Jonatan Soriano dhe Oscar Garcia vlerësojnë Partizanin. Kapiteni dhe trajneri i Red Bull Salzburgut kanë thurur elozhe për të kuqtë. Këtë të martë skuadra e Adolfo Sormanit do të sfidojë kampionët e Austrisë në “Elbasan Arena” në sfidën e parë të raundit të tretë kualifikues të Champions League me shpresën për të realizuar një tjetër mrekulli, që do të ishte kalimi i turit. Salzburgu vjen me mungesa në ndeshjen ndaj Partizanit sepse mbrojtësi Paulo Miranda dhe mesfushorët Christoph Leitgeb dhe Asger Sorensen do të mungojnë për arsye dëmtimi. Në dyshim janë edhe Stefan Lainer me probleme fizike, por edhe Reinhold Yabo, Smail Prevljak dhe Marc Rzatkowski, ndërsa blerja më e re, braziliani Wanderson nuk është federuar për dy ndeshjet ndaj të kuqve.
Sipas sulmuesit kryesor dhe njëkohësisht kapitenit Jonatan Soriano fakti që Salzburgu do të luajë në transfertë ndeshjen e parë është pozitiv për ta. “Është një avantazh i vogël për ne fakti që ndeshjen e kthimit do ta luajmë para publikut tonë në ‘Red Bull Arena’. Shpresojmë shumë të marrim një rezultat pozitiv në Shqipëri. Do të jetë shumë e vështirë pasi Partizani ka një skuadër të fortë, por ne besojmë te forcat tona”, tha ai.
Humbja në ndeshjen e parë të kampionatit ndaj Sturmit të Grazit me rezultatin 3-1 ka lënë një shije të hidhur te Salzburgu. Oscar Garcia, trajneri spanjoll i skuadrës austriake, përveç Partizanit që e konsideron një kundërshtar shumë të fortë në sfidën e “Elbasan Arenas” u druhet edhe temperaturave të larta. “Çdo ekip që mbërrin deri në këtë fazë të Championsit ka kualitetet e nevojshme për të qenë një rival i rrezikishëm. I njohim cilësitë e tyre. Kam parë ndeshjen e Partizanit ndaj Ferencvarosit, të cilën ata e fituan me penallti. Temperaturat do të jenë një problem më shumë për ne në Shqipëri”, deklaroi trajneri i Salzburgut, Oscar Garcia.