Hamdi Salihi kishte një tjetër rast për t’u bërë heroi i Wiener Neustad në Ligën e Parë të Austrisë, por shkodranin e tradhtuan këmbët nga pika e bardhë e penalltisë kundër ish-skuadrës së tij Ried, që fitoi me shifrat e thella 0-3. Në ndeshjen hapëse të javës së katërt të këtij kampionati, 33-vjeçari mori përsipër të ekzekutonte 11-metërshin të fituar po vetë, kur rezultati ishte 0-1, por portieri Gebauer i kuptoi krahun, duke i mohuar kënaqësinë e golit që do të ishte dyfish si një ish-i Riedit.
Mund të kishte qenë momenti që do të ndryshonte rrjedhën e ndeshjes, pasi Riedi realizoi edhe dy gola të tjerë, duke i shkaktuar humbjen e dytë me të njëjta shifra Nuestadit në këtë sezon. Edhe pse ka mundur të shënojë plot 8 herë në këtë sezon në 10 ndeshje gjithsej, për shkodranin kthehet makthi i 11-metërshave të humbur. Kujtojmë se gjatë sezonit të kaluar kur luante me Skënderbeun, dështoi në disa ndeshje të Kategorisë Superiore: Gaboi përballë Halilajt që atëherë mbronte portën e Flamurtarit, Enea Koliqit të Kukësit në Korçë, si dhe Agoviçit ndaj Vllaznisë, duke tentuar Panenkan.