Në zgjedhjet e sapo mbyllura politike në Itali në radhët e formacioneve të ndryshme politike garonin dhe katër emigrantët shqiptarë; Emiliano Biraku në Venecia me Partinë Demokratike, Bruna Meçe Kola në Bergamo me forcën e sapo krijuar të fraksionistëve të Partisë Demokratike “Libero e Uguali”, Anita Likmeta në Romë me lëvizjen politike të sipërmarrësve të rinj “10 volte meglio”, dhe Elona në qytetin e Peruxhias me partinë “Europa Più”.
Si ka qenë rezultati i votime për ta? Cili është komenti mbi rezultatet e para të këtyre zgjedhjeve? Asnjë nga forcat apo koalicionet ku kanë garuar emigrantët shqiptarë nuk rezultojnë të jenë as fitues, e as të kenë arritur një rezultat të kënaqshëm nga vota e zgjedhjeve të 4 marsit. Kandidati shqiptar për dhomën e deputetëve në listën e Partisë Demokratike në qytetin e Venezias, Emiliano Biraku komenton sot rezultatin e këtyre zgjedhjeve dhe humbjen e thellë të Partisë Demokratike. “Edhe në Venezia Partia Demokratike pati një rezultat shumë të dobët, humbi si në maxhoritar dhe në proporcional. Pas kaq shumë vitesh si bastion i së majtës, fiton për herë të parë edhe në Venezia Lidhja e Veriut.
Pyetje: -Po cilat janë arsyet e humbjes së kësaj force politike që deri më tani ka drejtuar vendin, duke pasur dhe shumicën e votave në Parlamentin italian? Cila është eksperienca juaj e parë politike me këtë forcë politike?
Emiliano Biraku: “Një ndër shumë faktorët e humbjes është përçarja e së majtës si dhe hartimi i listave pa primarie.
Për mua ishte një eksperiencë pozitive, pasi jo vetëm më lidhi më shumë me territorin po më jep mundësi që të jem dhe zëri i tyre në strukturat kombëtare të PD. Duhet një riformim dhe ribashkim i të majtës dhe mendoj se nga sot është momenti më i përshtatshëm për të filluar një projekt të ri”.
Pyetje: -Po e prisnit një fitore të tillë të Lëvizjes 5 Yje?
Emiljano Biraku: 5 yjet si parti e parë mund të përkthehet si një vot protestë dhe dëshira për të ndryshuar sisitemin. Suksesin më të madh e patën në Jug të Italisë.
Pyetje: -Po fitorja e koalicionit të djathtë?
Emiljano Biraku: Koalicioni i djathtë arriti të fitojë vetëm duke u bazuar në politikat kundër emigrantëve. Ka ndikuar shumë dhe zbarkimet e 600 mijë emigrantëve në këto 4 vjet. Nuk e shoh me shumë opimizëm një qeveri me kryeministër Matteo Salvini. Megjithatë le të shpresojmë në një riformim të së majtës, pasi sa herë kanë qenë të bashkuar kanë arritur të fitojnë.
Negociatat e gjata
Në Itali, rezultatet e deritanishme tregojnë se asnjë parti nuk ka marrë shumicën parlamentare pas votimeve të djeshme. Megjithatë është e qartë se, partitë populiste siguruan një fitore të rëndësishme. Italia pritet të kalojë javë të tëra negociatash për të formuar qeverinë. Sipas anketimeve, Lëvizja 5 Yjet mund të ketë siguruar deri në 31% të votave, duke u shndërruar kështu në partinë kryesore politike në Parlament. “U them qytetarëve italianë se, kjo është garancia më e mirë për transparencë, pasi të gjitha forcave politike do t’u duhet të bisedojnë me ne për transparencë, korrigjime dhe besueshmëri të bazuar në propozimet dhe zgjidhjet që ne duam të garantojmë për këtë vend”, deklaroi Alessandro Di Battista, i Lëvizjes 5 Yjet. Lega, një tjetër parti e qendrës së djathtë me qëndrime euro-skeptike dhe anti-emigracion, fitoi rreth 17% të votave, e pasuar nga partnerja në koalicionin elektoral, partia Forza Italia e ish-kryeministrit Silvio Berluskoni.
81-vjeçari Berluskoni dhe Matteo Salvini, udhëheqësi 44-vjeçar i Legas, zhvilluan një fushatë me një axhendë të fortë anti-emigracion, duke këmbëngulur që 600 mijë emigrantët e ardhur dy vitet e fundit nga Afrika, duhet të dëbohen nga vendi. Partia Demokratike në pushtet e qendrës së majtë, pati rezultatin më të dobët në historikun e saj, me më pak se 20% të votës. Duke qenë se asnjë parti nuk ka siguruar shumicën, Italia pritet të kalojë tashmë javë të tëra negociatash.
Rezultatet
Zgjedhjet e vitit 2018 në Itali kanë dy fitues: Lëvizja 5 Yjet, e cila bëhet partia e parë, duke thyer 31% të votave dhe Lega e Matteo Salvini, e cila ‘pushton’ udhëheqjen e qendrës së djathtë. Zgjedhjet numërojne sipas mediave italiane shumë humbës, por një mbi të gjitha, Partia Demokratike e Matteo Renzi. Ndërkohë që koalicioni i Qendrës së Djathtë është përpara në kryesim, por nuk arrin të fitojë shumicën. Kur mungojnë ende shumë vota për t’u numëruar (60.016 nga 61.401 janë përfunduar), M5S është forca politike më e votuar, me 31.95% të votave. Pas saj, por shumë larg, PD me 19.21%. Koalicioni qendror i majtë qëndron në 23.10%. Listat e aleatëve nuk japin shumë shpresë:
+Evropa nuk shkon përtej 2.38%
Lega 17,5%
Forza Italia 14,2%
Fratelli d’Italia 4,4%
Leu 3,2%
Lëvizja 5 yje bën kërcimin si partia e parë me rezultatet e deritanishme në zgjedhjet e Italisë, por ende nuk ka një shumicë për formimin e qeverisë së re.
Mediat italiane raportojnë se qendra e djathtë është në rritje, ndërsa PD-ja e Matteo Renzit ka pësuar rënie. Deri tani në epërsi është koalicioni i krahut të djathtë i ish-kryeministrit Silvio Berlusconi. Sipas sondazheve, ai pritet të sigurojë 248 deri në 268 vende të Parlamentit, por të pamjaftueshme për shumicë. Formimi i qeverisë mund të marrë disa javë negociata.
Blloku i mbështetur nga Berlusconi përfshin partinë e tij Forca Itali, partinë anti-migrante Liga dhe partinë e ekstremit të djathtë. Kjo është fotografia që jep projeksionet e para dhe sondazhet e daljes në zgjedhje të kësaj loje të vështirë elektorale që tani për tani duket të tregojë qartë vetëm ndryshimin vendimtar të balancës së pushtetit ndërmjet palëve, por jo të mjaftueshme për të përshkruar një shumicë të qartë që mund të përkthehet forcë qeveritare.
Koalicionet: Qendra e djathtë kap 37.3, Qendra e majtë 22.9, krahasuar me vetëm M5S 32.5.
Sipas partive: Me përqindje kemi këtë rezultat, M5S 32,5; Pd 18,7%, Lega 17,5% Forza Italia 14,2%. Fratelli d’Italia 4,4%, Leu 3,2%, +Europa 2,5%.