Salzburgu me mungesa ndaj Partizanit

Probleme me dëmtimet për Red Bull Salzburgun, kundërshtarin e Partizanit në turin e tretë kualifikues të Champions League, kur na ndajnë vetëm pak ditë nga sfida e parë mes këtyre dy skuadrave që do të zhvillohet të martën në mbrëmje në “Elbasan Arena”. Në takimin ndaj të Kuqve trajneri i skuadrës austriake, spanjolli Oscar Garcia duhet të heqë dorë nga disa elementëve të rëndësishëm. Mungesa që do të ndihet më shumë te Salzburgu pritet të jetë ajo e mbrojtësit brazilian Paulo Miranda, i cili pësoi një dëmtim në ndeshjen e kthimit, për turin e dytë të Championsit ndaj letonezëve të Liepajas dhe pritet të qëndrojë jashtë fushave të futbollit për rreth 6 javë. Ndaj Partizanit sipas të gjitha gjasave nuk do të jetë i gatshëm as lojtari me më shumë përvojë te Salzburgu, mesfushori Christoph Leitgeb, i cili vuan nga një problem në kavilje dhe do t’i bashkohet skuadrës në stërvitje vetëm në ditët e para të javës së ardhshme dhe në këtë mënyrë është e vështirë që ai të zbresë në fushë të martën.
Në dyshim të madh janë edhe mesfushori gjerman Reinhold Yabo, sulmuesi boshnjak Smail Prevljak, si dhe danezi Asger Sorensen. Edhe pse ndonjëri prej tyre mund të riaftësohet në kohë më shumë gjasa ka që këta 3 lojtarë të mos luajnë ndaj të Kuqve në “Elbasan Arena”. Nuk dihet ende nëse do të federohet blerja më e re, mesfushori brazilian Wanderson. Ndërkohë Salzburgut do t’i mungojnë edhe dy sulmuesit e talentuar, japonezi Minamino dhe koreani Hee-Chaan, të cilët u janë bashkuar kombëtareve të tyre olimpike në përgatitjet për Olimpiadën e Rios.

Exit mobile version