruar më 27 dhjetor, ditën kur do të shqyrtohen çështje e vulës dhe siglës së PD-së, një protestë përpara Gjykatës së Lartë.
Fatmirësisht drejtësia e re, pavarësisht hezitimeve, nuk po bie pre e presioneve dhe linçimeve të Sali Berishës.
Njëjtë siç bën Prokurorët e SPAK-ut, edhe më 27 dhjetor Magjistratët e Gjykatës së Lartë jo vetëm nuk do ta dëgjojnë zërin e ngjirur dhe nuk do ta shohin fytyrën e plakur të Sali Berishës, por do të japin vendimin e duhur, larg presionit dhe shantazhit.