Sali, që të të besojnë shqiptarët, kërko ndjesë publike ndaj Lulzim Bashës për akuzat që ke bërë!

NGA BATO KOSOVA

Pak kohë më parë, akademiku Artan Fuga i rikujtoi Sali Berishës, atë që sot ia thotë gjithë Shqipëria: Halli personal e ka bërë Berishën inkoherent në qëndrimet e tij politike. Çfarë thotë sot, e mohon nesër. Ky fenomen, përveçse e ka lënë opozitën në kaos, ka shpërfaqur një problem më të thellë: Mungesën e një narrative të sinqertë dhe koherente.

Artan Fuga shtroi një pyetje të thjeshtë, por që zbulon kontradiktat e Berishës: “Ose votat vidhen, siç pretendon opozita, dhe atëherë Lulzim Basha ka pasur të drejtë kur thotë se kurrë nuk ka humbur, ose votat nuk vidhen dhe Basha është fajtori që nuk fitoi zgjedhjet”. Nëse është e para, atëherë përse e akuzojnë Bashën si të paaftë për të fituar?

Dhe nëse është e dyta, atëherë përse Berisha vazhdon të flasë për zgjedhje të manipuluara?

Berisha është i mbërthyer në një rreth logjik pa dalje. Në betejën për të rimarrë PD, Berisha e akuzoi Lulzim Bashën, se i kishte “shitur” zgjedhjet e 2021. Sot, në derën e SPAK tha se ato zgjedhje janë manipuluar, duke sjellë si “prova” komunikimet mes Taulant Ballës dhe Suel Çelës. Nëse i qëndrojmë këtij versioni të dytë, përse Berisha e akuzoi Bashën? Dhe, më ironikja, përse i gënjeu demokratët për të legjitimuar luftën e tij kundër Lulzim Bashës?

Në këtë udhëkryq kontradiktash, ka një e vërtetë të thjeshtë që Berisha nuk mund ta anashkalojë: Lulzim Basha kishte të drejtë kur denoncoi manipulimin e zgjedhjeve dhe korrupsionin politik të qeverisë Rama. Por ndërkohë që Basha denonconte këto, Berisha mbyllte lejet e ndërtimit për kulla për familjarët e tij.
E kur PD duhet të ishte duke bërë betejën për zgjedhje të lira, ajo është mbërthyer në luftën kundër SPAK për hallin e Berishës!

Por jo vetëm kjo: Berisha e akuzoi Lulzim Bashën se Bashkëpunon me Taulant Ballën ndërsa sot na rikujtoj, se ka qënë Basha që denoncoi në Parlament lidhjet e Taulant Ballës me skandalin e Toyota Yaris.

Pra sistematikisht Berisha siç e pranon dhe vetë i ka mashtruar demokratët, me sulmet kundër Lulzim Bashës.

Dhe siç kishte deklaruar që në krye të herës Basha, Sali Berisha, nuk e do PD për ta sjellë në pushtet sepse s’ka asnjë shans, por i duhet për ta përdorur siç bëri sot përballë SPAK-ut, për të ti bërër presion për hallin e vet personal.

Sot, shqiptarët kërkojnë përgjegjësi dhe ndershmëri nga ata që pretendojnë të jenë udhëheqës. Për këtë arsye, Sali Berisha, duhet të kërkojë ndjesë publike ndaj Lulzim Bashës për të treguar se është i sinqertë dhe i vërtet në akuzat ndaj Edi Ramës.

Vetëm një hap i tillë mund t’i rikthejë sadopak seriozitetin opozitës shqiptare. Se është e pamundur të besosh dy të verteta, dhe që Rama i vodhi zgjedhjet me krimin dhe se Basha i shiti zgjedhjet.

Nëse Berisha e ka seriozisht luftën kundër Edi Ramës dhe atë ndaj manipulimeve zgjedhore, atëherë ai duhet të pranojë se ka bërë gabim në sulmet ndaj Bashës. Në të kundërt, çdo fjalë që thotë është thjesht një përpjekje për të mbrojtur veten dhe për të përdorur për hallin e tij një parti, e cila po bëhet gjithnjë e më e parëndësishme në sytë e shqiptarëve./Alfapress.al

Artikulli paraprakRilindja Urbane, Musaj: Një make up pa plan të mirëfilltë dhe pa transparencë
Artikulli tjetër100 fëmijë mbeten pa shkollë në Pogradec, prindërit: S’kemi transport