Nga Namir Lapardhaja
Vetëm në Shqipëri mund të ndodhin metamorfizime të jashtëzakonshme të tipit: nga badigard shndërrohesh në miliarderë, në ndërtues kullash e më pas në politikanë të suksesshëm; nga ish-kapter i regjimit në biznesmenë me miliona euro pasuri; nga ish-faturino autobusi në ndërues i rrugëve publike dhe i veprave më të mëdha infrastrukturore në të gjithë Shqipërinë, duke bashkëpunuar në mënyrë të errët dhe të dyshimtë me të gjitha qeveritë.
Ky i fundit është rasti i P. Salillarit, emri i të cilit është rikthyer në vëmendjen e publikut, lidhur me tenderin e fituar për ndërtimin e pjesës së mbetur të unazës së Tiranës, në të cilën, jashtë çdo logjike infrastrukturore, një kilometër rrugë do të kushtojë diku tek 20 milionë euro.
Përse kjo kosto kaq e lartë?
Logjika ekonomike e “Salillarit” me pushtetin është shumë e thjeshtë: aty janë lekët që do të ndërtohet rruga, është përqindja që do të fitojë pushteti, po ashtu janë lekët që do të hidhen në fushatën e radhës në favor të pushtetit.
Po sjell në vëmendjen e lexuesve vetëm rastin e zgjedhjeve lokale të vitit 2015 në Berat: 6 muaj para zgjedhjeve, firma “Salillari” mori në Berat 4 punë të mëdha, me vlerë midis 600 milionë dhe 800 milionë lekë (të vjetra) secila. Punët ishin: restaurime tratuaresh dhe rehabilitim i lulishtes së Dëshmorëve të Kombit. Jo vetëm që punët e bëra shkaktuan më shumë dëme se sa dobi, por lekët e hedhura nuk justifikuan ciësinë e punimeve, vetëm atë që u fol në atë kohë: “Salillarit” i duhej të hidhte shuma të mëdha lekësh në favor të fushatës së pushtetit, qoftë në zgjedhjet lokale, qoftë në ato të përgjithshme.
E njëjta logjikë po përdoret edhe tani. Ajo që është shqetësuese është se firma në fjalë është kliente e rregullt e të gjitha qeverive, ndaj opozita, veç të tjerash, duhet të mbajë edhe qëndrim të qartë dhe të hapur se çdo të bëjë nesër në pushtet me këta klientë, të cilët, në një mënyrë ose në një tjetër, hedhin lekë për fushatë dhe blejnë zgjedhjet me paratë e taksapaguesve shqiptarë.